Dikur adhuronte vajzat shqiptare, tash reciton poezi të Nënë Terezës: Silvio Berlusconi, 81-vjeçar, i dënuar për mashtrim me tatime, sërish është kthyer në skenën politike të Italisë. Nesër 51 milionë italiane dhe italianë zgjedhin parlamentin e ri.
Nga Enver Robelli
Gjatë një vizite në Romë kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë Sali Berisha kishte bërë një gabim të rëndë: rreth qafës kishte lidhur një kravatë të kuqe. Kjo i kushtoi Berishës një qortim publik nga kryeministri i atëhershëm italian Silvio Berlusconi. Ngjyra e kuqe e irriton Berluconin, sepse çdo gjë e kuqe është komuniste, përfshirë edhe gjykatësit italianë të cilin bartin pelerina të kuqe.
I njohur për gjuhën e tij të shthurur Berlusconi, gjatë një konference për media, pasi dëgjoi Berishën duke folur për ndalimin e qarkullimit të skafeve mes Shqipërisë dhe Italisë, tha se do të bënte një përjashtim për «vajzat e bukura shqiptare».
Më vonë Berlusconi u ballafaqua me akuza se në vilën e tij në Arcore afër Milanos kishte organizuar «ndeja qejfi», në të cilat kishte marrë pjesë edhe një vajzë 17-vjeçare, pra e moshës jomadhore, e cila në mediat italiane do të quhej «Ruby Rubacouri», vjedhësja e zemrës. Ndejat në vilën e Berlusconit do të hynin në histori si «bunga, bunga», një sinonim për desert erotik.
Pasi në stilin e tij Berlusconi i kishte «lavdëruar» vajzat shqiptare dhe kishte nxitur reagime e kritika nga mediat italiane dhe nga shkrimtarja shqiptare Elivra Dones, në mbrojtje të politikanit italian doli – Sali Berisha. Ai tha se në konferencën për media, e cila dominohej nga «bota mashkullore» kishin rënë në sy tri gazetare «të pashme» shqiptare.
Berlusconi, sipas Berishës, u paskësh bërë një kompliment gazetareve dhe kështu qenkësh krijuar padrejtësisht një keqkuptim. Edhe kështu mund të arsyetohen llafet bajate e seksiste të Berlusconi.
Në vitin 2011 Berlusconi dha dorëheqje si kryeministër. Ai është i bindur se kishte rënë viktimë e një konspiracioni ndërkombëtar të përbërë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde dhe presidenti i atëhershëm italian Giorgio Napolitano.
Të gjithë këta dëshironin ta rrëzonin nga pushteti për ta shpëtuar Italinë nga fundosja ekonomike. Gazetari amerikan Alan Friedman, i cili ka shkruar një biografi të Berlusconit dhe ka xhiruar një film dokumentar, thotë se ka mjaft burime që mbështesin tezën e komplotit kundër Berlusconit.
Nesër 51 milionë italiane dhe italianë do të zgjedhin parlamentin e ri – dhe Berlusconi sërish është i gjallë politikisht. Partia e tij Forza Italia ka lidhur koalicion me partitë e ekstremit të djathtë dhe mund të jetë vendimtare për krijimin e qeverisë së re.
Berlusconi tani është 81-vjeçar, i dënuar për mashtrim me tatime, andaj nuk ka të drejtë të kandidojë për postin e kryeministrit, por si shef të qeverisë ai e propozuar Antonio Tajanin, kryetar i Parlamentit Europian dhe mik i vjetër i Bersluconit. Tajani ka thënë se është i gatshëm të marrë detyrën e re në Romë.
Gjatë fushatës elektorale Berlusconi është përpjekur të prezantohet edhe si gjysh i kombit italian, si një «Nonno della nazione», por në të njëjtën kohë edhe si djalosh që i gurgullon gjaku sapo të shohë një vajzë. Së fundi ai ishte mysafir në emisionin «Porta a porta», që drejtohet nga Bruno Vespa, i cili kurrë nuk bën pyetje të ashpra, për Vespan me rëndësi është që emisioni i tij të duket si dhoma e tretë e parlamentit italian. Pra, së fundi Berlusconi ishte te «Porta a porta». Në fund të monologut ai tha se i kishte shikuar fotografitë e tij të shkrepura para 17 vitesh.
«Dhe çfarë pashë? Para 17 vitesh kam pasur më pak flokë se sot. Do t’ua jap numrin e specialistit tim të flokëve». Përkundër përpjekjeve për të bindur opinionin se është ende i ri, së paku më i ri se 17 vjet më parë, çfarë bie në sy është fytyra e Berlusconit e ngarkuar me tonelata kozmetikë. Athua si duket kur e heq maskën? «Fytyrëgjarpër me buzëqeshje peshkaqeni» – kështu e përshkruan në gazetar gjerman, i cili ka qenë korrespodent në Romë gjatë viteve të qeverisjes së Berlusconit.
Për dallim nga popullistët si Donald Trumpi dhe Marine Le Pen apo autokratët si Vladimir Putini e Rexhep Taip Erdoani, Berlusconi ka humor – ndonëse duhet pranuar humori i tij shpesh është bizar dhe i neveritshëm. Putini, për shembull, kur ballafaqohet me një pyetje kritike të gazetarit, i kundërvihet duke i propozuar të bëhet synet nga mjekët rusë, të cilët, sipas tij, janë aq të shkathtë, saqë ku vendosin briskun ata nuk rritet më asgjë. Berlusconi nuk do të binte në këtë nivel. Ai ndoshta do t’i thoshte gazetarit: «Më njofto me gruan tënde. Ose me nënën». Berlusconi mund të konsiderohet si babai i të gjithë popullistëve, i pavdekshëm në politikë edhe atëherë kur të gjithë e shpallin të vdekur. «Zoti Berlusconi është një personalitet jashtëzakonisht i fuqishëm dhe këmbëngulës. Rikthimi i tij tregon se njerëzit e kanë kujtesën të zbehtë», thotë Mario Monti, i cili më 2011 u bë kryeministër i Italisë pas dorëheqjes së Berlusconit.
Kthimi i Berlusconit në skenën politike të Italisë është pasojë e përçarjes kronike të së majtës dhe e forcimit të organizatës populliste Cinque Stelle të humoristit Beppe Grillo. Kjo e fundit bën shumë zhurmë mbi politikën kaotike dhe korruptive italiane, por nuk ka koncept si të reformojë vendin. Dhe kjo shihet edhe në Romë, ku një kandidate e Cinque Stelle është kryetare e kryeqytetit që përpëlitet nga skandali në skandal. Përballë këtij kaosi italianet dhe italianët sërish po e dëgjojnë himnin e partisë së Berlusconit: «Meno male che Silvio c’è» (që shqip i bie: «Shyqyr që e kemi Silvion»).
Berlusconi hyri në politikë para 24 vitesh – me shumë premtime për reformimin e Italisë, zhvillimin ekonomik, investime në infrastrukturë. Gjatë këtij çerekshekulli ai në stilin e një popullisti të pamëshirshëm ka premtuar gjithçka, ka mbetur vetëm t’u premtojë italianeve dhe italianëve se kur të vijë në pushtet secili do të bëhet milioner i lotarisë. Pse jo?! Gjithçka është e mundshme me Berlusconin: «Pas tri orësh gjumë kam mjaft energji për tri orë seks». Ose: «Te Trumpi më së shumti me pëlqen Melania».
Ose: «Unë jam si Batmani». Nganjëherë Berlusconi humb kontrollin mbi gjuhën. Në një tubim elektoral në Napoli para disa vitesh kishte thënë se komunistët në Kinë kanë zier fëmijët e vegjël dhe me ta i kanë plehëruar arat. «Presidente, na shpëto nga komunistët», shkruante në një parullë në sallë.
Në botën e Bersluconit gjithçka është e thjeshtë. Në një tubim të partisë së tij në Milano, pas takimit të shteteve të G-20 në Pittsburgh, Berlusconi tha se po u përcillte mbështetësve të tij përshëndetjet «nga në i rrezitur: Barack Obama».
Kohëve të fundit Berlusconi ka zbuluar dashurinë për kafshët. Flet shumë për to, luan me qenushin e tij, në Itali i njohur si «barboncino» (ose «Pudel» në gjermanisht, «poodle» në anglisht). Për të treguar se është multitalent Berlusconi vitin që shkoi nga studio e «Porta a porta» recitoi edhe një poezi të Nënë Terezës.
Në zgjedhjet e nesërme për të fituar besimin e italianeve dhe italianëve luftojnë tri blloqe: aleanca e qendrës së djathtë (Berlusconi me shokë dhe banditë), e majta rreth Partito Democratico (PD) dhe partia populliste Cinque Stelle (Pesë yjet).
Sipas anketave asnjë grup politik nuk do të fitojë shumicën në parlament. Për të formuar qeverinë e re është i nevojshëm një koalicion.
Cinque Stelle refuzon të lidhë koalicion me partitë e establishmentit. Mbetet si opsion aleanca mes Berlusconit dhe të majtës së moderuar. Në moshën 81-vjeçare Berlusconi nuk luan vetëm me qenushin e tij, por edhe me skenën politike të Italisë.
Diskutime rreth kësaj post