Një ngjarje e rëndë ndodhi një ditë më parë, ku pronari i picerisë qëlloi me armë zjarri klientin. Dje u raportua se vrasja ndodhi pas sherrit sepse viktima debatoi me bashkëshorten e autorit për volumin e televizorit.
I vdekur mbeti 42-vjeçari Admir Llupo, ndërsa në pranga si autor i krimit është vënë Petrit Toromëni.
Burimet saktësuan se cdo gjë nisi pas një sjelljeje të dhunshme nga ana e 42-vjeçarit Llupo. Ai njihej edhe me një emër tjeter, Judmir Stambolliu.
Në lokalin që bëhen edhe pica, kanë qenë rreth 5-6 klientë, mes tyre edhe Llupo.
Mes këtij të fundit dhe pronarëve të lokalit debati ka nisur fillimisht pasi viktima sillej agresiv në lokal. Bashkëshortja e pronarit, I. Toromëni, i ka kërkuar 42-vjeçarit që të mos ia ngrinte zërin televizorit që ndodhej në ambientet e picerisë, pasi kjo gjë përbënte shqetësim për klientët e tjerë.
Por kjo nuk është marrë për bazë nga klienti Llupo. Përveç kësaj, 42-vjeçari ka nisur të bëjë ironi si dhe të ngacmojë me fjalë gruan 37- vjeçare. Si përgjigje, kjo e fundit i është afruar te tavolina ku ishte ulur dhe i ka marrë pultin e televizorit nga dora dhe është larguar.
Por, në këto momente, dyshohet se Admir Llupo e ka shtyrë atë. E gjitha kjo skenë është parë nga bashkëshorti i 37- vjeçares dhe më pas mes tij dhe 42-vjeçarit ka nisur një konflikt deri në konfrontim fizik. Fillimisht mes tyre ka pasur një sherr verbal, ndërsa më pas konflikti është përshkallëzuar në përplasje fizike.
Në gjaknxehtësi e sipër, pronari, Petrit Toromëni, ka shkuar në banesën e tij që ndodhet në katin e dytë të picerisë ku ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar mbi Llupon. Për pasojë ky i fundit mbeti i plagosur, ndërsa gjatë transportimit për në spital ndërroi jetë.
Në mungesë të kthjelltësisë dhe arsyes, Llupo pas debatit për zërin e ngritur të televizorit ka ngacmuar me fjalë e gjeste gruan e pronarit të lokalit, të cilën e kishte edhe kushërirë të largët.
Pas arrestimit të autorit, burrë e grua kanë deklaruar për policinë se ngjarja ndodhi e pamenduar dhe shkak u bë sjellja e papërgjegjshme e viktimës.
“Nuk e durova dot atë situatë. E duronim çdo natë që bënte si i tekej atij. Kishim menduar edhe të mos e pranonim fare më në lokal se ai bënte rrëmujë. Më preku në grua dhe mua më erdhi turp se aty ishin edhe 5 a 6 vetë të tjerë. Nuk e durova dot atë poshtërim, prandaj veprova. Nuk doja ta vrisja dhe e qëllova që të mos e vrisja, por ta trembja”, mësohet të ketë thënë për policinë autori i dyshuar.
Diskutime rreth kësaj post