Krijimet e mira zënë vend në mendjen e kohës dhe të njerëzve e sado të përpiqesh për t’i shkulur, edhe më thellë i ngulit. Për to s’ka kohë lulëzimi e zvetënimi, përderisa janë ngulitur në mendjen e njerëzve.
Në se kjo ka vend për të gjitha veprat e realizuara, për komedinë “PREFEKTI” të Besim Levonjës, ka vend të veçantë. Për humorin me të cilin stigmatizohen veprimet e mbrapa e në shërbim të pushtuesve, për anën artistike e për lojën e shkëlqyer të aktorëve.
Por brezi i ri s’do e ketë fatin për t’u njohur me këtë arritje të teatrit, sepse politikanët tanë, ashtu si edhe dje, kanë konkluduar se kjo vepër tall e përqesh rendin tonë demokratik, i cili i tillë s’u bë asnjëherë. Populli duhet të njihet me ato vepra që i servil drejtuesi e jo me gjithçka që ka vlera universale. Prefekti pati këtë fat, jo sepse ajo tall e vë në lojë tradhtarët e atdheut, sepse sot të tillë janë shumica, por sepse ajo poshtëron bejlurçinat shqiptare që u paraqitën si karikaturat më të shëmtuara të shekullit njëzet. Kjo gjë nuk u vjen pas oreksit pinjollëve të tyre që s’po lënë rast e mundësi për t’i ringjallur.
Pse nuk jepet sot komedia “Prefekti”?
Arsyet janë të shumta, por në krye qëndron mbiarsya se këtij sistemi i duhen prefektët e atillë, dhe dikush sipas rotacionit vjen në krye të pushtetit, s’lë gjë pa bërë për ta pastruar ndërgjegjen shqiptare nga ca mendësi që i fshikulloi pikërisht kjo komedi. Veç kësaj prefektët janë njerëz dhe si të tillë s’mund të gjesh dy që t’i ngjajnë njeri tjetrit. Pra ata janë njerëz me aftësi dhe nivel intelektual të ndryshëm. Ata janë kreu i vendit në zonat e ndryshme e si të tillë, ata janë edhe atdhetarët e shkallës së parë. Veçse ata kanë diçka të përbashkët që sado të mundohet Rama me Berishën, s’do ua heqë dot nga lëkura: ata janë qen besnikë të atyre që i ka emëruar dhe si të tillë, ata s’mund t’i shërbejnë popullit. A s’ishte kjo bërthama e komedisë “prefekti”?
Madje unë mendoj se prefektët e sotëm janë edhe më qesharakë se të djeshmit, për faktin se dje, ata zgjidheshin nga klasa e epërme e fisnikërisë shqiptare, tërësisht të shkëputur nga hallet e popullit, sot është akoma më keq, ata janë dhëmbëza të ndryshkur të një mekanizmi që s’funksionon. Le t’i pajisë Rama sa të dojë me vetura të shtrenjta e me shpenzime marramendëse, që ia heq nga goja këtij populli të rropatur e të varfër deri në palcë, ata prapë kanë për të mbetur dhëmbëza, për faktin e thjeshtë se këtë mision u ka ngarkuar bosi qysh kur i përzgjodhi dhe ata janë betuar për ta përmbushur misionin. Të paktën të kisha dëgjuar njërin që t’i refuzonte privilegjet që u ofrohen. Por jo… Lluksi i tyre është për të mirën e popullit.
Ushtarakët kanë qenë dhe mbeten pjesa më e shëndoshë e shoqërisë sonë, që me të mirat e dobësitë e tyre, nuk ishin të papërfillshëm, ndaj vështirë se do i shkonte kujt mendja të pyeste se pse të 30 prefektët duhej të ishin ishushtarakë? Po pse të mos ishte diku mes të tridhjetëve edhe ndonjë agronom i shquar në fushën e tij, ndonjë doktor, ndonjë inxhinier, ndonjë… ka shumë fusha ku shqiptari i përkushtuar derdhi djersën e la emër. Por jo. Ata janë ushtarakë për disa arsye të rëndësishme: për ti thënë gjithkujt se ne sa kemë dalë nga një shtet ushtarak, me të cilin s’duhet guxuar për të bërë shaka si dhe, ata janë pjesa më e disiplinuar e shoqërisë dhe e meritojnë të jenë në krye të sofrës.
Por a janë me të vërtetë ushtarakët më të disiplinuarit e shoqërisë shqiptare? Me keqardhje të thellë, këtë të vërtetë duhet ta pranojmë të gjithë. Ata janë kaq të disiplinuar e të bindur, sa zoti na ruajt prej tyre. Madje të tillë ata kanë qenë gjithherë. Edhe aherë kur Enveri zbuloi puçin e ushtarakëve kundër partisë, e i bëri kashtë e koqe. Për këta ushtarakë të betuar për disiplinën e atdhedashurinë, edhe Enveri pati të drejtë, por edhe Beqiri me Mehmetin nuk ishin aq armiq sa ç’na i paraqet ai. Dhe ata u ngritën kundër njeri tjetrit, madje këta të disiplinuar guxuan të ngrihen edhe kundër popullit, kur ai s’po duronte më zgjedhën e tentoi të kalonte telat me gjemba. Është kjo ushtri besnike dhe e disiplinuar që i ngjeu kufijtë me gjakun e rinisë shqiptare. Kur erdhi radha që eksodi të shpërngulej nëpër porte e të merrte përmasa të papërballueshme, ushtria jonë po dilte nga ëndrra. Por duke qenë se ne njërin rast ushtria veproi e në të dytën iu lidhën duart, pyetja që vazhdon të bëhet është: Kur pati të drejtë ushtria, kur qëlloi mbi shqiptarët në kufi, apo kur nuk qëlloi nëpër rraskapitjet detare? Të paktën në njërin rast, ajo duhej të ishte ndëshkuar për krime të rënda kundër shqiptarëve. Në retorikën ushtarake, gjaku është lëndë që duhet të ndezë shpirtin e njeriut, por këtu bëhet fjalë për gjakun e armikut, duke nënkuptuar edhe gjakun e shqiptarit, të cilin vet ata e klasifikuan për gjak armik. Sepse bëhet hata e madhe kur i jep të drejtën të mendojë e vendosë një i pamend, i cili në vend të logjikës ka vetëm pisqollën. U vërtetua edhe një herë mësimi se ushtria mbetet vegla më qorre e çdo sistemi.
Pas gjithë këtyre arsyetimeve unë do thosha: makar të kishim filmime e argumentime kundra për figurat tona të Skenderbeut, të Ali Pashes, të Bushatllinjve. Do plotësonim një boshllëk të madh të historisë sonë, sepse është logjika e ftohtë dhe argumentet themelore që flasin për vërtetësinë e figurave, dhe jo pasionet. A do guxonte prapë Rama me karnavalet e opozitës t’i privonin shqiptarit njohjen me këto dokumenta?
Sot punët kanë ndryshuar. Pisqollat rrallë i mbajnë me vete, por vështirë t’u gjesh sirtar pa pisqolla. Vazhdojnë të kenë të njëjtin zhargon mburrjesh e lëvdatash që vetëm Tartarinit mund t’i shkonte, dhe si shpërblim synojnë gjithnjë majat më të larta të vendit. Ato që s’i merituan asnjëherë.
Nuk është në nderin tonë shqiptar që ta pranojmë këtë paradoks. Kur të bëjmë vepra më të mira se Prefekti dhe do na duhet të zgjedhim, do gjejmë edhe ndonjë argument se përse e blokuam prefektin, kapedanin e shumë komedi të tjera që kaluan provën e madhe të kohës. Por derisa buza jonë ka vite që s’qesh, komedia Prefekti duhet të jepet ne ekrane e madje sa më dendur, për të na shkundur nga apatia që po na kaplon. Ajo është aktuale dhe do vazhdojë të jetë, përderisa shoqërinë tonë ta qeverisin këta tipa që forcën e tyre e gjejnë tek pisqolla e jo tek shpirti. Për sa kohë të vazhdojmë të heshtim, neve do na qeverisin bandat e të dy krahëve politikë dhe jo njerëzit më të mençur të kombit
Ç’do kush ka të drejtën të ketë mendimin e tij për temën që preka, por askush s’ka të drejtë që t’i privojë këtij brezi njohjen me këto vepra madhore të artit tonë.
Diskutime rreth kësaj post