Gjermanët duken të alarmuar nga trafikantët shqiptarë. Pak ditë pasi revista “Stern” ia kushtoi kopertinën e saj pikërisht trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Gjermanisë, e përditshmja “Berliner Kurier” shkruan për një ngjarje të rëndë dhe paralajmëron se ka nisur një luftë e ashpër me protagonist Klement Balilin.
Lexoni më poshtë shkrimin
Nga Philippe Debionne
Berliner Kurier
Ai është një nga kriminelët më të fuqishëm në Europë, kontrollon pjesën më të madhe të tregtisë së kokainës dhe në atdheun e tij ishte madje zyrtar i qeverisë: Klement Balili, i ashtuquajtur edhe ‘Eskobari i Ballkanit’, në lidhje me një baron të famshëm të drogës në Amerikën Latine. Gjurmët e tij të gjakut mund të shtrihen deri në Berlin.
Ishte maji i vitit 2017, kur persona të armatosur hynë në një lokal në rrugën Groninger. Megjithëse qëlluan plot 26 herë, mrekullisht askush nuk u plagos. Objektivi ishte pronari 34-vjeçar, me origjinë nga Kosova.
Korridor për drogërat e forta
Konflikti po gjykohet si një larje hesapesh në lidhje me trafikun e drogës. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për një dërgesë droge të papaguar dhe një “shumë të konsiderueshme parash të thata”. Hetuesit druhen se ky është vetëm fillimi i një serie përplasjesh të përgjakshme në një luftë të re të drogës. Sipas hetuesve, mafia shqiptare, e udhëhequr nga baroni i drogës Klement Balili është e vendosur që të shtrijë më tej, sipas Europol, ‘supremacinë në tregun evropian të drogës’.
Për vite të tëra, Shqipëria me autoritetet e korruptuara dhe mesatarisht 218 ditë me diell në vit, është prodhuesi numër 1 i marijuanës. Por sipas Europol, Shqipëria tani është gjithashtu edhe një korridor për drogërat e rënda, sidomos kokainë. Përgjegjës për këtë është edhe Klement Balili, që ka kontakte të drejtpërdrejta me bosët e drogës në Amerikën Jugore, sipas të dhënave të Agjencisë Amerikane të Antidrogës, DEA.
Gjashtë atentatorët heshtin
E pabeseshme: Megjithëse Balili ishte në objektivin e Europol dhe DEA në vitin 2014, ai u emërua zyrtarisht nga qeveria shqiptare si drejtor i Ministrisë së Transportit. Vetëm kur protestat ndërkombëtare kundër emërimit të tij u bënë intensive, ai e humbi vendin e punës. Por droga e tij është duke përmbytur akoma Evropën dhe Berlinin.
Deri në çfarë mase qëndron Balili dhe njerëzit e tij të përfshirë në sulmin me armë në Berlin, mbetet e paqartë. Kjo për shkak se asnjë nga gjashtë vrasësit e dalë përpara gjykatës, nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme. Deri në qershor do ketë edhe disa seanca të tjera.
Diskutime rreth kësaj post