Alma Frroku dhe Elda Frroku, dy motrat nga Lezha qe u vrane ne Zvicer,u percollen per ne banesen e fundit ne Lezhe.
Besmir Frroku, djali i xhaxhait të viktimave, duke folur për vrasjen e dyfishtë nga bashkëshorti i Almës, Rruzhdi Buzhala, 54 vjeç nga Kosova, ngre supet kur vjen puna për motivin.
Besmiri tregon se ka qenë për vizitë në familjen e tyre gjatë festave të fundvitit dhe nuk ka vërejtur asnjë mosmarrëveshje në çift, që mund të çonte drejt një akti të tillë.
“Dhimbja për familjen tonë është e madhe, veç urojmë që Zoti të na japë forcë për ta përballuar. Ne nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti, që të kishte përmasa të tilla, pasi unë vetë kam qenë në Zvicër për pushime këtë fundvit, isha edhe për drekë dhe nuk konstatova asnjë problem që mund të kishin ata si çift në familje, ndaj nuk di t’i jap as emër e as shpjegim asaj që ka ndodhur”, shprehet ai.
54- vjeçari Buzhala u arrestua menjëherë nga Policia zvicerane pak pasi kishte qëlluar për vdekje me thikë gruan e tij dhe kunatën. Familja e dy vajzave në Lezhë thotë se ia lë gjithçka në dorë drejtësisë duke përjashtuar mundësinë e një hakmarrjeje të mundshme.
“Familja jonë ka shprehur vendimin e arsyeshëm për t’ia lënë drejtësisë dhe zotit për të gjykuar mbi autorin dhe sigurisht, ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi për hakmarrje” thotë Besmir Frroku.
Për të sjellë trupat e dy motrave në vendlindje, familjarëve u kanë ardhur në ndihmë disa familje zvicerane që jetonin pranë 38-vjeçares Alma Frroku, qeveria e këtij vendi si dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
“Gjej rastin të falënderoj disa familje zvicerane, qeverinë zvicerane dhe Ministrinë e Jashtme për ndihmën e dhënë për të na lehtësuar dhimbjen, me sjelljen në Shqipëri të dy motrave tona në një kohë shumë të shpejtë”, shprehet djali i xhaxhait të dy viktimave. Pritet që autoritetet zvicerane të mbyllin hetimet për të hedhur më shumë dritë mbi atë që ndodhi në Zvicër, më 8 janar.
Motra e Almës, Elda kishte shkuar nga Franca në Zvicër për të vizituar motrën e saj me rastin e festave të fundvitit, por gjeti vdekjen e dhunshme së bashku me të motrën, në rrethana ende të paqarta.
Rezultati i autopsisë ka zbuluar se 38-vjeçarja ka ndërruar jetë nga një goditje e vetme me thikë, ndërsa motra e saj, Elda, kishte tri plagë në pjesën e gjoksit. Autori, 54-vjeçari Buzhala, i cili la të vdekura në vend dy motrat duke i qëlluar me një thikë kuzhine, mësohet se jetonte me pension invaliditeti dhe Alma Frroku ishte gruaja e dytë pasi më parë ishte divorcuar nga gruaja nga Kosova.
Diskutime rreth kësaj post