Këto janë fotot e Xhemil Piskut dhe Edlira Piskut, të cilët humbën jetën në aksidentin tek Mali i Robit Mëngjesin e së shtunës. Xhemil Pisku bashkë me nusen e djalit Edlira Pisku, si dhe nipin 8 vjeç, ishin duke pritur autobuzin e Beratit, për të udhëtuar drejt këtij qyteti. Në një aks mjaft të rrezikshëm, makina Toyota që drejtohej nga Halil Koka ka humbur kontrollin dhe ka goditur Xhemil dhe Edlira Piskun, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Djali 8 vjeç duket se ka shpëtuar pasi është mbrojtur nga nëna e tij 34-vjeç, e cila nuk i mbijetoi dot goditjeve të makinës. Edlira Pisku ka mbuluar djalin e saj në momentin kur makina u afrua, duke e marrë ajo goditjen dhe jo 8-vjeçari.
Edhe 69 vjeçari mori plagë të shumta në kokë. Xhemil dhe Edlira Pisku janë përcjellë për në banesën e fundit mes lotëve, ndërkohë që jashtë kamerave familjarët thanë se ishin të shokuar për ngjarjen dhe se trupat i kanë gjetur të mbuluar me çarçaf nga Policia.
Policia ka vënë në pranga drejtuesin e makinës Halil Kokën, i cili nuk ishte as i pajisur me patentë. Halil Koka tentoi të mashtronte Policinë, duke i kërkuar të dashurës së tij Ilda Parroj të merrte fajin përsipër, sikur ajo ishte shofere. Fillimisht 30-vjeçarja ka pranuar, pasi Halil Koka i kishte thënë se do paguante Policinë që ajo të mos bënte burg.
Por pas një dëshmie në vendin e ngjarjes, Uniformat blu kanë zbuluar se drejtuesi i makinës Toyota ishte Halil Koka. Ky i fundit ka pranuar se ka qenë ai shofer dhe ka thënë se makina i doli jashtë kontrollit. Policia i ka bërë dhe testin e alkoolit Kokës, por ai nuk rezultoi i dehur. Dyshohet se automjeti ishte me një shpejtësi të lartë dhe kjo ka qenë arsyeja e humbjes së kontrollit.
Rrugët në të gjithë vendin janë përgjakur ditët e fundit. Brenda një jave kanë humbur jetën 8 persona, 4 anëtarë të një familje humbën jetën në Velipojë, 2 udhëtar vdiqën në Maminës pasi u goditën nga një makinë Benz dhe aksidenti te Mali i Robit në Kavajë shënoi viktimën e 8 si dhe 12 të plagosur brenda 7 ditëve. Policia rrugore e kontaktuar nga Report TV tha se aksidentet e fundit kanë ndodhur nga pakujdesia e shoferëve dhe shpejtësia tej normave.
Diskutime rreth kësaj post