“Sot vdes 25 qershori. Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarit.
Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria i ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës”.
Kështu tha kryedemokrati Lulzim Basha, në protestën e sotme të opozitës, duke deklaruar se sot qytetarët kanë zgjedhur të mos vuajnë thellë e më thellë por të luftojmë të keqen.
“Bëjeni Edi Ramën ta dëgjojë mesazhin tuaj tani, Rama ik! Edhe ju nga Skënderbeu më fort”, deklaroi Lulzim Basha, duke ju drejtuar protestuesve.
Ai tha se sot shqiptarët janë më shumë se me 18 shkurt por edhe ata që qëndruan larg, e shohim qartë se e keqja është e vërtetë.
Sipas tij, e keqja nuk ikën po nuk u luftua dhe se e keqja nuk ikën po nuk u bashkuam të gjithë kundër saj.
Basha, shtoi më tej, se shqiptarët janë bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim: Për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës!
Lideri i opozitës tha se shqiptarët janë bërë bashkë për të shpallur solemnisht se nuk e pranojnë më këtë bandë që i shërben vetëm interesat plaçkitëse të një grushti njerëzish të pasuruar duke vjedhur shqiptarët dhe duke e shndërruar vendin në çerdhe të krimit të organizuar dhe drogës.
Basha tha se, çdo e keqe, nga varfëria tek falimentimi, nga pasiguria tek depresioni, nga papunësia tek eksodi, nga taksat e larta tek çmimet e papërballueshme, nga shpërfillja tek arroganca, të gjitha, burojnë nga një e keqe e madhe: zgjedhjet e blera, qeveria e paligjshme.
Në këtë linjë shtoi se Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta.
“Sa më shumë ta lemë, aq më keq do të jetë për vendin, për të gjithë shqiptarët.
Ndaj sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e qeverisë së paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme. Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste”, u shpreh Lulzim Basha.
Ai tha se me këtë protestë, me këtë demonstrim , opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë, Shqipëria ka një raport të ri të forcave politike, një raport të ri mes qytetarit dhe pushtetit.
“Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë, ta largojmë.
Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama ik. At Zef Pllumi na mësoi se i mjerë është ai popull që nuk ia del me i zotnue bijtë e vet të këqij. Shqipëria ka patur bijtë e saj të këqij, por edhe mes tyre pak kanë qenë ata që vunë në jetë projekte kaq antikombëtare për pushtetin e tyre. Kjo po ndodh sot”, deklaroi kryedemokrati.
Lideri i opozitës shtoi në vijim, se në Shqipëri po zbatohet një projekt antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë dhe se për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur.
Basha tha se Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë dhe se vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave.
Në këtë linjë shtoi se, vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës.
“Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës. Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.Vetëm në Afganistan ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës”, deklaroi Lulzim Basha.
Ai tha se kjo bandë po e realizon projektin e saj për pushtet absolut duke kërkuar të arrijë:
përqendrimin në pak duar të pushtetit politik dhe ekonomik të vendit; Eksodin e shqiptarëve, zbrazjen dhe shkretimin e Shqipërisë; Izolimin ekonomik dhe politik të vendit, që askush mos ta konkurrojë apo rrezikojë pushtetin e tij.
Lulzim Basha deklaroi se pasuritë publike dhe fondet publike i rrëmbejnë oligarkët, me Partneritet Publik Privat, me koncesion, me korrupsion.
Sipas tij, qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite, duke thënë se ky është dëbim dje nuk është lëvizje e lirë, por nënvizoi se “Shqipëria kështu vdes”.
Ai nënvizoi se integrimi në Europë u sabotua, sepse futja në Europë është rrezik për pushtetin politik dhe kriminal të kësaj bande.
Basha tha se mafia në pushtet shet çdo ditë të zezën për të bardhë dhe sulmon këdo që e sheh të zezë dhe se bën propagandë me para droge që tu mbushë mendjen shqiptarëve se policia bëhet duke veshur kriminelët me uniforma firmato policie.
“Shqiptarët e kanë kuptuar se drejtësia nuk është një copë letër dhe fjalë në ajër, por ndëshkim i vërtet për peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit. Shqiptarët e dinë se në Shqipëri nuk ka drejtësi sa kohë Saimir Tahiri dhe qeveritarët e tjerë të lidhur me drogën dhe krimin janë në pushtet dhe jo në burg”, deklaroi Lulzim Basha.
Ai shtoi se shqiptarët e kuptojnë se në Shqipëri nuk luftohet krimi, kur kokat e drogës dhe të organizatave kriminale bredhin të lirë dhe kur paratë e drogës nuk i pengon askush të hyjnë në ekonomi.
“Nga ky shesh zëri ynë është i qartë: Ne duam drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë. Ne e duam Saimir Tahirin para drejtësisë, pa imuniteti, i duam ministrat dhe politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin në burg. I duam kriminelët e drogës, të trafikut të qenieve njerëzore, të gjobvënies dhe shantazheve në burg. Sepse duam një qeveri të lirë nga krimi dhe nga oligarkia”, deklaroi kreu i opozitës.
Nuk e kërkojmë Europën duke kërcënuar, nuk e kërkojmë Europën duke shantazhuar, tha Basha, por se Europa kërkohet sepse jemi të aftë, plot besim dhe të jetojmë dhe punojmë me nder dhe me mund si të gjithë europianët.
Ai tha para protestuesve se strategjia e opozitës, është përballja me gjithë sa kanë në dorë, kundër kësaj të keqe që ka pushtuar vendin dhe se kjo është strategjia.
“Për ata që pyesin se çfarë doni të arrini? Përgjigja është vetëm një fjalë: Fitore dhe vetëm fitore, sa do e gjatë dhe e mundimshme të jetë rruga e saj”, deklaroi qytetarë, duke i ftuar që të bashkohen në betejën pa kthim. /
Diskutime rreth kësaj post