Nga Skënder Minxhozi
A ju kujtohet 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë? Nëse i keni ndjekur festimet e shumta në Tiranë e qytetet e tjera të vendit, do ju ketë mbetur në mend gjesti simbolik i qeverisë së kohës, drejtuar nga kryeministri Berisha, e cila mbajti një mbledhje në ambjentet e muzeut të Pavarësisë në Vlorë. Gjatë asaj mbledhjeje, zoti Berisha, i dominuar nga solemniteti dhe emocioni i momentit (por edhe nga dëshira për t’i acaruar pak veshët e perëndimorëve me gogolin e vjetër të Shqipërisë së Madhe), u kërkoi në mënyrë taksative ministrave të linjës që t’i sillnin sa më parë për firmosje projektligjin për dhënien e pasaportave të shtetit shqiptar, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin. Një ide sa e parealizueshme, aq edhe edhe acaruese e provokative, për të gjithë rajonin dhe aktorët e mëdhenj perëndimorë: shqiptarët të bashkuar nga i njëjti dokument në xhepat e tyre! Ishin kohët kur kryeministri i kohës fliste për “albanofobinë” dhe kur Berisha e kishte për zemër fërkimin me ndërkombëtarët.
Gjashtë vjet më vonë, në kremtimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri shqiptar Edi Rama e tendosi edhe një herë mbi tryezën e festës, një segment tjetër të tezës së mësipërme, duke hedhur idenë e një presidenti të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe unifikimin e politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë mes dy vendeve. Ka qenë një hap që ka kërkuar të shfrytëzojë momentin emotiv të publikut shqiptar, për të krijuar edhe një herë (në letër) idenë e përbashkimit, të perspektivës së afërt të unifikimit të të gjithë shqiptarëve, e parë kryesisht si afrim dhe integrim mes dy shteteve shqiptare.
Sikur të mbetej në këtë suazë, ideja e Edi Ramës do të ishte një gjest emocional, në një moment thellësisht simbolik dhe gjithëpërfshirës për mbarë shqiptarët. Prishtina e ngjyer në kuq e zi dhe festimet disasditore, të shtyjnë të lesh mënjanë etiketën diplomatike dhe filtrat që rëndom i pengojnë shtetarët t’i thonë të gjitha ato që kanë në kokë. Por edhe në formën e tyre më të pafajshme, pra emotive, pak a shumë si idea e Berishës gjashtë vjet më parë në Vlorë, propozimet e kryeministrit Rama janë një “krisëm në mes të koncertit” të Pavarësisë së Kosovës. Të paktën nga pikëpamja diplomatike. Jo sepse pas tyre, reagoi me forcë kundër LDK-ja, por sepse ide të tilla, të artikuluara në nivele të larta shtetërore, nuk kalojnë kurrsesi pa u vënë re dhe pa shkaktuar një rrudhje të fortë buzësh tek ata që 19 vjet më parë hodhën bomba mbi Beograd, e që nëntë vjet më pas u bënë garanti i lindjes së shtetit të dytë shqiptar në Ballkan: SHBA dhe Bashkimi Europian!
Për ta thënë me një batutë, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bashkojnë presidentët, ndërkohë që s’kanë mundur të bashkojnë ende prefiksin e telefonave. Duhet kuptuar se Kosova ka nisur rrugën e saj dhjetë vjet më parë si një entitet që duhet të ofronte një garanci të madhe në hapat e parë të saj: të qëndrojë larg tundimit të bashkimit me Shqipërinë! Ka qenë kjo një kërkesë e miqve, më parë se e armiqve të shqiptarëve, me qëllim që shteti më i ri në Europë të merrte formë dhe të “koagulonte” gradualisht qenien e tij si subjekt i bashkësisë ndërkombëtare, pa krijuar tensione dhe reagime nga të katër anët e botës. Eksperimenti kosovar i fushatës humanitare në 1999 dhe i krijimit të shtetit të pavarur në 2008, ka pasur si kundërçmim mbajtjen larg të idesë së bashkimit mekanik të saj me Shqipërinë. Të paktën jo kaq shpejt.
Të propozosh sot që Shqipëria dhe Kosova të bashkojnë krerët e shteteve të tyre, ndërkohë që dy shtetet kanë pozita ndërkombëtare, nivele ekonomike të zhvillimit, situata të brendshme politike e sociale, raporte me organizmat ndërkombëtare kryekëput të ndryshme nga njëri-tjetri, do të thotë të mos marrësh parasysh ligjësitë krejt specifike që venë në lëvizje Shqipërinë dhe Kosovën e sotme.
Duke hedhur këto teza, kryeministri shqiptar e di mirë se ka acaruar jo pak miq e partnerë në Perëndim. Pa folur pastaj për pjesën tjetër të botës, atë pjesë që mezi pret për të marrë shënim dhe për të mbushur librin e akuzave ndaj shqiptarëve “shovinistë”.
Rama e di mirë gjithashtu, ashtu si paraardhësi i tij vite më parë në poltronin e Ismail Qemalit me pasaportat, se ka fare pak gjasë që të kemi një president shqiptaro-shqiptar në të ardhmen. Larg të qenit skematikë dhe përsëritës, korsia e propozuar nga amerikanët dhe europianët, për bashkimin e shqiptarëve nën çatinë e BE, është i vetmi projekt që parasheh mbylljen e pikës kufitare të Morinit dhe unifikimin de facto të dy vendeve në një të ardhme jo të largët. Tezat e tjera që vijnë dhe ikin me tymin e fishekzjarreve të festave, janë të destinuara të mos lenë asnjë shenjë të qëndrueshme, përveçse të krijojnë ndonjë problem të panevojshëm kuptimor mes atyre që flasin (shqip) dhe të tjerëve që mbajnë shënim (në anglisht). As Ramës e Metës, e as Haradinajt e Thaçit nuk ju duhet kjo gjë tani.
Diskutime rreth kësaj post