Nga Skënder Minxhozi
Problemi i çdo proteste është ajo që ndodh kur fjalimet mbarojnë dhe kur oratorët duhet t’i gjejnë një fund sa më dinjitoz finales së tubimit. Dhe kur vetë protesta është shitur tek opinioni publik si “nëna e të gjitha protestave” (ku do të futeni në 27 janar?!), sfida bëhet edhe më e vështirë.
Protesta e 27 janarit filloi dhe mbaroi brenda 90 minutave, si çdo protestë e ngjashme në një vend të qytetëruar. Një meritë e opozitës që protestoi në paqe dhe e shtetit që nuk tregoi muskujt. E parë si ngjarje “kronike”, protesta ishte një sukses i padiskutueshëm. Tirana kaloi një fundjavë të zhurmshme, por asnjë xham nuk u thye. Mijërat që erdhën në paqe, ikën të qetë.
Megjithatë Lulzim Basha e Monika Kryemadhi nuk i mblodhën përkrahësit e tyre poshtë zyrës së kryeministrit, vetëm për të treguar se janë liderë politikë që nuk mbështeten tek dhuna. Në një vend ku godina e qeverisë është shënjestruar me antitank, apo ku janë vrarë njerëz, kjo është medoemos një meritë. Por protesta e sotme kërkonte para së gjithash të ofronte një sfidë shifrash ndaj Edi Ramës. Tentohej të jepej edhe grafikisht idea madhore se tashmë Rama nuk gëzon më mbështetjen popullore dhe se qeveria e tij është një ishull i rrethuar nga një oqean zemërate dhe urrejtjeje politike. Këto teza Basha dhe Kryemadhi kanë javë që i përçojnë nga mëngjesi në darkë, sa në media, parlament, apo në turet që kanë ndërmarrë së fundi nëpër qytetet e Shqipërisë.
Le të jemi të qartë dhe të pranojmë atë që e panë të gjithë: kjo tentativë nuk pati sukses. Vërshimi jo impresionues i njerëzve në bulevard, ishte më shumë një manifestim politik i opozitës, sesa një protestë popullore që transmeton pakënaqësinë masive kundër qeverisë. Një protestë e zakonshme, siç janë parë të tjera në të shkuarën.
Dy parti që kanë marrë, njëra 460 mijë vota, e tjetra mbi 220 mijë në 25 qershor, shoqëruar nga një listë siglash të tjera politike, nuk e kanë të vështirë të thërrasin përkrahësit e tyre me autobusa, makina, lista e telefonata, për një orë manifestim poshtë zyrës së kryeministrit. Në Shqipërinë e sotme të celularëve e internetit dhe me rrugët kryesore të shtruara, kjo është një ndërmarrje jo e vështirë. Të njëjtat mjete informimi të cilat nuk të lenë të gënjesh as për shifrat e pjesëmarrjes, as për sasinë e njerëzve në të gjithë gjatësinë e bulevardit. Në epokën e dronit nuk është e lehtë të shtosh zerot e protestuesve.
Protesta e 27 janarit nuk është apogjeu i opozitarizmit, megjithëse u shit si e tillë nga ata që e organizuan. Për pasojë, duke mos qenë e jashtëzakonshme nga përmasat, është e vështirë që të provokojë edhe pasoja të jashtëzakonshme. Opozita doli e kompaktësuar kundër qeverisë, duke kërkuar rënien e kabinetit Rama dhe krijimin e nje qeverie të re. Ky është një fakt që duhet ta marrim shënim edhe formalisht si një ngjarje që u prodhua sot në bulevard.
Sa për ambicjet e rrëzimit të qeverisë nga “dallga opozitare”, kjo është një gjë që duhet të presë ende një tjetër moment. Opozita erdhi dhe iku brenda një ore e gjysëm, në vendin ku një vit më parë ngrinte një çadër katërmujore. “Lesson learned” (leksion i mësuar) siç tha të premten Berisha në televizion.
Diskutime rreth kësaj post