Tre muajt e fundit të një lufte të gjatë të dy ambasadorëve për Reformën në Drejtësi. Bilanci i qëndrimeve dhe roli i tyre përballë sulmeve dhe pengesave që iu erdhën majtas dhe djathtas, në prag të ngritjes së SPAK dhe BKH
Nga Sebi Alla
Përqafimi në lozhën e Parlamentit mes ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin, ishte epilogu i një fundi seriali me dy episode në lidhje me Reformën në Drejtësi. Të 140 deputetët e parlamentit, me dhe pa dëshirë, në të gdhirë të 22 korrikut 2016 votuan pro ndryshimeve kushtetuese që i hapnin rrugë shkundjes së sistemit të kalbëzuar të drejtësisë.
Gëzimi se gjithçka mori fund u tret shpejt, kur palët u përplasën për aktet ligjore dhe nënligjore që duheshin miratuar për të funksionuar e gjithë reforma në tërësi. Së fundmi, me interes të lartë është shfaqur çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri të përkohshëm.
Ambasadori Lu, me shqipen e ngadaltë, por fort të kuptueshme, ishte i qartë kur u shpreh se mbështeste nismën për zgjedhjen e një kryeprokurori të ri të përkohshëm me shumicë të thjeshtë votash, çka nënkupton se në krye të institucionit të akuzës mund të vinte një personazh i cili mjaftohej vetëm me kartonët jeshilë të deputetëve të Partisë Socialiste.
Material i mjaftueshëm që opozita, PD dhe LSI, të dilnin hapur kundër ambasadorit, duke e cilësuar një hakmarrje e diplomatit amerikan kundrejt kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe si një thikë pas shpine për Reformën në Drejtësi. Lu nuk ka hezituar të kundërpërgjigjet, duke gjetur formë satirike për të thumbuar haptas ish-kryeministrin Sali Berisha.
Drejt SPAK
Lajmet e mira përveç zymtësisë së garantuar që ofron politika konfliktuale vijnë nga çështja e Reformës në Drejtësi.
Po plotësohen vendet që i përkisnin shoqërisë civile për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, veçanërisht KLP dhe SPAK, çka mendohet se deri në muajin mars të vitit të ardhshëm Prokuroria e Posaçme do të jetë ngritur dhe roli i kryeprokurorit të ri të përkohshëm mund të jetë krejt pa ndikim, kur në nisje të pranverës do zgjidhet kryeprokurori i ri me mandat të plotë 7-vjeçar.
Dihet që SPAK do të “merret” vetëm me zyrtarët e lartë dhe dora e SHBA-së në këtë sektor do të jetë vendimtare.
Me gjithë oscilacionet, gjykimet për anësi apo kapërcim të kompetencave, Donald Lu dhe Romana Vlahutin ia kanë dalë që në sytë e opinionit publik të konsiderohen si mbështetësit dhe shtytësit e vërtetë të miratimit dhe më tej zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Lu e Vlahutin, “violina” të para, jo vetëm te Reforma
Dekriminalizimi është një tjetër arritje që nisi me iniciativën e opozitës dhe që u mbështet rrugës me mjaft forcë nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin.
Sulmet, herë të buta e në disa raste të acaruara, ambasadorët Lu dhe Vlahutin nuk kanë vetëm nga opozita. Në procesin e dekriminalizimit, ai ishte i qartë kur me emër e mbiemër përmendi njerëz të dyshuar me rekorde kriminale nga pjesa e mazhorancës, duke nisur nga parlamentarë e përfunduar me kryebashkiakë.
Dy protagonistët e padiskutueshëm të lëvizjeve politike në vend, Lu dhe Vlahutin, janë në fundin e mandatit si ambasadorë, por hapën rrugën e një fillimi ndryshe që në vende të vogla si Shqipëria kur palët nuk merren vesh mes tyre, roli i përfaqësuesve diplomatik është mjaft i madh, në disa raste edhe vendimtar.
Reforma në Drejtësi kishte artikulimin e shpeshtë të kryeministrit, sidomos pas fundit të mandatit 4-vjeçar pa balance pozitive, por përpjekjet më të mëdha dhe të vërteta për Reformën në Drejtësi ishin të përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së në vend.
Ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT hartuan thuajse pjesën më të madhe të ligjeve të Reformës në Drejtësi, ndërsa “zëri” i tyre si shtysë politike ishte i ambasadorit amerikan Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin. Nuk mund të harrohen takimet e shpeshta dhe të gjata të “çiftit diplomatik” Lu-Vlahutin përgjatë fazës finale të Reformës në Drejtësi.
Bridhnin gjithë kohën në takime me katërshen Rama-Basha-Berisha-Meta, deri në momentin kur 140 deputetët shënuan historinë duke rënë dakord për diçka që kishin kohë që ndaheshin. Më pas Lu e Vlahutin nuk shijuan pushimet e gjata të verës, pasi kishin jo pak punë me “puçin” që po përgatitej kundër kësaj reforme nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Të ndodhur ngushtë, edhe nën presion diplomatik, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese rrëzuan një e nga një pretendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët objekt qendror anatemimi kishin ligjin e vettingut. Edhe ajo betejë u konsiderua e çuar deri në fund, madje me fitore.
Pa llogaritur këtu edhe rolin e dy diplomatëve në zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti. Ndonëse në vendin tonë mbërritën personalitete të larta të BE-së dhe SHBA-së, platforma në tërësi e një marrëveshjeje politike Rama-Basha, ishte shtruar më parë nga dy ambasadorët.
Me këtë axhendë të ngjeshur, mbetet pa përgjigje pyetja se përse ambasadorët nuk ishin po kaq aktivë në çështjen e përhapjes së kultivimit të kanabisit.
Donald Lu ka folur për të në nëntor të 2016 duke kërkuar nga qeveria që të bëjë me shumë, por në bashkëbisedimin që ai kishte në atë kohë me ndjekësit në facebook, 20 qytetarë që e pyetën kërkonin të dinin se përse nuk ishte prononcuar më parë. Ndërsa shumë e ashpër ka qenë opozita me mungesën e Vlahutin për kanabisin, deri në shtator të këtij viti, kur ajo deklaroi se lufta ndaj drogës është kusht për integrimin në BE.
Goditjen më të madhe ndaj qeverisë e solli vjeshta, kur ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, po hetohet nga prokuroria pasi një grup trafikantësh droge në Itali përmendin emrin e tij në bisedat telefonike. Për këtë rast ambasadori amerikan ka kërkuar hetim të paanshëm, duke ruajtur trajektoren e tij të fortë si në qëndrimin për arrestimin 4 klanet dhe 20 familjet mafioze që drejtojnë Shqipërinë, ndërsa ish-ministri i Brendshëm e replikoi.
Në ligjëratat e tij Lu do të mbahet mend si një ambasador që vetëm me dorashka diplomatike nuk ka folur, gjithnjë i drejtpërdrejtë dhe artikulues rekord i fjalës: “burg për politikanë e zyrtarë të korruptuar”.
Kryeprokurori që zgjoi opozitën
Kryeprokurori i ikur Adriatik Llalla, që në situatën aktuale vetëm hap e mbyll zyrën se ashtu e thotë ligji, këtë fillim vjeshte nuk doli në media për të përmendur frazën e tij të përhershme: “kemi dosje të rëndësishme të zyrtarëve të lartë, ministra dhe ish-ministra nën hetim”.
Mandati i përfundoi më 7 dhjetor të këtij viti, ndërsa mbante shpresa duke u kapur pas interpretimeve kushtetuese se do të qëndronte në detyrë deri në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.
Me këtë mendim ishte edhe opozita që këmbënguli se kushtetuta ishte e qartë dhe nuk linte vend për interpretim, ku Llalla do mbante postin e kryeprokurorit deri në ngritjen e KLP-së.
Në mënyrë të njëanshme, Partia Socialiste nisi procedurat për hapjen e garës për një kryeprokuror të përkohshëm dhe doli e “larë” kur në ndihmë i erdhi qëndrimi i EURALIUS dhe OPDAT, teksa u shprehën se kushtetuta e ka përcaktuar se prokurori i përkohshëm mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash.
Nuk kaloi gjatë dhe ky lloj interpretimi u mbështet edhe nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Ish-kryeministri Sali Berisha ishte më i drejtpërdrejtë me të kur tha se “Ambasadori Lu është në ‘full conflict of interest’ (plotësisht në konflikt interesi, ndërsa shtoi se: “Zoti Lu ka dy probleme.
Së pari, do me çdo kusht që Adriatik Llalla të ikë, sepse Adriatik Llalla e ka akuzuar Zotin Lu shumë rëndë për korrupsion. Zoti Lu duhej t’i përgjigjej atij. Më butë, por me mesash të qartë, mbajti qëndrim kryedemokrati Lulzim Basha, që sipas tij nëse Rama miraton të hënën kryeprokurorin e përzgjedhur prej tij, atëherë kjo do të ishte fundi i Reformës në Drejtësi.
Më e drejtpërdrejtë në sulmet ndaj Ramës dhe ambasadorit Lu dolën përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Reforma në Drejtësi ecën përpara vetëm duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin tashme të reformuar. Kjo na duhet!
Kompromisi politik, që zhbën kushtetutën dhe ligjin, s’mund të jetë pazari i radhës, qoftë ky i bërë në shqip apo anglisht. Ky nuk na duhet”, -tha kryetari i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ndërsa më vonë do shtonte “Komisioni i ligjeve asgjëson 140 votat e kuvendit, që i vunë vulën Reformës në Drejtësi natën e 21-22 korrikut 2016. Reforma vdiq, rroftë reforma”.
Në fillim Lu qëndroi i heshtur, por kur u përmend rënia e reformës reagoi, qoftë edhe për të mbrojtur atë që në pjesën më të madhe e ndërtoi vetë. “Luftoj për reformën në drejtësi pasi është një përparësi e madhe për presidentin amerikan dhe sekretarin e shtetit.
Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar. Komisionet e vettingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë punuar shumë. Së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vettingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera në drejtësi, përfshi SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë.
Disa politikanë kanë thënë se “reforma në drejtësi ka vdekur”. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e rëndësishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur”, lëshoi mesazhin e qartë Lu.
Statura e kreut të shtetit nuk e lejon Ilir Metën që të shprehet hapur, si gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të qershorit, por mesazhin se çfarë mendon për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm dhe rolin e ambasadorëve e ka lënë të nënkuptohet.
“Si president unë dua të nënvizoj, derisa kemi të bëjmë me një çështje të rëndësishme të një institucioni kyç të drejtësisë, që duhet respektuar Kushtetuta dhe fryma e saj.
Është e rëndësishme që të ketë midis aktorëve kryesorë një dialog të shpejtë, të përgjegjshëm dhe të bazuar mbi standarde transparente për zgjidhjen e kësaj çështjeje, pasi çdo hap i njëanshëm nuk do t’i ndihmonte konsolidimit të pavarësisë së institucioneve dhe rritjes së besimit të institucionet e reja të drejtësisë”.
Mazhoranca mbylli procedurat e para për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm dhe të hënën pritet zgjedhja e tij në Kuvend
Ambasadorët Lu dhe Vlahutin janë në fundin e mandatit diplomatik, por në ikje diçka kanë lënë: të vlerësuar për një pjesë, të anatemuar nga të tjerë, por ajo që do të mbetet, ndoshta dhe në histori do të duket në pranverë, kur mekanizmi i reformës të ketë filluar lëvizjen.
Diskutime rreth kësaj post