“Kosova është një shtet i dobët, pranë kolapsit”
Kështu vlerëson diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ish-ambasador i Austrisë në Beograd dhe i dërguar i posaçëm i Bashkimit Europian për Kosovën.
Petritsch, në një intervistë për Deutsche Welle, ka bërë një analizë të situatës në Ballkan, ku, ndër të tjera, ka vlerësuar edhe gjendjen aktuale në Kosovë.
“Kosova është thellësisht e ndarë. Është një shtet i dobët pranë kolapsit – krahasuar me Serbinë që është zhvilluar fuqishëm ekonomikisht, por edhe në fusha të tjera”, është shprehur Petritsch.
“Prishtina zyrtare e ka të domosdoshme të krijojë lidhje me komunitetin serb.
Marrëveshja për Formimin e Komunave Serbe është nënshkruar vite më parë.
Kjo marrëveshje duhet të implementohet. Ky është detyrim i Prishtinës”, ka thënë ai.
Diplomati austriak ka folur edhe për pajtimin mes Kosovës e Serbisë.
Ai ka thënë se Bashkimi Europian tani ka një rast historik për të ecur përpara në këtë drejtim, për shkak të rrethanave aktuale.
Sipas Petritschit, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, është një politikan realist, që i kupton rrethanat, ndërsa miqësia e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, është jashtëzakonisht e rëndësishme në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb.
Wolfgang Petritsch, si i dërguar special i Bashkimit Evropian për Kosovën, ka qenë edhe kryenegociator i Bashkimit Evropian në Konferencën e Rambujesë.
Diskutime rreth kësaj post