Pas abuzimit me pronat në bregdetin e Spillesë qëndron një biznesmen i njohur, i cili është shpallur në kërkim krahas arrestimit të pesë zyrtarëve të Bashkisë së Rrogozhinës.
Bëhet fjalë Idlir Karkinin, për të cilin gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg. Karkini ka privatizuar në shkelje me ligjin pronën e Ministrisë së Mbrojtjes në Spille (poligon qitje) dhe ka ndërtuar aty një biznes privat.
Idlir Karkini është një personazh i njohur pasi zotëron mirëmbajtjen e sistemit të radarëve të FA, si dhe njihet si përfitues i shumë tenderave, ndër to për mbarëvajtjen e rrjetit të dixhitalizimit i cili kap një vlerë prej 8.8 mln euro.
Në hetim për abuzim me pronat në Spille është edhe kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i cili sot është marrë në pyetje nga Prokuroria si dhe me vendim të Gjykatës i është ndaluar dalja jashtë vendit, përmes bllokimit të pasaportës. Organi i akuzës ka nisur një hetim për 10 persona, mes tyre edhe kryebashkiakun Nuredini të cilët akuzohen për tjetërsim të pronave shtetërore ranishte dhe kthimin e tyre në prona private për interesa të palëve të treta.
Rasti më flagrant i këtij abuzimi është një pronë e Ministrisë së Mbrojtjes në Spille (poligon qitje) e cila nuk i është regjistuar kësaj ministrie pas tre kërkesave radhazi nga ky institucion në hipotekën e Kavajës, por ndërkohë atë e ka privatizuar biznesmeni Karkini. Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit, biznesmen.
Gjashtë arreste me burg
Gjykata ka dhënë ndërkohë pesë masa arresti me burg për ish-zytarë të bashkisë Rrogozhinë dhe të hipotekave si dhe për biznesmenin Idlir Karkini. Sipas njoftimit të Prokurorisë, masa e arrestit me burg është dhënë për Asim Arkaxhiu, Ish-Regjistrues i ZVRPP Kavajë, Aldo Kila, Jurist pranë ZVRPP Kavajë, Julian Zhelegu, Noter Dhoma e Noterisë, Tiranë, Shpendi Dema, Juristi Bashkia Rrogozhinë, Arben Daja, sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë, Artur Tosku, Kryenspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë.
Gjithashtu, gjykata ka dhënë arrest me burg në mungesë për biznesmenin Idlir Karkini në emër të të cilit u regjistrua prona shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar. Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 (njëzet e shtatë) lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 (katër) persona (investitorë) rezultojnë të jenë banor të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetar të rretheve të tjera.
Diskutime rreth kësaj post