Strukturat e Task Forcës së ngritur në zbatim të planit operacional “Forca e Ligjit”, kanë zbuluar 40 grupet kryesore kriminale, që veprojnë aktualisht në Shqipëri.
Kur kanë kaluar 3 javë nga nisja e këtij operacioni, që mbështetet edhe nga ekspertë të FBI, tashmë Policia ka një hartë me pikat strategjike ku janë evidentuar grupet kriminale.
Në bazë të këtij studimi, rezulton që qyteti më problematik është Durrësi.
Burimet thonë se vetëm në Durrës e Shijak janë evidentuar të paktën 7 grupe kriminale.
Vendin e dytë e mban Vlora me 5 grupe kriminale e më pas Elbasani, me të paktën 3 grupe kriminale që janë të skeduara ndër vite në dosjet e Policisë.
Po kaq grupe ka edhe Shkodra dhe Fieri, por në këto dy qarqe, Policia thotë se ka goditur nga një grup. Korça, Kukësi, Berati, Lezha, Gjirokastra dhe Dibra duket se ende nuk kanë ndonjë grup të identifikuar në kuadër të këtij operacioni.
Tirana, edhe pse qytet me një dinamikë të ngjeshur dhe një numër të lartë popullsie, nuk rezulton problematike në këtë drejtim. Veprimtaria e tyre shtrihet kryesisht në drejtim të kultivimit e trafikimit të drogës, vjedhjeve, por edhe krimeve të rënda si vrasje, gjobëvënie e pengmarrje.
Diskutime rreth kësaj post