Dy ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në qytetin e Vlorës, ku shpërtheu me tritol makina e 25-vjeçarit Inez Hajrulla, familjarët kanë dhënë versionin e tyre. Pas hipotezave të hedhura nga mediat se kjo ngjarje mund të kishte lidhje me dy vrasjet e ndodhura në Vlorë dhe Durrës, familjarët i kanë hedhur poshtë.
Në një reagim për “News 24”, ata janë shprehur se atentati që iu bërë Inezit nuk ka lidhje me vrasjet e të afërmve të tyre. Ata thonë se kanë vite që nuk kanë komunikim me ta.
“Inezi nuk ka asnjë konflikt në Durrës. Ne i kemi dhënë pistat tona ku dyshojmë në polici”, janë shprehur ata.
Ndërkohë, 25-vjeçari mësohet se ndodhet në Spitalin e Traumës. Atij iu bë atentat teksa ishte duke lëvizur me automjetin e tij tip “Jeep”, në Vlorë.
Inez Hajrulla me precedent penalë kishte lidhje gjaku me Renato Imerin i ekzekutuar më 31 korrik 2017 pranë një lokali tek Lungomare, si dhe me 25-vjeçarin Endrit Çaushin, i vrarë më 21 dhjetor 2015 në një atentat në Durrës, bashkë me një mikun e tij Ervin Kodra.
Policia e Vlorës bëri me dije sot se Hajrulla ishte dënuar më parë për disa vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, vjedhje me dhunë dhe trafikim të mjeteve motorike, madje një vit më parë ishte arrestuar për “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe e municionit”.
Diskutime rreth kësaj post