Nga Flogert Muça
Viti që sapo lamë pas ishte padyshim një vit i ngjeshur për politikën. Ndoshta më i ngjeshuri në këto vite pluralizëm, ku u vunë në rrezik zgjedhjet dhe njëkohësisht reforma në drejtësi. Fitues i të dyja betejave siç dihet, doli Edi Rama, i cili ka tanimë mbi shpatulla të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes i vetëm dhe nuk ka asnjë justifikim në 2021-shin përballë qytetarëve që do votojnë.
Nga ana tjetër, Basha pati një vit edhe më të vështirë, sepse ishte humbësi. Kulmi i aksionit të tij politik ishte çadra e cila për pak sa nuk i rrëzoi zgjedhjet dhe reformën në drejtësi. Një marrëveshje mbrëmjen e 18 majit mes tij dhe Edi Ramës shpëtoi gjithçka, por futi Bashën në një luftë akoma edhe më të vështirë nga ç’ishte brenda Partisë Demokratike pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e 25 qershorit. Kjo luftë shkoi deri aty sa Basha ngriu pozitat e tij në krye të PD dhe zhvilloi zgjedhje brenda saj, të cilat edhe pse u kontestuan dhe u konsideruan si fasadë, bënë që Basha të mbajë sërish drejtimin e partisë, një partie tanimë të zvogëluar në numra dhe të përçarë në themel.
Ndërkohë partia e tretë e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit me më shumë mandate , LSI, për herë të parë pas tetë vitesh në pushtet, e pa veten në opozitë. Ajo u ndje e tradhëtuar nga Edi Rama i cili arriti të fitonte i vetëm. Nuk vonoi shumë dhe gjeti ngushëllim të Partia Demokratike, që në fakt kishin kohë që punonin bashkë kundër reformës në drejtësi me “çadrën” që bllokonte vettingun poshtë tavolinës.
Në makro kjo ishte ajo që ndodhi me politikën në vitin 2017 dhe çdo gjë pas këtyre ishte pasojë e këtyre momenteve. Edhe këpuca e Monikës ashtu si dosja “Habilaj” ishin dhe janë pjesë e planit politik të kampit opozitar i cili këtë muaj ka paralajmëruar se do të ketë një valë protestash.
Por, ku qëndron problemi i opozitës e cila me gjithë fuqitë e saj ka sulmuar qeverinë, por akoma nuk ka patur asnjë rezultat? Si ka mundësi që kemi një opozitë që dorëzohet duke sulmuar me çizme e flakadanë dhe nuk arrin të ngrejë frymë? Si është e mundur që një parti e vetme qeveris në një vend me kaq shumë halle dhe opozita nuk arrin të qullosë asgjë veç sulmeve të vjetra në vit të ri?
Në një shkrim të muajit nëntor të 2017-ës shkruaja se opozita ishte me duar në xhepa, njëlloj si opozita e Edi Ramës në mandatin e parë të Berishës të pas viteve 2000. Fatkeqësisht, opozita sot ka ndryshuar shumë pak nga opozita e para dy muajve. Ka ndodhur vetëm një ndryshim, sot ajo është me njërën dorë në xhep dhe tjetrën te këmba ku bëhet gati të heqë këpucën, por prapëseprapë shumë larg duarve që mund t’i japin një dorë për të bërë opozitë siç duhet.
Sot pra, PD dhe LSI janë shumë larg qytetarëve. Ato po largohen çdo ditë e më shumë nga qytetarët, sepse kanë zgjedhur të merren me hallin e tyre personal dhe jo me hallin e qytetarëve. Paradoksalisht këtë e bën Edi Rama, i cili edhe pse në krye të qeverisë zhvillon aksione prej opozitari duke”qarë hallet” dhe premtuar zgjidhje. I tillë ishte edhe rasti i emisionit të fundvitit ku Rama nga studioja e Ardit Gjebresë tha se e dinte se sa shumë halle ka Shqipëria ndaj po dhe do të punonte çdo ditë për të përmirësuar shumë hallka të jetës së shqiptarëve. Ndërkohë që këtë duhet ta bënte Lulzim Basha, si për ironi të fatit ai ndodhej në Stamboll duke festuar ditëlindjen super luksoze e një oligarku të cilin pa emër bën sikur e sulmon vazhdimisht. Monika? Ajo ishte në një emision në TCH, me duart në para, të cilat nëse do i fitonte, betohej se do t’i çonte për bamirësi.
Është pikërishte ky problemi i madh i opozitës. PD dhe LSI mendojnë se do të tundin themelet e qeverisë duke sulmuar Ramën nga selitë e partive respektive e duke mos njohur realitetin në çdo qytet e fshat.
Akoma PD dhe LSI mendojnë se duke sulmuar SHBA/BE për hallin e tyre do të mund të vënë edhe shqiptarët kundër perëndimit.
Akoma mendojnë se duke bërë luftën e tyre do të mund të bindin shqiptarët t’i ndjekin në protesta.
Dhe ç’është më kryesorja, akoma mendojnë se do të mund të mbledhin njerëz në shesh pa kërkuar një ndjesë të madhe për atë që kanë bërë keq në kohën kur ishin ata në pushtet. Sepse ajo kohë nuk është e largët dhe shqiptarët e dinë se me kë kanë të bëjnë.
Opozita nga selia e partisë është opozita që të siguron dështimin e plotë. Nëse nuk dalin nga kurthi ku kanë rënë, PD dhe LSI do e kenë rrugën gjithnjë e më të ndarë nga qytetarët.
Diskutime rreth kësaj post