Një studim i fundit i shoqatës Albanian Food Industry nxorri në pah se produktet që konsumojmë çdo ditë në tryezat tona, në një pjesë të mirë të rasteve dështojnë në testet e sigurisë. Të pakta janë ato ushqime të cilat nuk kanë shfaqur probleme dhe përmbushin standardet e kërkuara dhe kjo më shumë lidhet me frutat dhe lëngjet e tyre, shkruan revista “Monitor”.
Nga gjetjet rezulton se kategoria fruta-perime është 100% pa probleme dhe me parametra brenda normave europiane. Ky është një tregues pozitiv përsa i përket kësaj grup kategorie që tregon se fermerët apo kompanitë që merren me kultivimin e fruta perimeve janë të kujdesshëm në përdorimin e substancave gjatë mbjelljes, rritjes dhe kultivimit të tyre.
I njëjti studim mori në analizë produktet e kategorisë së mishit, ku të paktën 15 % e produkteve të analizuara rezultuan me ngarkesë të lartë mikrobiale. “Kjo tregon që kushtet higjeno sanitare në të cilin ruhet, transportohet apo përpunohet mishi nuk janë sipas parametrave të lejuar nga normat kombëtare dhe ndërkombëtare. 20% e tyre rezultoi me prezencë të mundshme të ngjyruesit E 120. Ky element shërben për ta bërë mishin të duket sa më i freskët” thuhet në studim.
“Përsa i përket vajrave të analizuar, parametrat e tyre rezultuan brenda normave për 80% të tyre. Për një nga vajrat e ullirit të testuar, rezultoi se parametrat e tij nuk përputhen me ato të vajit të ullirit, ekzaminimi spektrofotometrik dhe metilet e jashtme të acideve yndyrore rezultuan jashtë normave. Përqindja e ulët e acidit oleik tregon se ky nuk është vaj ulliri. Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me ligjin tregton një produkt që etiketa nuk përputhet me përmbajtjen”, thuhet ne studim.
Diskutime rreth kësaj post