Tregjet ndërkombëtare janë në një moment kaotik, pas deklaratës së Donald Trump se planifikon të vendosë tarifa 25% në importet e çelikut. Kjo ka bërë që dollari të bjerë në nivelin më të ulët të 7 javëve të fundit ndaj shportës së valutave kryesore.
Nga ky moment duket se përfituesi më i madh është leku, i cili në tregun vendas të këmbimit valutor nuk ka humbur rastin të forcojë pozitat. Në këtë mënyrë, monedha vendase u forcuar me 0.5 pikë kundrejt dollarit amerikan, i cili vijon të mbetet nën nivelet e muajit Janar.
Po ashtu në rënie me 0.5 pikë u regjistrua edhe paundi britanik. Ashtu si për dollarin, humbjet e stërlinës janë të lidhura me zhvillimet ndërkombëtare, pasi investitorët nisën ta shesin valutën mbi shqetësimet se një marrëveshje tranzicioni mbi Brexit nuk mund të arrihet këtë muaj.
Ndërkohë, euro duket se është stabilizuar në kursin e 131.8 lekëve, çka e mban në rekorde negative për këtë dekadë. Kjo favorizon ekonominë shqiptare, e cila humbet çdo vit një përqindje të konsiderueshme të PBB për shkak të përdorimit masiv të euros. Një euro e dobët përkthehet në çmime më të lira për mallrat dhe shërbimet që importohen nga vendet e Bashkimit Europian, por penalizon një pjesë të popullsisë në vend, e cila paguhet në këtë valutë, apo familjet që marrin remitanca.
Në rënie ditën e sotme paraqiten edhe dollari australian dhe ai kanadez, me përkatësisht 0.1 dhe 0.5 pikë kundrejt lekut. Ndërkohë, franga zvicerane është e pandryshuar në nivelin e 114 lekëve.
Diskutime rreth kësaj post