Pas afro një vit qëndrimi në detin Egje, anija e Flotës Luftarake Shqiptare “Oriku” hodhi të dielën spirancën në kalatën numër katër të portit në Durrës.
Ajo u prit me të gjitha nderet në një ceremoni të veçantë, me pjesmarrje edhe të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. “1000 jetë të shpëtuara gjatë këtij viti, 1000 njerëz që falendrojnë flamurin e kuq dhe shqiponjën dykrenore. Falenderojnë e kujtojnë të gjithë ju ushtarakë të forcës tonë detare se u zgjatët dorë e shpresës dhe dritën e jetës, aty ku terrori i luftës dhe mungesa e së ardhmes, detyroi një kolonë të madhe njerëzore drejt eksodit larg nga Siria e Iraku”, tha Xhaçka.
Intervistë me Kapitenin e rangut të tretë, Silvan Boni dhe dy zonjat e para pjesë e misionit ndërkombëtar
Kapiteni i rangut të tretë, Silvan Boni, tha për ATSH-në se “Anija “Oriku” ka qenë pjesë e operacionit “Sea Guardian” gjatë një viti të tërë. Kontigjentet e njëpasnjëshëm që kanë shërbyer në këtë anije kanë dhënë ndihmësen e tyre në shpëtimin e jetëve të refugjatëve sirianë që tentonin të kalonin nga brigjet turke për të hyrë në brigjet greke.
Falë profesionalizmit të ekuipazhit të anijes “Oriku”, me mision në detin Egje, forcat detare shqiptare arritën të shpëtonin emigrantët që ishin nisur nga bregdeti turk dhe po udhëtonin drejt ishullit grek, Kios. Ata janë pikasur nga ekuipazhi i “Orikut”, që më pas ka sinjalizuar efektivët turq dhe grekë. Kapiten Boni tregon flet për atë moment.
“Eksperiencat kanë qenë të ndryshme. Ka pasur lëvizje nga emigrantët me gomone. Një prej tyre ka qenë një situatë e sikletshme për ekuipazhin tonë, sepse populli ynë i ka kaluar këtë situata, të kalimit të brigjeve me gomone. Na janë rishfaqur në ato momente situata në vitet ’90, ku populli ynë i ka kaluar këto situata, pra të kalimit të brigjeve me gomone, ndaj kur pamë refugjatët u rikujtuam për të kaluarën. Në një rast, disa trupa kanë qenë jashtë gomones, pra janë hedhur në ujë. Aty ka qenë pak komplekse situata. Ndihmesa jonë ka ardhur në kohë, roja bregdetare turke dhe ajo greke kane qenë në rajon, për të dhënë ndihmën për shpëtimin e jetëve. Deri në përfundim të operacionit kemi qenë aty në zonën e operacionit dhe për fat të mirë nuk pati humbje jete. Në këtë rast që po flasim, kanë qenë 65 persona në bordin e gomones, nga të cilët 23 fëmijë e 18 gra, ndërsa pjesa tjetër burra. Të jesh pjesë e një misioni ndërkombëtar në rradhë të parë është privilegj, sepse t’i shërbesh flamurit kombëtar, pavarësisht se jemi në Komandën e NATO-s dhe përgjegjësi kur ke të bësh me jetë njerëzish. Ky mision ishte tepër i veçantë për këtë ekuipazh, për të gjithë ekuipazhet që kanë qenë pjesë e misionit “Sea Gurdian”.
Më tej ai tha se nga ajo ngjarje, ende në mendjen e tij kanë mbetur klithmat e grave dhe fëmijëve të hedhur në det. “Momenti i klithmave të grave dhe fëmijëve ka qënë rrënqethës për mua”, përfundon ai për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Për herë të parë, pjesë e ekuipazhit ishin edhe dy zonja. Togere Aurela Bala dhe rreshtere Esmeralda Murati, ishin dy zonjat e para të Forcave të Armatosura shqiptare, pjesë e një operacioni ndërkombëtar detar. Ato treguan diçka më shumë rreth misionit të tyre dhe ngjarjes së shpëtimit të refugjatëve sirianë.
Togere Aurela Bala tha se “Detyra jonë primare është shpëtimi i jetës së emigrantëve. Profesioni im do të thotë gjithçka. Të jesh shqiptare dhe të shpëtosh jetë njerëzish, nënkupton krenari për flamurin e vendin tonë”. Ajo foli gjithashtu edhe për refugjatët që u shpëtuan.
“Në atë moment ne ishim në detyrat përkatëse u dha komanda dhe dolëm. Momenti i parë ishte pak i vështirë sepse të pamë njerëz në ujë, fëmijë të vegjël e gra. Ata kishin mundësinë e mirë që ne ishim pranë dhe arritëm t’i shpëtojmë që të gjithë. Në ato momente kujtova të gjithë shqiptarët e viteve 90-97”, përfundoi Bala.
Rreshtere Murati tha se çdo gomone kishte mes tyre fëmijë e gra.
“Isha pjesë e një misioni ndërkombëtar, të cilin unë e cilësoj dinjitoz dhe human. Ishte kënaqësi dhe përgjegjësi që dhashë kontributin tim dhe përmes misionit, ku arritëm të shpëtonim shumë jetë emigrantësh. Çdo gomone që u kap kishte gra edhe fëmijë. Në rastin e fundit, kishte fëmijë të vegjel dhe ishte shumë e vështirë për një nënë si unë. Ishte e dhimbshme sepse menjëherë të shkonte mendja për emigrantët shqiptarë që largoheshin në vitet 1990 apo 1997 nga vendi yne”.
E pyetur nëse do ta rimendonte një mision të ardhshëm, ajo u përgjigj: “Do të isha gati dhe do t’i përgjigjem atdheut në çdo thirrje, për të ngritur lart flamurin shqiptar. Unë jam ushtarake, kjo punë kërkon sakrificë, por dëshira për t’i shërbyer vendit është më e madhe. Ndaj, jam gati edhe për një mision tjetër, nëse do më jepej mundësia”, tha rreshtere Murati.
Pas anijes “Oriku”, trupa shqiptare do të jetë sërish pjesë e një misoni krah aleatëve në NATO-s në vitin 2018. Kësaj herë ky mision i është besuar kontigjentit të anijes “Butrinti”, që është e pajisur edhe me armatime të veçanta.
Diskutime rreth kësaj post