Është ndarë nga jeta gazetari i njohur shqiptar Guro Zeneli.
Lajmin e trishtë e ka shpërndarë në rrjetet sociale miku i tij, gazetari Albert Zholi.
“Humbje E MADHE…! Ndërron jetë GURO ZENELI, një prej gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve më në zë për vendin.
Njeri korrekt, serioz, vizionar dhe shumë patriot. Lamtumirë miku i gazetarëve shqiptarë!”, shkruan gazetari Albert Zholi në rrjetet sociale.
Kush ishte Guro Zeneli
Lindi në Fterrë, ku kreu arsimin fillor. Shtatëvjeçaren e mbaroi në Kuç. Shkollën e mesme pedagogjike e përfundoi në Tiranë. Në vitet 1960-1964 përfundon studimet në UT në degët Gjuhë e Letërsi Shqipe dhe Pedagogji e Psikologji.
Për shumë vite ka punuar si mësues dhe si pedagog i jashtëm në shkollat e larta, si drejtues rinie në rrethin e Vlorës, ka qene drejtor i shtëpisë së kulturës në Sarandë dhe në vitet 1982-1988 ka punuar në administratën e lartë të shtetit, pranë Presidentit të Shqipërisë .
Për rreth 18 vjet ka punuar e drejtuar në shtypin lokal dhe atë qendror. Veç kësaj, është shquar si bashkëpunëtor në shtypin e përditshëm e periodik dhe në radio e televizion. Është autor i disa skenarëve për dokumentarë televizivë.
Në vitin 1978 nxori në dritë librin humoristik “Pa mua rrethi ngec në vend”. Në vitin 2004 botoi librin “Ne të lam, po Ti s’na le,/ Se Ti vjen, ku vemi ne…”, kushtuar Fterrës, po dhe më gjerë, ku janë përmbledhur memorje, skica, meditime, mënçuri, portrete, intervista, reportazhe e kumtime kushtuar fshatit të lindjes e bijeve të tij.
Diskutime rreth kësaj post