Nga Fatjon Baze
Ditët e fundit në Europë ka nisur ndëshkimi për presidentët e Federatave të Futbollit për shkak të manipulimit për rizgjedhjen e tyre në krye të këtyre institucioneve. Bëhet fjalë për Federatën Kroate të Futbollit, ku presidenti Davor Shuker është shkarkuar nga ky post për shkak se Inspektoriati i Sportit në këtë shtet zbuloi se gjatë votimeve kanë votuar disa persona të cilët nuk duhej të kishin marrë pjesë në votim duke i cilësuar këto zgjedhje të pavlefshme.
Ndërsa, në shtetin Grek kanë kërcitur prangat ku janë arrestuar plot 58 persona për pjesmarrje të tyre në skandalin e manipulimit të ndeshjeve, “Koriopolis”, që plasi në vitin 2011.
Në listën e të arrestuarve janë edhe ish presidenti i Asteras Tripoli dhe ai i Olimpiakos Volou, Akiles Beos, i cili ka qenë edhe kryetar bashkie në Volos dhe është dënuar me katër vite burg.
Po të bësh një krahasim me vendin tonë situata është akoma dhe më e rëndë. Ne kemi të bëjmë me një president Federate që përveçse e ka kthyer institucionin e futbollit shqiptar në një pronë private, ka ndërtuar dhe një sistem akoma dhe më të korruptuar sa i përket zgjedhjeve, duke u zgjedhur në krye të atij institucioni sa herë të dojë.
Ndërkohë, që në Kroaci homologu i Armando Dukës është shkarkuar për shkak se kanë marrë pjesë në votim persona që nuk duhet të votonin dhe është zbuluar pas zgjedhjeve, ne kemi një rast të paprecedent sa i përket zgjedhjeve të 7 shkurtit ku Duka u rizgjodh për herë të pestë.
Në atë proces votimi të datës 7 shkurt morën pjesë për të votuar 12 shoqata fantazmë të cilat janë krijuar nga Armando Duka duke vendosur në krye të tyre emra që janë vartës të tij, për t’i krijuar atij një super siguri në çdo katër vjet për tu zgjedhur qetësisht në krye të Federatës së Futbollit.
Ajo që është e rëndë këtu tek ne, është se këto 12 shoqata fantazmë u bën publike që pa nisur zgjedhjet që ishin ilegjitime, pasi nuk figuronin të rregjistruara në Gjykatë të cilat janë të faktuara nga vetë Gjykata e cila pas interesimit të mediave e shprehu qartë se këto shoqata nuk figurojnë rregjistruara. Dhe skandali u thellua edhe me shumë pasi përveçse nuk duhet të merrnin pjesë në votim, ata erdhën, fjetën një natë në Hotelin e paguar nga Armando Duka dhe të nesërmen votuan qetësisht si fantazma në favor të tij duke i dhënë 12 vota të paligjshme.
Përveçse zgjedhjes së Dukës në mënyrë të turpshme, po aq skandaloze ishte dhe votimi për Komitetin Ekzekutiv që është dhe qeveria e futbollit shqiptar, ku siç është zbuluar nga televizoni “Report TV” kemi të bëjmë më vota të falsifikuara, me kandidatë që kanë marrë votat e duhuara por që nuk kanë rezultuar fitues, si dhe me persona që kanë fituar dhe janë në konflikt interesi.
Por, ndërkohë që në vendet fqinje janë marrrë masat e duhuara, në vendin tonë Armando Duka vijon të drejtojë si “mbret” Federatën Shqiptare të Futbollit, dhe pse ka disa vota jo të ligjshme që e bëjnë atë një president jo legjitim.
Fatkeqësia në këtë vend është se sistemet e drejtësisë ende nuk kanë nisur të funksionojnë, ndaj dhe të tillë persona vijojnë e rrinë të qetë në karrige që u sigurojë para dhe pushtet. Mjafton të kujtoni deklaratën e kreut të njësisë disiplinore dhe integritetit në UEFA, Emilio Garcia, i cili ka deklaruar:
“Udhëtuam disa herë në Shqipëri për këtë çështje, por kupton që harxhuam shumë kohë dhe para, pasi ishte me të vërtetë e vështirë për të bashkëpunuar me autoritetet vendase”.
Kjo deklaratë është bërë për çështjen e trukimeve të klubit të Skëndebeut ku Garcia i referohet mos bashkëpunimiet me prokurorinë shqiptare. Dhe po ta krahasosh me skandalin e futbollit Grek është po aq i rëndë sa atje.
Ne kemi të bëjmë me një klub që ka arritur të manipulojë në mënyrë mafioze plot mbi 50 ndeshje duke përfshirë këtu ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe në Kupat e Europës. Në listën e zezë janë dhe financuesit kryesor të këtij klubi duke nisur që nga Ridvan Bode, Ardjan Takaj, dhe Agim Zeqo, të cilët kanë bërë të mundur manipulimin e ndeshjeve. Dhe për skuadrën shqiptare është kërkuar përjashtimi për 10 vite nga kompeticionet europiane dhe 1 milion euro gjobë.
Ndërkohë, që në Greqi kanë nisur arrestimet, në vendin tonë jo vetëm që nuk ka asnjë hetim as nga prokuroria dhe as nga FSHF-ja (me këtë të fundit që është po aq e përfishrë në këtë skandal të trukimeve pasi presidenti i këtij institucioni është ortak dhe financues i kësaj skuadre) , por këta financues kanë nisur dhe presionin ndaj UEFA-s duke ngritur tifozët në protestë që të mos i ndërshkojnë. Dhe ndërkohë, që tifozët protestonin që presidentët e tyre të mos ndëshkoheshin se kanë trukuar ndeshje, njëri prej tyre u bën dhe karshillëk me pushime në Vjenë më një deputet të një force politike.
Arta Marku ashtu siç thuhet se po merret seriozisht me disa dosje; duhet që të shplurosë dhe dosjet e skandaleve të futbollit shqiptar të cilën pallati i drejtësise e ka pasur burim financiar; frikë dhe alergji deri më sot.
Nëse nuk e bën atëherë harrojeni thirrjen në shkallët e stadiumit “O sa mire me qenë Shqiptar” pasi futbolli do vazhdojë të ndiqet pas nga fantazmat e pa ndëshkuara të së shkuarës.
Diskutime rreth kësaj post