Fermerët që kultivojnë serra me luleshtrydhe protestojnë pasi janë dëmtuar nga dy përmbytjet e shkaktuara nga lumi Vjosë.
Në fshatin Kafaraj të njësisë administrative Frakull në Fier, fermerët protestuan dhe thonë se qeveria po tregohet indiferente duke mos i përfshire në listën e dëmshpërblimeve.
Në shenjë zemërimi fermerët kanë hedhur në rrugë arka me luleshtrydhe të dëmtuara.
“Është hera e tretë që ne përmbytemi tani brenda një viti dhe asnjë nga qeveritarët nuk ka ardhur të pyesë se çfarë ka ky popull,” shprehet një fermer.
“Problemi i të gjithë kësaj situate është ura e autostradës Levan –Vlorë. Këtu janë hedhur inerte me miliona metër kub duke ngritur bazën e lumit dhe poshtë saj është bërë një ngushtim mjaft i madh nga 150 metra deri 300 metra që duhet ta ketë lumi kur del, e kanë lënë vetëm 70 metra,” thotë një tjetër.
“Kultura e luleshtrydhes është kultura bujqësore që kërkon më tepër shpenzime. Kosto për një dylym është rreth 8 milionë lekë,” thotë një fermer.
Nga ana e Bashkisë së Fierit, me një vendim të Këshillit Bashkiak është vendosur që fermerët e prekur nga përmbytjet të përjashtohen nga taksa e tokës këtë vit.
Diskutime rreth kësaj post