Presidenti grek Prokopis Pavlopulos vijon me deklarata të forta kundër Shqipërisë pas pretendimeve për çështjen Çame nga Tirana. Pas kërcënimit pak ditë më parë ai është shprehur sërish sot se Shqipëria po bën një gabim të madh duke rrezikuar të ardhmen në BE.
“Udhëheqja shqiptare bën gabim të madh që mbështet të drejtat e disave që ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Nuk mund të kesh aspirata europiane dhe të kërkosh të drejtat e bashkëpunëtorëve të nazistëve. Kur Tirana të ketë një qëndrim tjetër, atëherë Greqia është këtu ta ndihmojë vendin fqinj drejt BE-së”, deklaroi Pavlopulos.
Ndërkohë më herët presidenti Ilir Meta duke komentuar deklaratat kërcënuese të homologut të tij grek, se Shqipëria duhet të zgjedhë mes integrimit në BE dhe Çamërisë u shpreh se qëndrimet e tij nuk janë aspak pozitive dhe se Pavlopulos nuk është në sintoni me Bushatin dhe Kotzias.
“Dua të nënvizoj se këto deklarata nuk janë në sintoni me mesazhet dhe angazhimet publike të kohëve të fundit të Ministrave të Jashtëm Bushati dhe Kotzias për të çliruar energji të reja pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke trajtuar me vetëpërmbajtje dhe konstruktivitet pengesa të së kaluarës. Spektri i bashkëpunimit midis dy vendeve është i gjithanshëm dhe me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për vendet tona por mbi të gjitha për popujt dhe njerëzit tanë.
Natyrisht mund të ketë edhe çështje të caktuara për të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme por kjo nuk do të thotë të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe as, për këtë, arsye të cenojmë, bashkëpunimin e gjithanshme dhe jetik për të dy vendet dhe popujt tanë. Partneriteti nuk është thjesht një koncept dhe një dokument por ne radhë të parë është një mënyrë komunikimi bazuar edhe në respektin reciprok”, tha Meta më herët.
Diskutime rreth kësaj post