Bregdeti i Durrësit, për shumë vjet i “përbuzur”, por që vjet u kthye në Hirushen e turizmit shqiptar, pritet të vazhdojë shkëlqimin edhe këtë verë. Sezoni turistik veror do të jetë rreth pesë muaj dhe kjo i atribuohet kontingjentit të pushuesve nordikë që kanë “pushtuar” me rezervime Golemin. Hotelet, nga ana tjetër, janë bërë gati.
Shumica do të ofrojë shërbimin “all inclusive” dhe polakët vijojnë të mbajnë “flamurin” si grupi me frekuentim më të lartë, kurse rikthime nga pushuesit e sezonit të kaluar ka shumë pak. Ardhja këtë vit e turistëve nordikë, që janë më kërkues për kushtet dhe ushqimin, por nga ana tjetër edhe paguajnë më shumë, i ka bërë sipërmarrësit të jenë më të kujdesshëm dhe të investojnë në cilësi, duke mësuar dhe nga gabimet e një vit më parë, kur për herë të parë hotelet në bregdetin e Golemit u grupuan për të ofruar shërbimin “all inclusive” kryesisht për turistët polakë.
Investimet në kapacitete janë shtuar, ndërsa sipërmarrësit i kanë të garantuara rezervimet të paktën edhe dy vitet e ardhshme. FAFA Resort, këtë vit fut në funksion edhe investimin e ri Grand Blu Fafa me 250 dhoma të reja. Kompania nordike Apollon ka rezervuar 120 dhoma tek kompleksi i ri i Fafa për gjithë sezonin deri në fund të shtatorit. Prestige Resort, dikur ish Mak Albania dhe tashmë krejtësisht i rinovuar dhe që ka zgjeruar kapacitetin me 60 dhoma, ka mbyllur edhe rezervimet për 2019-2020 dhe do të ketë vetëm nordikë. Sandy Beach Resort në Golem i ka të rezervuara të paktën 70% të dhomave nga polakët.
Futja e shërbimeve “all inclusive” pritet të nxisë dhe bujqësinë e zonës përreth, teksa frutat dhe perimet sigurohen kryesisht në zonat përreth në fshatrat e Kavajës dhe Lushnjës. Edhe restorantet e zonës së bregdetit do të ketë më shumë punë, sidomos nga nordikët, të cilët kanë rezervuar kryesisht vetëm fjetjen dhe mëngjesin. Shërbimet mbështetëse të argëtimit çalojnë ende, por edhe ato pritet të zhvillohen në varësi të kërkesës, që do të vijë nga turistët. Problemi i vetëm është shteti, që nuk po arrin të ndjekë ritmin e bizneseve dhe nuk po garanton investimet e nevojshme në infrastrukturën e zonës (rrugë, kanalizime, pastrim), duke vënë në rrezik gjithë investimet e bizneseve.
Diskutime rreth kësaj post