Një i ri dhe e fejuara e tij janë dënuar nga Gjykata e Tiranës për akuzat e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Bëhet fjalë për një çift nga Tirana, të cilët u fejuan në një moshë fare të re. Sipas vendimit të Gjykatës, të disponuar nga “Panorama”, shtetasi Albi Sh. 21 vjeç, ka shfrytëzuar për prostitucion të fejuarën e tij, shtetasen S.T., 20 vjeçe.
Rasti është zbuluar fillimisht nga familjarët e vajzës në vitin 2015, teksa kanë parë të afërmen e tyre në gjendje jo të mirë psikologjike. Kanë qenë nëna dhe motra e vajzës që prostituohej nga i fejuari i saj, që kanë zbuluar SMS-të komprometuese në rrjetet sociale të viktimës. Në përfundim të gjykimit, Gjykata ka vendosur të dënojë me 4 vjet e 8 muaj burgim të fejuarin për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe me gjobë vajzën. I riu ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, por e ka ankimuar vendimin në Apelin e Tiranës.
E MOTRA
Edhe motra e shtetases S.T. ka qenë në një linjë më nënën, teksa ka dhënë dy dëshmi kontradiktore, të cilat gjithsesi kanë fundosur të fejuarin Albi Sh. Më datë 13.05.2015, Xh.T. ka treguar para hetuesve se bisedën mes çiftit e ka parë përmes kompjuterit të saj, në të cilin më parë kishte punuar Albi Sh. Këtë bisedë, ku provohej prostitucioni, Xh.T. e ka ngarkuar në një USB dhe ia ka treguar nënës fillimisht dhe më pas është ballafaquar me motrën, S.T.Kjo e fundit e ka pranuar se është shfrytëzuar si prostitutë nga i fejuari dhe i ka thënë motrës:
“Është e vërtetë, por po u mor vesh, do të largohem ose do të vras veten”. Mirëpo, në dëshminë e dytë, më datë 24.07.2015, Xh.T. Ka thënë se, që pas ndodhive të para, gjërat kanë ndryshuar mes çiftit. Ata ishin fejuar dhe jetonin në Itali, sipas saj. Xh.T. ka thënë para hetuesve se nuk kishte vënë re ndonjë gjë të dyshimtë nëse S.T. shfrytëzohej sërish për prostitucion.
“Në periudhën që S.T. u largua nga shtëpia, unë kam takuar mamanë e Albit dhe i kam thënë për situatën që konstatova: Që Albi kishte detyruar S.T. të kryente marrëdhënie me meshkuj të tjerë kundrejt pagesës. Në kohën që po konkretizohej fejesa midis tyre, Albi, i penduar, më ka thënë mua se më mirë që e morët vesh, që ta ndërprisnim këtë situatë, pasi edhe ne nuk donim të vazhdonim më. Nuk diskutova gjatë me Albin, por më tepër kam folur me S.T., e cila ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me persona të tjerë kundrejt pagesës”, ka thënë Xh.T. në dëshminë e dytë sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës.
Diskutime rreth kësaj post