Ambasada Amerikane në Prishtinë ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e përkrahin idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk e mbështesim shkëmbimin e territorit apo vendosjen e precedentëve që do të shkaktonin më shumë probleme sesa zgjidhje, por të gjitha palët duhet të jenë kreative në gjetjen e një zgjidhjeje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhënë Radios Evropa e Lirë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe inkurajon të dyja palët që të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në këtë përgjigje.
SHBA-të i bëjnë thirrje të dyja palëve që t’i shfrytëzojnë mundësitë për të bërë përparim në këtë çështje.
Po ashtu thuhet se SHBA-të do të mbështesin të dyja palët për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila është e vetmja mënyrë për të zhbllokuar të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë drejt perëndimit.
Këto komente të Ambasadës Amerikane vijnë pas debatit të hapur për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje mes dy vendeve, si dhe pas kërkesës që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i ka bërë Shteteve të Bashkuara që t’i ndihmojnë t’i bindin shqiptarët e Kosovës që të jenë gati për zgjidhje fleksibile që do të mundësojnë një kompromis.
Diskutime rreth kësaj post