7-vjetori, xhaxhai i Aleks Nikës që u vra para Kryeministrisë: Adriatik Llalla fshehu provat, Gjykata e Strasburgut urdhëron hapjen e dosjes, SHBA-BE na kanë premtuar ndihmë, shpresë edhe tek Byroja e Hetimit.
Largimi i kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe emërimi i kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, me mbështetjen e fortë të SHBA-BE, ka zgjuar shpresat tek familjarët e viktimave të 21 Janarit, për hapjen e dosjes dhe rinisjen e hetimeve, për urdhëruesit e vrasjeve, ekzekutuesit, penguesit e drejtësisë dhe manipuluesit e provave.
Në 7-vjetorin e masakrës në bulevard, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i vrarë para Kryeministrisë, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, i dha një mesazh kryeprokurores së përkohshme Arta Makut. Teksa shpreh besimin tek kryeprokurorja e re, Nika i kërkon zonjës Marku që të zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila ka urdhëruar drejtësinë shqiptare që të hapë dosjen.
Nika akuzoi ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla se ka zvarritur hetimet si dhe fshehur provat për vrasjen e Alekstit, për shkak, sipas tij, të një aleance me Partinë Demokratike dhe Gjykatën e Lartë. Marku tha se familjarët e Aleksit presin me shpresë edhe ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, duke iu referuar Byrosë së Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Xhaxhai i Aleks Nikës rrëfeu edhe komunikimin me ambasadorët e Perëndimit në Tiranë për këtë çështje.
-Z. Nika, 7 vjet hidhërim, shpresa, zhgënjime, fyerje nga politika dhe përballje me murin e drejtësisë. Si ndiheni sot?
Kanë kaluar 7 vite që kur forcat e Gardës së Republikës, të komanduara nga Sali Berisha, vranë katër qytetarë të pafajshëm me duart në xhepa, Aleksin me shokët e tij. Neve na janë zgjuar të njëjtat emocione. E njëjta dhimbje.
Ky krim shtetëror nuk është ndëshkuar. Mosndëshkimi është një krim i dytë. Faktet e hedhura në media janë të mjaftueshme për të ngritur akuza ndaj udhëtuesve dhe ekzekutorëve të kësaj masakre. Ne kemi konstatuar që Prokuroria e Përgjithshme, e cila drejtohej nga ish-kryeprokurori Llalla, ka lejuar me ndërgjegje të plotë fshehjen dhe manipulimin e provave. Ky ka krijuar tek ne shqetësimin dhe bindje se përhershëm se prokuroria ka punuar për ta arkivuar përjetësisht këtë çështje.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë, falë aleancës së tyre kriminale, arritën që t’i kthenin vrasjet kriminale në vrasje nga pakujdesia. Sipas prokurorisë vrasja e Aleksit nuk provohet, ndërkohë që, është provuar nga ekspertimi i FBI se, plumbi që i mori jetën Alekstit ka dalë nga arma e ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi. Këta nuk përfillin ekspertizën e FBI se janë mësuar që t’i bëjnë ekspertizat vetë, për të shpëtuar nga drejtësia. Kanë kaluar 7 vite dhe krimi që kanë parë mijëra njerëz drejtpërdrejt nuk është ndëshkuar, për shkak se përgjegjësit deri më tani kanë kontrolluar Prokurorinë dhe gjykatat. Kjo është shumë e rëndë, jo vetëm për ne, por edhe si shoqëri, si komb.
-Megjithatë, ky 7-vjetor përkon me zgjedhjen e një kryeprokurori të ri, që ka mbështetjen e plotë të SHBA-BE. A keni besim se Arta Marku do të hapë dosjen? A keni një mesazh për zonjën Marku?
Unë akuzoj sot publikisht ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla për zvarritje të qëllimshme të hetimeve për vrasjen e Alekstit. Llalla ishte politikisht dhe juridikisht i kapur nga Partia Demokratike. Me veprimet e tij, ai rehabilitoi krimin e kryer nga Garda e Republikës, duke na bërë që të humbasim besimin tek drejtësia. Edhe mazhoranca duhet të ishte treguar më e vendosur për ta shpërbërë këtë aleancë kriminale mes Llallës, PD dhe Gjykatës së Lartë. Nuk duhet të kishte pritur mbarimin e mandatit, për zëvendësimin e Llallës me Arta Makun, të cilën nuk e njohim.
Markun nuk e njohim, por kemi të dhëna se Arta Marku është e pandikuar nga politika dhe se ka mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, ne kemi besim se, zonja Marku do t’i rishqyrtojë kërkesat tona të vazhdueshme dhe do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila urdhëron drejtësinë shqiptare të hapë dosjen.
Mesazhi ynë për zonjën Marku është ky: Zbato vendimin e Gjykatës së Strasburgut për këtë çështje. Zbato vetëm ligjin. Se kush janë vrasësit, këtë e ka përcaktuar ekspertiza, e kanë përcaktuar pamjet filmike, ka dëshmitarë etj. Se kush janë urdhëruesit, kjo del nga ligjet dhe rregullat që ishin atëherë. Kjo del edhe nga deklaratat e tyre publike.
-Gjatë vitit 2018, mund të ngrihen edhe disa organe të reja të drejtësisë si Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale. Sipas ligjeve, çështja e 21 Janarit kalon në kompetencë të këtyre organeve. Ndërkohë që, të gjithë gjykatësit dhe prokurorët duhet që të kalojnë Vetingun. Pra, shumë ndryshime po ndodhin. Do t’i vini në lëvizje këto organe?
Ne kemi besim të fortë se, Byroja Kombëtarë të Hetimit, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, që jo vetëm çështjen e Aleksit, por edhe të tjerëve, do t’i hetojë me profesionalizëm dhe paanshmëri.
Besimi ynë buron nga angazhimi i SHBA-BE për t’i ngritur këto organe. Tek këto organe ne do të denoncojmë edhe fyerjen që Ilir Meta i ka bërë Aleksit pas vdekjes, duke i thënë kokëpalar, akt ky antinjerëzor dhe që bie ndesh edhe me traditën tonë. Ne do të denoncojmë edhe Sali Berishën si komandanti real i gardës në 21 Janar.
-Keni kontakte me përfaqësues të qeverisë? Si i keni raportet?
Në vazhdimësi ne kemi ndjerë nga afër kujdesin e aparatit të qeverisë aktuale, jo vetëm për familjen tonë. Ka një interesim njerëzor nga qeveria, sidomos nga kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, për fëmijët e Aleksit. E kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë këtë akt të qeverisë, për të jetësuar kujtimin e të vrarëve në protestën popullore të 21 Janarit.
Të gjitha këto na e lehtësojnë dhimbjen tonë. Por, asgjë nuk e zëvendëson drejtësisë. Drejtësi do të thotë të zbardhet e vërteta e plotë dhe përgjegjësit të marrin ndëshkimin e merituar ligjërisht. Ne nuk kemi kërkuar dhe as nuk do të kërkojmë kurrë që kryeministri të bëjë prokurorin dhe gjyqtarin. Ne kemi kërkuar që kjo qeveri të krijojë kushtet për një drejtësi pavarur. Duam një drejtësi që të mos komandohet nga politika.
Ne i besojmë vetëm një drejtësie të pavarur, që shqyrton heton dhe shqyrton provat me profesionalizëm.
-Çfarë u kanë premtuar apo thënë ambasadorët e Perëndimit në Tiranë për këtë çështje, gjatë kontakteve dhe takimeve që keni pasur?
Ne kemi kontaktuar ambasadorë të Perëndimit në Shqipëri. Ata na kanë thënë në vazhdimësi që “kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare, por do të ushtrojmë presion për të zbardhur çështjen”.
Ata nuk mund të ndërhyjnë në këtë punë, por na kana garantuar se mund të sjellin ekspertët më të mirë nga BE dhe SHBA për të ndihmuar drejtësinë e re shqiptare për zbardhjen e çështjes. Sot, në 7-vjetorin e tragjedisë, në emër të familjes Nika, kam vetëm një mesazh: Gjaku i Aleksit nuk do të bëhet kurrë ujë. Edhe për shkak të traditës, ne nuk do të bëhemi kurrë gjakhumbës.
Mesazhi
“Sot, në 7-vjetorin e tragjedisë, në emër të familjes Nika, kam vetëm një mesazh: Gjaku i Aleksit nuk do të bëhet kurrë ujë. Edhe për shkak të traditës, ne nuk do të bëhemi kurrë gjakhumbës”.
Kërkesa
“Mesazhi ynë për zonjën Marku është ky: Zbato vendimin e Gjykatës së Strasburgut për këtë çështje. Se kush janë vrasësit, këtë e ka përcaktuar ekspertiza, e kanë përcaktuar pamjet filmike, ka dëshmitarë etj”.
Diskutime rreth kësaj post