Diellza Bjeshka
Ishte 14 korriku i 2013-s, kur një punonjës i KQZ-së bie në një pritë të ngritur në afërsi të banesës së tij. Hulumtimi nxori në dritë faktin se Edmond Dervishi ishte viktimë e një zinxhiri ekzekutimesh e hakmarrjesh të pamëshirshme mes grupesh rivale të Tiranës. Ishte i dyti djalë i familjes Dervishi që ekzekutohej në derën e shtëpisë, ndërsa policia dhe prokuroria asnjëherë nuk gjetën autor jo vetëm për vrasjen e Edmond Dervishit, por as të një morie pafund ekzekutimesh që kanë ndodhur prej më shumë se një çerek shekulli. U tha se u vra për hakmarrje!
Aty doli në pah emri i Domart Konjarit, që sipas policisë dhe prokurorisë ishte i fundmi i një grupi të fortësh që jetonte dhe vepronte mes Spanjës-Francës dhe Tiranës. Konjari thjesht ishte lakuar si emër në një sërë atentatesh të rivalëve të tyre, siç u lakua edhe për ekzekutimin e Edmond Dervishit, por vetëm kaq. Organet kompetente gjithnjë e etiketonin Konjarin si mikun e Franc Konomit dhe madje u shkua deri atje sa u tha se; po hakmerret në emër të mikut të tij, të vrarë në mënyrë demonstrative në mes të Tiranës, në sytë e qindra kalimtarëve dhe në sytë e jo pak punonjësish policie, rreth e rrotull.
I akuzuari për një mori atentatesh, ku iu ka shpëtuar dy prej tyre dhe i njohur si një prej trafikantëve më të mëdhenj të kokainës, Konjari arrestohet për llogari të francezëve në mesmarsin e 2016-s, por meqë ata “u vonuan” në përcjelljen e materialeve, autoritetet tona të drejtësisë nuk pranuan të shkelnin “ligjet” dhe i dhanë lirinë 42-vjeçarit që Franca e kishte dënuar me 10 vite burg!
Liria e zhurmshme e Konjarit
Domart Konjari rezultonte i dënuar në Francë me 10 vjet burg, por u lirua në Shqipëri për shkelje procedurale. Në dosjen që mbante emrin e tij bëhej me dije se dyshohej se është i përfshirë në të paktën 8 vrasje në Shqipëri dhe Francë. Referuar të dhënave të dosjes që autoritetet franceze i kanë sjellë aso kohe Prokurorisë për Krime të Rënda, ku renditet me detaje e gjithë veprimtaria kriminale e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani, saktësohet se Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut.
Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së drogës në Europë, hetuesit francezë thanë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste Konjari iu ka shpëtuar atentateve me armë dhe se, sipas hetimit francez, gjithçka ka ndodhur vetëm për shkakun e trafikut të narkotikëve. Përveç përfshirjes në trafikun ndërkombëtar të kokainës, për të cilën e fajësojnë francezët, policia dhe prokuroria shqiptare gjithnjë e kanë dyshuar edhe për një aktivitet të pastër kriminal në fushën e vrasjeve, ndonëse në asnjërën prej tyre nuk kanë mundur kurrë ta gjejnë një provë të vetme që ta implikojnë emrin e Konjarit.
Lista e vrasjeve të tij për policinë nis me 28 gusht të vitit 1998 kur u ekzekutua Gentian Dervishi i njohur me nofkën “Gent Kadaifi” pranë “Shkollës së Kuqe”. Më pas emri i Konjarit, del në vrasjen e ndodhur në 2003-in në qytetin Renne të Francës, ku u vra Erjon Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Për të vazhduar më pas, me ekzekutimin e 3 gushtit 2005 në kryeqytet ku është vrarë Fatjon Naxhaku. Po kështu renditen edhe një sërë hamendësimesh të tjera që lidhen të gjitha me Konjarin autor ekzekutimesh, siç tashmë edhe për vrasjen e Devi Kasmit!
Diskutime rreth kësaj post