Në një intervistë për mediat serbe dhënë gjatë qëndrimit në samitin e Davosit në Zvicër, kryeministri Rama është provokuar nga një gazetar serb, i cili u shpreh se Serbia është më pranë BE-së se Shqipëria.
Rama nuk e ka mohuar këtë, duke e konsideruar një “garë të dobishme”, por ka kujtuar se Beogradi duhet të njohë Kosovën.
“Është një proces i bazuar tek merita dhe ndërsa flasim Serbia është më përpara. Serbia tashmë është duke negociuar dhe ne jemi duke pritur me padurim të nisim negociatat këtë vit. Por është një garë e shëndetshme, le të themi.
Po. Ne duam shumë të kemi një ecuri shumë më të shpejtë, le të themi, dhe pse jo të jemi thjesht në të njëjtën pozitë në të ardhmen dhe pse jo të hyjmë në BE së bashku, me presupozimin që Serbia të njohë Kosovën” , tha Rama.
Rama është pyetur edhe mbi fjalimin që pritet të mbajë presidenti amerikan Donald Tramp në këtë samit.
“Po. Po pres me kuriozitet të dëgjoj Presidentin dhe jam shumë shpresëplotë që, përsëri, ajo çfarë thashë për Europën është e njëjtë për SHBA-në, janë dy aleatët e mëdhenj strategjikë të Shqipërisë, por janë dy faktorë të mëdhenj, unë mendoj, në të gjithë rajonin.
Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të luajnë një rol strategjik në rajonin tonë, si edhe shtetet vetë të ecin drejt një të ardhmeje më të mirë” , tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post