Zbardhet materiali nga ku ambasadori Donald Lu duket se ka marrë edhe referencën e famshme të 40 familjave mafioze në Shqipëri.
Është publikuar një studim serioz dhe voluminoz që ka si autorë Fabian Zhillën dhe Besford Lamallarin(sot zv.ministër i Brendshëm), të cilët kanë bërë një radiografi të hollësishme të të gjithë krimit të organizuar në Shqipëri.
“Evolimi i Strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri”, titullohet libri ku paraqitur për herë të parë në një material publik për të gjitha bandat më të rrezikshme mafioze në vend, të ndara në territorin e Republikës, ku gjenerojnë para dhe kontrollojnë gjithçka; veprmtaritë e paligjshme por edhe pastrojnë paratë duke ngritur biznese të ligjshme.
Kush janë ata? Kush fshihet pas tyre dhe cilët biznese gjenerojnë paratë e 40 familjet shqiptare?
Më poshtë po japim renditjen dhe zbërthimin e organizatave më të mëdha mafioze shqiptare, siç janë paraqitur në libër:
Tiranë
Në qytetin e Tiranës aktualisht dyshohet se veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme dhe të strukturuara. Ato kanë një shtrirje kohore të hershme të veprimtarisë kriminale dhe kanë arritur ti rezistojnë kohës për shkak të sofistikimit dhe lidhjeve të tyre me biznesin dhe segmentet e korruptuara të shtetit. Përflitet që njëra prej këtyre organizatave, e cila është edhe më e fuqishmja, të ketë një strukturë hierarkike mjaft të sofistikuar.
Mendohet që fillimet e kësaj organizate të jenë që në vitin 1992. Në fillimet e veprimtarisë së saj, kjo organizatë karakterizohej nga dhuna, format e maskimit, puna në grup dhe mungesa e një hierarkie të qartë. Mendohet se kjo organizatë, në dallim nga organizatat e tjera kriminale, të ketë pasur edhe motive politike për formimin e saj. Ndër karakteristikat e aksioneve të kësaj organizate në fillimet e veta (1992) ka qenë përdorimi i simboleve të institucioneve zyrtare që merren me mbrojtjen e rendit, si Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.
Nga ana tjetër, kryerja e vjedhjeve, grabitjeve, vrasjeve apo dhe shpërthimeve, në ndryshim nga organizatat e tjera të kohës, kryheshin gjatë ditës. Kupola e kësaj organizate dyshohet të jetë e bazuar në lidhje gjaku (vëllezër, kushërinj dhe rreth shoqëror të ngushtë) dhe të ketë lidhje me ish-funksionarë të lartë të regjimit komunist.
Mendohet se organizata i ka trashëguar lidhjet dhe aftësitë organizative prej tyre. Mendohet që në këtë organizatë të ketë përfaqësues edhe të grupeve të tjera kriminale, duke e kthyer këtë organizatë në një lloj kupole të organizatave të tjera më të vogla, të cilat kryesisht veprojnë në segmentin Tiranë-Durrës.
Kjo organizatë mendohet se është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit dhe të ketë lidhje me Mafien italiane (Sacra Corona Unita), atë rumune dhe izraelite. Nëpërmjet këtyre lidhjeve organizata dyshohet se i pastron paratë e saj në Shqipëri nëpërmjet kazinove, pikave të bastit si dhe investimeve në karburante dhe ndërtim. Paçka se mendohet që në fillimet e veta (1993-2003) kjo organizatë ka qenë shumë e dhunshme, aktualisht dyshohet që të jetë sofistikuar duke mos u ekspozuar në konflikte apo vrasje ordinere.
Mendohet që organizata të jetë e fokusuar në pastrimin e parave të mafies ndërkombëtare dhe aseteve të politikanëve të korruptuar në Shqipëri. Aludohet gjithashtu që kjo organizatë të jetë përpjekur për ta kthyer Shqipërinë në një vend prodhimi të kokainës duke krijuar lidhje të forta me kartelet e drogës në Amerikën Latine (Venezuelë dhe Ekuador), duke formuar cikle të mbyllura trafiku (të kontrolluar prej saj nga origjina deri në shpërndarje). Dyshohet gjithashtu që organizata të ketë investuar në turizëm, kryesisht në qytetin e Vlorës. Përflitet se kjo organizatë ka investuar edhe në media.
Mendohet se organizata ka lidhje të forta me të afërm të politikanëve brenda të gjithë kampeve politike. Megjithëse nuk ka një qendër apo territor veprimi, organizata dyshohet të ketë “selinë” kryesore në Shqipëri në qytetin e Tiranës. Siç do të shprehej një i intervistuar, “kjo tipologji organizate është kudo dhe askund, dhe nisur nga cikli i ecurisë është edhe më e frikshmja”.
Një organizatë tjetër kriminale dyshohet se është mjaft aktive dhe se fshihet mbas shumë krimeve të bujshme në qytetet e Tiranës dhe Durrësit në vitet e fundit. Në ndryshim nga organizata e mësipërme, kjo organizatë është më e dhunshme, më pak e sofistikuar, por jo më pak e rrezikshme. Struktura organizative e grupimit kriminal bazohet në lidhje shoqërore dhe drejtohet nga një kupolë prej tre apo katër personash me precedentë penalë të njohur. Kjo organizatë i ka fillimet e saj në trafikun ndërkombëtar të heroinës në Itali dhe ka filluar të konsolidohet pas vitit 2005.
Përbërja e kësaj organizate është e larmishme, me individë kryesisht nga rrethet e Tiranës, Durrësit dhe Fierit dhe është e përbërë nga mosha të reja (20-40 vjeç). Përflitet që struktura drejtuese është e përbërë nga katër anëtarë, ku secili ka një rol në një drejtim të caktuar (vrasjet, investimet, rekrutimet dhe trafiku i drogës).
Organizata përdor një komunikim shumë të sofistikuar duke përdorur gjuhë të koduar. Organizata kriminale përdor ndërmjetës si dhe korrierë për të komunikuar me të tretët. Ky grupim kriminal përpiqet të rekrutojë segmente brenda Policisë së Shtetit për të pasur informacion por edhe për ekspertizën e tyre, gjë e cila e ndihmon të neutralizojë aksionet e policisë. Për të eliminuar kundërshtarët përdoren “qitësit” e organizatës ose “vrasës” me pagesë. Kjo organizatë mendohet të ketë krijuar një aleancë të fortë me një ndër grupet kriminale që ka filluar të aktivizohet së fundmi në qytetin e Durrësit.
Mendohet që numëri i anëtarëve të kësaj organizate të shkoj mbi 30-të. Kjo organizatë është gjithashtu “polikriminale” dhe vepron kryesisht në trekëndëshin Tiranë – Durrës – Fushë-Krujë. Dyshohet se organizata është e përfshirë në trafiqet e narkotikëve, gjobëvënie, mbledhje gjobash (loan sharking), zgjidhje konfliktesh, dhe së fundi në nxjerrjen apo regjistrimin e pronave të patundshme.
Kjo organizatë dyshohet se ka lidhje të forta me grupe kriminale në të gjithë vendin dhe është shumë fluide. Është kryesisht e fokusuar në trafikun e drogave të rënda dhe është pjesë e rrjeteve ndërkombëtarë të trafikut të narkotikëve në Itali dhe Hollandë.
Megjithëse është e vështirë të përcaktosh një territor kontrolli të kësaj organizatë për shkak të fleksibilitetit që e karakterizon, kjo organizatë dyshohet se ka ndikim në “Rr. e Kavajës”; “Ish Parkun e Autobuzave”, dhe “Kombinat”. Përflitet se kjo organizatë për shkak të lidhjeve të forta me persona me pushtet politik sot është një ndër organizatat kriminale më aktive në aksin Tiranë-Durrës. Kjo organizatë aktualisht është nën monitorim të vazhdueshëm nga agjencitë ligjzbatuese.
Një tjetër organizatë kriminale me shumë influencë është konkurrentja e organizatës më sipër. Këto dy organizata kanë qenë në konflikt të përhershëm me njëra tjetrën për kontrolle territori dhe hakmarrje që nga viti 1999. Përplasjet e tyre kanë qenë mjaft të forta sidomos mbas vitit 2011, ku vrasjet nga të dyja palët ishin gati të përmuajshme.
Kjo organizatë është e bazuar kryesisht jashtë qytetit të Tiranës, ka investime brenda qytetit dhe ka një lloj ndikimi në veriun e kryeqytetit. Mendohet që influenca dhe kontrolli më i fortë i saj është në bizneset në krahun e djathtë të autostradës Tiranë-Durrës deri pranë aeroportit të Rinasit. Dyshohet që organizata drejtohet nga një familje, kreu i së cilës ka vuajtur një dënim me burg dhe që ka arritur ta drejtojë organizatën edhe gjatë vuajtjes së dënimit.
Kjo organizatë mbështetet në lidhje gjaku dhe krahinore por gjithashtu dyshohet se ka lidhje edhe me eksponentë të hershëm të botës së krimit në Tiranë të cilët janë ende aktivë. Me daljen e drejtuesit të organizatës nga burgu në vitin 2012 organizata mendohet të ketë intensifikuar veprimtarinë e saj. Përflitet që kjo organizatë ka investuar kryesisht në fushën e mineraleve. Kjo organizatë ka një sistem shumë të mirë mbrojtjeje dhe survejimi dhe mendohet se aktualisht është më e tërhequr dhe e fokusuar në goditjen ndaj bandave kundërshtare. Kjo organizatë ka një numër të konsiderueshëm anëtarësh që mendohet të jetë afërsisht rreth 27 persona.
Shkodër
Është e nevojshme që fillimisht të sqarojmë kuptimin e organizatave kriminale të cilat mbështeten në lidhje të ngushta familjare (“Familje”), karakteristikë kjo e grupeve kriminale të zonës veriore të vendit. Me “familje” të përfshira në krimin e organizuar do të kuptojmë ato grupime kriminale të cilat strukturën drejtuese organizative të tyre e mbështesin në lidhjet familjare sipas hierarkisë së familjes, duke filluar nga kryefamiljari (babai ose vëllai i madh), e ndjekur më pas nga vëllezërit më të vegjël,kushërinjtë dhe duke zbritur tek rrethi shoqëror që kryesisht mbështetet tek komshinjtë.
Mendohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Këto “familje” hamendësohet ti kenë rezistuar kohës për shkak të lidhjeve të forta familjare, agresivitetit dhe lidhjeve me politikën. Fillimet e tyre nisin të duken që në fundvitet 80-të, kur në Shkodër, si në shumë qytete të mëdha të vendit, filluan të krijoheshin grupe të rinjsh të dhunshëm në lagje të caktuara të qytetit të cilët njiheshin si të “fortët e lagjes“, si: “Grupi i Rusit” “Xhabijes” ose “Kirasti”.
Ndër këto grupe kishte edhe djem të cilët ju përkisnin “familjeve” që dyshohet se dominojnë sot krimin në qytetin e Shkodrës. Anëtarë të këtyre familjeve njiheshin për pjesëmarrjen në veprimtari kriminale para dhe gjatë periudhës së komunizmit. Pra kishin një histori të përfshirjes së familjarëve në veprimtari kriminale edhe në të shkuarën.
Këto grupime kriminale janë kryesisht të mbështetura në lidhje familjare dhe kontrollojnë zona të caktuara. Fuqizimi i tyre filloi me kontrabandën e karburanteve e cila lulëzoi në rrethin e Shkodrës pas thyerjes së embargos së Kombeve të Bashkuara vendosur ndaj ish-Jugosllavisë në maj të vitit 1992, si dhe konfliktet e armatosura në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.81 Më pas këto “familje” u angazhuan në trafikun e qenieve njerëzore dhe atë të narkotikëve.
Këto veprimtari kriminale ju mundësuan të krijojnë lidhje edhe me rrjetet ndërkombëtare kriminale. Gradualisht këto familje u fuqizuan financiarisht duke u integruar në veprimtari tregtare të rëndësishme në qytetin e Shkodrës dhe më gjerë. Një tjetër faktor fuqizues është edhe lidhjet që disa nga këto familje vendosën me “familje “mafioze italiane në jug të Italisë, por edhe pranisë së kësaj të fundit në Malin e Zi. Ky shtet njihet edhe si një ndër portet kryesore të kontrabandës së duhanit në Ballkan e dirigjuar nga Sacra Corona Unita.
Deri në vitin 2012 Mali i Zi konsiderohej nga media ndërkombëtare si një “shtet mafioz”.82 Familjet e mësipërme në qytetin e Shkodrës mendohet të kenëkonsoliduar pozitat e tyre në qytet dhe rrethina nëpërmjet dhunës dhe shantazheve, por dhe gjobëvënies ndaj bizneseve. Kjo e fundit ka qënë fenomen shqetësues në Shkodër edhe pas vitit 2005.
Struktura e organizimit të këtyre “familjeve” hamendësohet se i ngjan një “biznesi familjar”, ku organizata kriminale vepron në emër dhe përfitim të familjes ose klanit familjar. Zakonisht drejtuesi i organizatës është kryefamiljari, i cili, pas vdekjes së tij, zëvendësohet nga vëllai më i madh. Siç u përmend më sipër, hierarkia më pas zbret në varësi të afërsisë së gjakut me drejtuesin e organizatës dhe kjo përcakton dhe rëndësinë dhe rolet.
Kështu në rang më të ulët vijnë kushërinjtë e parë, të dytët e me radhë. Në organizatë përfshihen edhe individë të cilët kanë lidhje shoqërore me anëtarët kryesorë të organizatës si dhe djemtë e lagjes ku organizata ka qendrën e saj. Këto “familje” kontrollojnë territore të caktuara dhe kanë linjat e tyre të trafiqeve. Në përgjithësi këto “familje” janë të kujdesshme për të mos ndërhyrë në territoret e njëra-tjetrës pasi një gjë e tillë aludohet t’i ketë kushtuar mbi 20 të vrarë dy prej familjeve në konflikt në periudhën 1999-2013. Pas vrasjes së Edmir Koçisë në vitin 2012 hamendësohet se ka një ristrukturim tjetër të kontrollit të qytetit nga këto familje.
Koçia konsiderohej deri në vitin 2012 si një ndër individët më të rrezikshëm dhe drejtues i organizatës më me influencë në qytet. Ai dyshohej për një sërë vrasjesh, ku ndër to dhe për vrasjen e Çim Cafit.84 Një vit më pas eliminohet edhe Gjon Gjeka85, i cili gjithashtu dyshohet të jetë ekzekutuar nga e njëjta dorë dhe porositës, për shkak të stilit fare të ngjashëm të vrasjes. Pas këtyre vrasjeve mendohet që “familjet” dominuese në qytet të kenë vendosur një situatë paqeje.
Sot këto “familje” kanë të ndara qartë territoret e tyre, ku kryesisht ndodhen biznese apo veprimtari ekonomike të cilat janë nën mbrojtjen e tyre. Secila nga këto familje ka karakteristikat e veta. Një “familje” mendohet të jetë më afër politikës dhe të ketë ndikim të fortë në pushtetin vendor në çështjet që lidhen me lejet e ndërtimit apo dhe punësimet në institucionet zyrtare. Por, gjithashtu, kjo familje hamendësohet të jetë e përfshirë edhe në trafikun e drogave të forta (heroinë dhe kokainë).
Një “familje” tjetër përflitet se ka ndikim dhe kontroll në një zonë që fillon që nga qendra e qytetit, drejt Dobraçit, deri në rrethinat dhe një pjesë të Dukagjinit. Kjo “familje” dyshohet se kontrollon drogat e lehta (kanabis) dhe është e përfshirë në rrjetet ndërkombëtare të narkotikëve kryesisht në Belgjikë, Hollandë dhe Suedi.
Gjithashtu aludohet se kjo “familje” jep para me fajde në tregun e zi, dhe se është përfshirë në trafik klandestinësh për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.86 Kjo “familje” dyshohet të ketë lidhje edhe me një ndër organizatat kriminale të rrethit të Tiranës që u trajtua më sipër dhe e cila vepron kryesisht në Tiranë – Durrës dhe Fushë-Krujë.
Së fundmi përflitet se kjo familje është angazhuar në të ashtuquajturën “mbledhje borxhesh” (biznese të ndryshme, në pamundësi për të mbledhur borxhet, ju paguajnë një tarifë organizatave kriminale të cilat në këmbim ju marrin borxhin debitorëve), e ngjashme kjo me “pizzo” e mafies Italiane, kryesisht asaj Siciliane. Mendohet se kjo “familje” është familja më e zgjeruar në numër dhe në lidhje gjaku në krahasim me të tre “familjet” e tjera.
Një familje tjetër e cila ndan territorin e kontrollit në qytet me “familjen” më sipër, ka ndikim të konsiderueshëm dhe mendohet se ka influencë në një territor që fillon nga qendra e qytetit dhe më pas vijon në lagjet e njohura si ajo e Xhabijes dhe Zdrales.
Përflitet se një ndër veprimtaritë e saj kryesore është siguria që ju ofron bizneseve në zonën që kontrollon kundrejt një pagese mujore. Kjo “familje” kryesisht është e kujdesshme dhe e sofistikuar, nuk ekspozohet në krime ordinere dhe është më e vogël në numër se familjet e tjera. Dyshohet gjithashtu se ka lidhje me një organizatë shumë aktive në rrethin e Tiranës që u trajtua më sipër.
Një familje tjetër, e cila nuk ka influencën e të parave, dyshohet se ka influencë në zonën e Kirasit dhe mendohet se ka kryesisht lidhje të forta me organizatat kriminale në Kosovë. Numri i anëtarëve të kësaj organizate mendohet të jetë i konsiderueshëm dhe përgjithësisht përbëhet nga persona me lidhje gjaku dhe shoqërore të lagjes ku drejtuesit e organizatës banojnë. Mendohet se krerët e kësaj “familjeje” trafikojnë lëndë narkotike dhe janë të angazhuar në trafikun e prostitucionit në Suedi dhe Danimarkë.
Në përgjithësi, grupet kriminale të rrethit të Shkodrës janë “poli-kriminale” dhe përdorin gjerësisht zonën e Velipojës, portin e Shëngjinit dhe portet e Malit të Zi për trafikun e narkotikëve. Ky trafik bëhet kryesisht me kontenierë ose anije peshkimi të cilët e çojnë “mallin” në det të hapur i cili më pas tërhiqet nga grupet e tjera kriminale që veprojnë në BE.
Organizatat kriminale në rrethin e Shkodrës kanë rritur gjithashtu veprimtarinë e tyre edhe në trafikun e armëve, të cilat i transportojnë ato nga Mali i Zi, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Malësi të Madhe. Armët, së bashku me narkotikët, dyshohet se transportohen për në BE nëpërmjet skafeve të cilat nisen nga grykëderdhja e Bunës ose lugina e Vilunit në Velipojë.
Pas goditjes që ju bë “kanabisit” në fshatin e Lazaratit hamendësohet se një ndër “hambarët” më të mëdhenj të rritjes së tij në mënyrë të përqendruar do të zhvendoset në zonën e Dukagjinit, kryesisht në Pult, Shal dhe Shosh.88 Dhe kjo tendencë e prodhimit të kanabisit ka rrezik të sjellë zhvillime të reja të organizatave kriminale në rrethin e Shkodrës.
Përflitet që të ardhurat që do të sjellë çmimi tashmë i rritur i kanabisit në tregun ndërkombëtar do t’iu mundësojë këtyre organizatave jo vetëm rritje të ndjeshme të fuqisë ekonomike por edhe akses të konsiderueshëm në mafian ndërkombëtare. Duke pasur parasysh edhe pozicionin strategjik të qytetit të Shkodrës, fuqinë relativisht të dobët goditëse të shtetit si dhe ekuilibrat kulturorë dhe fetarë, “Kryeqendra e Veriut” rrezikon të kthehet në një ndër “polet” kryesore të organizatave kriminale më të rrezikshme në vend në vitet e ardhshme.
Durrës
Qyteti i Durrësit është dhe qyteti ku veprimtaria kriminale është mjaft e larmishme për shkak edhe të aksesit që ofron në tregun ndërkombëtar porti i Durrësit, i cili është porti më i madh në vend. Gjithashtu, në këtë qytet kryqëzohen rrjetet kriminale të cilat janë të shpërndara në të gjithë vendin. Në qytetin e Durrësit mendohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi. Ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre.
Për këtë arsye është e vështirë të përcaktosh cilat janë organizatat kriminale “autoktone” që veprojnë në këtë qytet. Karakteristikë është që grupet që merren me trafikun e narkotikëve në Durrës janë në numër të vogël anëtarësh dhe kryesisht trafikojnë narkotikë për në Itali. Vihet re që kohëve të fundit ka pasur përplasje midis këtyre grupeve për prishje pazaresh.
Nga ana tjetër, grupe shumë të rrezikshme kriminale përflitet të jenë aktivë në zonat përreth qytetit. Këto grupe janë të strukturuara dhe të mbështetura në lidhje familjare dhe shoqërore. Kanë territore të përcaktuara qartë, të cilat i kontrollojnë, dhe kanë lidhje me organizatat e fuqishme kriminale që veprojnë kryesisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan dhe Krujë.
Mendohet që në Durrës aktualisht të jetë ri-aktivizuar një organizatë kriminale e cila drejtohet nga individë me precedentë të mëparshëm penalë. Kjo organizatë përflitet të ketë formuar një bashkëpunim me një ndër organizatat më të rrezikshme që veprojnë në rrethin e Tiranës, përshkruar më sipër. Kjo organizatë kriminale dyshohet se është aktivizuar më së shumti në mbledhjen e borxheve të bizneseve dhe në pronat e patundshme.
Hamendësohet gjithashtu se në qytetin e Durrësit prej kohësh vepron një “familje” e njohur në botën e krimit dhe me ndikim jo vetëm në veprimtari tregtare por dhe në veprimtari sociale.
Vlorë
Ky qytet mbetet një ndër qytetet më problematike në lidhje me veprimtaritë e grupeve kriminale. Edhe në Vlorë, ashtu si dhe në Durrës, ka një prani jo vetëm të organizatave kriminale të qytetit dhe fshatrave përreth, por edhe investime të organizatave të tjera, ku kryesisht dominojnë organizatat kriminale të qytetit të Fierit, Beratit, Tepelenës dhe ato të Tiranës. Ky konstatim u cilësua edhe nga Prokurori i Përgjithshëm në analizën vjetore të Prokurorisë së Apelit në Vlorë në vitin 2016.
Krimi i organizuar në Vlorë është i fokusuar kryesisht në trafikun e narkotikëve dhe pastrimit të parave, me investime kryesisht në fushën e turizmit.
Karakteristikë e grupeve kriminalë të qytetit të Vlorës është se, në dallim nga grupet të cilat ishin aktive në vitet 1992-99 (Zani Çaushi, Kakami, Gaxhai etj), nuk ka më grupe që veprojnë në territore të ndara. Vlora, sikurse dhe Durrësi apo dhe qytete të tjera portuale, shërben kryesisht si zonë tranziti e trafikimit të narkotikëve për në BE.
Megjithatë, përveç trafikimit të narkotikëve, zonat përreth qytetit, sidomos ato në Lumin e Vlorës, kanë shërbyer edhe për kultivimin e kanabisit dhe për transportimin e tij, qoftë edhe me avionë të vegjël sportivë.
Sipas ekspertëve të intervistuar, “ndarja e zonave të kultivimit bëhet sipas përkatësisë gjeografike dhe origjinës së drejtuesve të grupeve.”
Vihet re që vrasjet në qytetin e Vlorës janë të shumta dhe këto vrasje në përgjithësi nuk janë për çështje territori, por për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vendet e BE, kryesisht në Spanjë dhe Itali. Vlora mbetet një ndër qytetet më problematike në lidhje me krimin e organizuar.
Një prokuror i intervistuar në lidhje me pikat më të nxehta të krimit të organizuar në vend do të nënvizonte se “Unë nuk mund të le pa përmendur Vlorën edhe nga konstatimet në fakt, edhe nga çështjet që janë provuar ose nga goditjet që janë bërë.”
Për një kohë të gjatë përflitet që Vlora ka qënë qytet i “preferuar” i Mafies Italiane dhe mendohet që kjo mafie të ketë investuar në këtë qytet kryesisht në fushën e kulinarisë dhe kazinove. Në vitin 2010 në këtë qytet është arrestuar Albino Prudentino, një ndër drejtuesit e Sacra Corona Unita, dhe vetëm një vit më vonë, arrestohet dhe Giussepe Simonelli, një ndër drejtuesit e “Ndraghetas” italiane.
Fier
Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit, sipas shumicës së të intervistuarve, mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshmë në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri. Edhe pse në vitin 2005 pati një ndërhyrje shumë të suksesshme të goditjes së organizatave kriminale në të gjithë vendin, të ashtuquajturat “grupet e Fierit” nuk u prekën thuajse fare.
Mendohet se grupet kriminale në Fier, në ndryshim nga qytetet e tjera, bazohen jo vetëm në lidhje gjaku dhe shoqërore, por mbi të gjitha në lidhje komunitare (çam, kosovarë). Kjo ka sjellë një farë ndarje territori të këtyre organizatave kriminale, të cilat kontrollin e tyre e kanë aty ku është vendosur edhe komuniteti i tyre. Sipas ekspertëve, janë të paktën katër organizata me influencë në këtë qytet të ndara sipas lagjeve.
1) Grupi i “Kosovarëve” i cili vepron tek “Ura e Sheqit“;
2) Grupi i “Çamëve” i cili vepron pranë gjimnazit kryesor të qytetit;
3) Grupi i “lebërve” që vepron në periferi dhe në zonën e Levanit dhe
4) Grupi i “fierakëve” që ka ndikim në zonën qëndrore të qytetit por dhe në Patos.
Mendohet se disa nga arsyet kryesore që i bëjnë këto organizata rezistente dhe të fuqishme janë lidhja komunitare, e cila ju shërben si mbrojtje, pozicioni strategjik i qytetit të Fierit, lidhjet e forta me politikën dhe përfshirja në trafikun e narkotikëve dhe prostitucionit që në fillimet e demokracisë si dhe investimi i parave të pista në biznese të ligjshme.
Siç nënvizon edhe një nga prokurorët e intervistuar, “nëse deri në vitin 2000 krimi i organizuar në Fier përdorte format bazike të pastrimit të parave, pra kalimin e pronave në emër të familjarëve, ata sot po investojnë direkt në biznese të regjistruara dhe të deklaruara”.
Mendohet se në qytetin e Fierit të jenë hapur laboratorët e parë të heroinës dhe kanabisit në vend. Nga ana tjetër aludohet që organizatat kriminale të këtij qyteti të kenë pasur shumë ndikim edhe në organizatat që vepronin në qytetin e Vlorës. Madje shkohet deri aty sa dyshohet se truri i rrjeteve kriminale të cilat veprojnë në jug të jetë në qytetin e Fierit. Grupet e Fierit kanë një bashkëpunim të mirë me grupet e Beratit, Lushjës dhe Vlorës. Sot përflitet që ka të paktën dy organizata shumë të fuqishme në këtë qytet që arrijnë të kenë ndikime edhe në emërime në administratën publike dhe Policinë e Shtetit.
Madje aludohet se një ndër drejtuesit e kësaj organizate ka pasur konflikte të hapura me një ndër deputetët më të njohur në jug në lidhje me kontrollin e Albpetrolit.
Kohëve të fundit eksponentë të lartë të krimit të organizuar me precedentë kriminalë dhe të njohur si drejtues organizatash kriminale në vendet e BE (Greqi, Itali, Belgjikë dhe Spanjë), dyshohet se kanë investuar në këtë qytet të ardhurat e tyre kriminale dhe mendohet se po zgjerojnë ndjeshëm influencën e tyre edhe pranë partive politike, sidomos atyre të vogla.
Berat
Qyteti i Beratit mendohet të jetë një qytet ku krimi i organizuar ka investuar për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë aktiv. Organizatat kriminale në këtë qytet janë kryesisht vendore, të mbështetura në lidhje të forta familjare dhe shoqërore. Përflitet se në këtë qytet kanë influencë të paktën 3 “familje” me precedentë të fortë kriminalë.
Një ndër familjet më me influencë në këtë qytet dyshohet që e ka qendrën në të ashtuquajturën “Zona e 6-katëshit”. Kjo familje mendohet se është marrë që në fillimet e tranzicionit me shfrytëzim prostitucioni kryesisht në Itali dhe Hollandë dhe ka investuar kryesisht në linjat e transportit urban, në veprimtari me karakter argëtues dhe në pasuri të tjera të patundshme.
Përflitet se ka lidhje të ngushta me funksionarë të lartë në pushtetin vendor dhe e përdor këtë ndikim për të përfituar tendera nga fondet publike. Kjo familje funksionon si një shoqëri tregtare, ku anëtarët e saj janë të punësuar në role drejtuese në bizneset që zotëron familja. Një organizatë tjetër me ndikim në Berat mendohet të ketë lidhje të forta me politikën.
Përflitet që krerët e kësaj “familjeje” kanë precedentë penalë në trafikun e narkotikëve, kryesisht në Belgjikë. Mendohet që anëtarë të kësaj “familjeje” të kenë pasur lidhje edhe me bandën e njohur të drejtuar nga Altin Dardha. Ndikimi i kësaj “familjeje” përflitet të jetë i konsiderueshëm në pronat e patundshme, hoteleri-turizëm dhe hipoteka. Hamendësohet se kjo “familje” është e sofistikuar dhe përpiqet të shmangë përplasjet për çështje ordinere, për shkak se ka dhe interesa qëtë përfshihet edhe në politikë. Dyshohet se zonën e influencës e ka kryesisht në qendrën e qytetit dhe në zonat përreth.
Një familje tjetër me influencë dhe me precedentë penalë të shumtë në qytet dyshohet se është një organizatë, drejtuesit e së cilës janë marrë me trafik heroine dhe prostitucioni në Itali. Edhe kjo “familje” është përpjekur të krijojë lidhje të forta me partitë politike. Kjo “familje” përflitet të ketë investime të shumëllojshme në hoteleri dhe lojrat e fatit.
Njihen si një organizatë e dhunshme dhe, në dallim nga “familjet” e tjera, kanë precedentë të shumtë penalë brenda dhe jashtë vendit. Zona ku kanë më shumë influencë përflitet të jetë përreth lagjes “Murat Çelebiu”. Në qytetin e Beratit përflitet të ketë dhe pjesëtarë të rrjeteve ndërkombëtare të kokainës, të cilët kanë krijuar lidhje të qëndrueshme në Venezuelë. Mendohet se Berati mund të jetë një destinacion tjetër i rrjeteve të mbyllura të trafikut të kokainës me tranzit Shqipërinë për në BE në të ardhmen.
Karakteristikë e “familjeve” me precedentë të shumtë penalë në këtë qytet është se ato shmangin përplasjet ndërmjet tyre dhe përpiqen të shmagin gjithashtu konfliktet e panevojshme, duke ofruar siguri për anëtarët e familjes dhe të njohurit. Përflitet gjithashtu se shumë prej pjestarëve të këtyre “familjeve” kanë qenë mjaft aktivë në zgjedhjet vendore të vitit 2013. Lidhjet e tyre me politikën mendohetse kapërcejnë pushtetin vendor dhe kjo ju ka shërbyer për të shmangur edhe ekstradimet e kërkuara nga INTERPOLI.
Elbasan
Vrasjet e shkurtit të vitit 2016 treguan se qyteti i Elbasanit vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë ku veprimtaria e krimit të organizuar vazhdon të jetë e pranishme edhe pas shkatërrimit të dy bandave famëkeqe të “Mandelës” dhe “Tan Kateshit”. Përplasja tashme prej 10 vitesh midis familjeve “Çapja” dhe “Mema” shfaq natyrën dhe karakteristikat e krimit të organizuar në këtë qytet.
Janë të paktën 9 të vrarë që prej vitit 2005 kur hakmarrja midis familjeve nisi të krijonte viktima. Duhet cilësuar se është e vështirë të kuptohet nëse kjo përplasje midis këtyre “familjeve” ishte për prishje trafiqesh droge apo për hakmarrje, pasi të dhënat e mbledhura nga ekspertët e intervistuar, nënvizojnë faktin se organizatat kriminale që veprojnë në këtë qytet përpiqen të jenë në harmoni me njëra tjetrën, një karakteristikë kjo edhe për qytetin e Beratit. Një tjetër veçori e këtyre grupeve është se kanë marrëdhënie qytetare me komunitetin dhe përpiqën t’iu ofrojnë ndihmë apo bëjnë ndere.
Sikurse edhe në qytetet e tjera të vogla, edhe në Elbasan grupet e organizuara mbështeten në lidhje familjare dhe shoqërore. Kryesisht grupet e konsoliduara janë ato të drogës. Elbasani njihet si një ndër qytetet kyçe të magazinimit dhe trafikimit të heroinës e cila vjen nga linja Turqi – Maqedoni.
Megjithatë ka pasur përpjekje që linjat e heroinës të përdoreshin edhe për trafikun e kokainës nga rrjete kriminale të cilat e kanë qendrën dhe veprojnë në Tiranë. Në janar të vitit 2015 në fshatin Xibrakë u kap një ndër laboratorët më të mëdhenj të kokainës në rajon, ku u arrestuan rreth 8 persona, ndër ta dhe dy “kimistë” kolumbianë dhe u sekuestruan rreth 19.5 kg kokainë e pastër.
Ndërkohë në Elbasan kanë vepruar edhe rrjete të tjera kriminale, kryesisht në trafikun e armëve dhe veprave të artit, që kishin lidhje edhe me grupe të tjera në Fier, Vlorë dhe Shkodër, por të cilat nuk kanë qëndrueshmërinë e grupeve të drogës dhe janë goditur në një kohë të shpejtë.
Sipas ekspertëve, ajo që i ka bërë më të rezistueshëm grupet kriminale të trafikimit të narkotikëve në Elbasan është se janë të sofistikuar, nuk janë konfliktualë, nuk kanë konflikte për çështje territoresh. Kjo pasi narkotikët i tregtojnë në vendet e BE (Belgjikë, Hollandë, Britani e Madhe, Itali, Gjermani, Zvicër). Elbasani përdoret si vend tranzit por edhe si pikë tregtimi për konsum të brendshëm. Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet që të kemi zhvendosje të organizatave kriminale hierarkike në zonat rurale.
Diskutime rreth kësaj post