Duke iu referuar dosjes së Katanias, ku emri i ish-ministri të Brendshëm Saimir Tahiri përmendet gjatë përgjimeve ambientale për dhurata, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ndaj tij masën që e ndalon për të lëvizur jashtë Shqipërisë.
Ky vendim i gjyqtares Liljana Baku ka sjellë njoftimin e menjëhershëm te pikave kufitare, ndërsa pritet që të bllokohen edhe pasaporta dhe karta e identitetit e ish-ministrit. Sipas procedurave, ish-ministri Tahiri duhet të pyetet brenda 5 ditëve nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Vendimi i gjykatës jep në mënyrë kronologjike rrjedhën e hetimit të kësaj çështje, që nisi në Shqipëri ndaj Habliajve, me veçimin e dosjes për Treblovën. Në dosjen e Treblovës përmenden për herë të parë lidhjet e policisë me narkotarfikun.
Ndërkohë, gjithmonë sipas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që i ndalon Saimir Tahirit daljen jashtë vendit, në Itali u ra në gjurmët e Habilajve që prej vitit 2012 pas operacionit antidroge “Odisea” dhe survejimit të shtetasit Erson Zhuka, i dyshuar si trafikant.
Prokuroria përmend në kërkesën e saj përgjimet e bëra publike tashmë, ku të akuzuarit lakojnë emrin e ish-ministrit për t’i blerë një byzylyk me diamante.
Prokuroria thotë se Saimri Tahiri i njeh Habilajt dhe si argument sjell daljet jashtë shtetit të tij me automjetin “Audi” që ndërkohë i ishte shitur Moisi Habilajt. Sipas Prokurorisë, Saimri Tahiri ka dalë nga “Qafë Bota” me datën 8 gusht 2014 pa automjet dhe është kthyer tetë ditë më vonë me mjetin Audi 003 GB.
Pikërisht me këtë mjet kishte dalë më datën 14 gusht vëllai i Moisiut, Artan Habilaj. Po sipas sistemit “TIMS”, thotë Prokuroria më tej, Tahiri ka dalë me të njëjtin mjet më datën 29 gusht dhe është kthyer një ditë më vonë.
Duke përdorur këtë argument, thuhet se Tahiri për shkak të lidhjeve farefisnore dyshohet të ketë favorizuar Habilajt për kultivim kanabisi.
Argumenti i tretë i Prokurorisë është njohja me Orest Sotës të cilit iu gjetën 863 mijë euro. Për njohjen mes tyre Prokuroria Përshkruan sërisht daljet jashtë vendit, mes tyre të Orest Sotës me shoferin e Tahirit, Gentian Caka dhe të Tahirit me automjetin e vëllait të Orestit në të paktën dy episode.
Diskutime rreth kësaj post