Artur Zheji ka mbetur i zhgënjyer nga Brukseli zyrtar, pas pritjes positive që i bëri Ramës dhe pas premtimeve se në muajt e ardhshëm, BE mund të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë.
“Është padyshim një flirt i ri, që Brukseli zyrtar sapo shpalli me kryeministrin shqiptar. Mbështetje e hapur, publike dhe pa ekuivok. Madje me dekor dhe entuziazëm.
Mungonin vetëm fishekzjarrët dhe buqetat me lule.
Tejet demoralizuese për opozitarizmin në Shqipëri, i çfarëdollojshëm qoftë ai, politik, social, për interesa apo për ideale.
Junker dhe Mogerini, kanë tashmë një axhendë të shkurtuar dhe me sa duket nuk kanë kohë për të humbur me nuancime dhe ngjyrime.
Një vendi si Shqipëria, kuptohet rrumpalloland, ata i thonë nga Brukseli, se çobani që u zgjodh më 25 Qershor, Rama pra, pamvarsisht kontestimeve të blerje-shitjeve të votës dhe pamvarsisht bollëkut kanabist, që duket tashmë si një film i largët, është pra për Brukselin, çobani i duhur dhe ustai që meritojnë të kenë shqiptarët për 4 vitet e ardhshme.
Europa pra foli edhe kësaj radhe, duke mburrur një Reformë Drejtësie që ende s’ka filluar apo reforma të tjera që s’duken gjëkundi, duke na detyruar të fillojmë analizat tona edhe njëherë nga e para, për një balancim të domosdoshëm pushtetesh.
Nëse për Brukselin lluksoz, burokrat dhe të largët, Rama është çobani i duhur, sipas përshkrimit të zonjës Vlahutin, në Shqipëri ka probleme. Që lidhen pikërisht me vetëpërmbajtjen që duhet të ketë çobani-kryeministër, për mos-ushtrim arrogance dhe për mosprishje të vazhdueshme ekuilibrash në peshoren e pushteteve…
Të tjerat le të vinë ashtu si vinë… ky popull është mësuar, edhe ne të tjerët po mësohemi bashkë me të, vit pas viti dhe thinjë pas thinje…”, shkruan Zheji.
Diskutime rreth kësaj post