U bë i famshëm kur ishte ministri i Financave në Greqi për guximin që tregoi për t’iu kundërvënë Brukselit dhe Berlinit për masat shtrënguese për vendin e tij për shkak të borxhit.
Sot, Janis Varoufakis i është rikthyer profesionit të tij si profesor në shkencat ekonomike dhe në një leksion të mbajtur së fundmi në Londër, tha para studentëve se kapitalizmi po vdes dhe goditjen fatale do t’ia japë pikërisht ajo që konsiderohet si e ardhmja e ekonomisë; teknologjia.
“Kapitalizmi është vjetëruar dhe ngritja e korporatave gjigante të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do ta vrasin fare këtë sistem”, thotë ai.
Ish-ministri grek i Financave thotë se për herë të parë, gjigantë si Google dhe Facebook po sigurojnë të ardhura të prodhuara nga klientët e tyre, pra përdoruesit e produkteve të tyre. Pikërisht kjo është gangrena që po e bren sistemin kapitalist përbrenda, sipas tij.
“Sa herë që kërkoni për diçka në Google, ju kontribuoni në rritjen e kapitalit të Google dhe kush i merr në fund të ardhurat? Google, jo ju! Pra, sot nuk ka asnjë dyshim që kapitali po prodhohet nga shoqëria, por përfitimet po privatizohen dhe kjo, me inteligjencën artificiale do të marrë fund. Kjo teknologji do të shkatërrojë më shumë vende pune nga sa do të krijojë dhe pikërisht në këto moment, Karl Marks do të ketë hakmarrjen e tij ndaj kapitalizmit”, deklaroi Varoufakis.
Diskutime rreth kësaj post