Vendimi i presidentit Trump për transferimin e ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi në Jeruzalem mund të shkaktojë një intifadë të tretë, mendon ish-ambasadori në Izrael gjerman Rudolf Dreßler.
SHBA e ka njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit që prej vitit 1995 me vendim të Kongresit, por zbatimi në praktikë i këtij vendimi përmes hapjes së ambasadës në Jeruzalem është shtyrë vazhdimisht për shkak të reagimeve të mundshme të shteveve arabe dhe mospranimit të një hapi të tillë nga BE-ja.
Injorancë ndaj zërave ndërkombëtarë
Prej 70 vjetësh ka një konsens ndërkombëtar që për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme Jeruzalemi shihej si temë tabu. Sepse njohja e tij si kryeqytet do të shkaktonte një acarim të madh. Rudolf Dreßler mendon se me vendimin e tij për transferimin e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem presidenti Trump po sillet si bosi i një sipërmarrjeje industriale, që bën si të ketë qejf. Sipas Dreßler këtë hap Trumpi e bëri për shkak të “injorancës kundrejt të gjitha zërave ndërkombëtarë”.
Ky nuk është vendimi i parë i pazakontë që merr Trumpi. Por sipas ish-ambasadorit të Gjermanisë në Izrael tani SHBA nuk mund të jetë më partner ndërkombëtar për bisedimet për paqe, sepse me transferimin e ambasadës në Jeruzalem SHBA tregohet e partishme. Sipas tij tani përgjegjësia mbetet te Rusia, Kina dhe te BE-ja.
E mundur një intifadë e tretë
Tani sipas ekspertëve nuk bëhet fjalë për rifillimin e bisedimeve të paqes, por se si mund të pengohet shpërthimi i një dhune të re. Madje Dreßler mendon se vendimi i presidentit Trump mund të çojë një intifadë të tretë, në rast se mbajmë parasysh se çfarë çoi në shpërthimin e inifadës së dytë: pikërisht vizita e ish-kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Malin e Tempullit, mendon Dreßler.
Gjermania do të vendosë për transferimin e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Izrael vetëm pasi të arrihet një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinezëve dhe një marrëveshje për sqarimin e kryeqytetit, Jeruzalemit lindor dhe perëndimor mes të dyja palëve.
Nga ana tjetër Gjermania dhe vendet e BE-së duhet të mendojnë tani se cili do të jetë roli i tyre në politikën e re mes Trumpit dhe Netanjahut dhe se si Izraeli të rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Politikani i SPD-së Rudolf Dreßler (77) ka qenë nga vitit 2000 deri 2005 ambasador i RFGJ-së në Tel Aviv.(DW)
Diskutime rreth kësaj post