Marrë nga gazeta TemA, rubrika satirike “Antena Brenda Familjes”
Pas publikimit të studimit mbi blerjen e votave në Ballkan, ku përfshihet dhe Shqipëria, është arritur në përfundimin se 20 për qind e votuesve kanë pasur ofertë për t’u blerë, ose për të këmbyer votat për ndere.
Fevzo shpjegoi sot se ishte në dijeni të këtij studimi nga shërbimet sekrete gjermane dhe ato italiane, para se të bëhej publik.
Sipas Fevzos, shërbimet sekrete kanë zbuluar se e vetmja parti që nuk blen vota, ka qenë LSI.
“Ajo nuk ka bërë asnjë ofertë për blerje dhe as për vende pune.
Zonja Kryemadhi që udhëqi fushatën, u thoshte njerëzve se ne jemi parti e tipit skandinav, që nuk e durojmë dot korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndaj mos prisni që të bëjmë oferta korruptive.
Në disa raste në Elbasan, Lezhë apo Fier, LSI ka denoncuar disa qytetarë që u janë ofruar të shesin votën dhe e kanë konsideruar këtë si krim.
Biles në disa raste, vetë zoti Meta ka shkuar i revoltuar të përplaset dhëmbë për dhëmbë me ata që kanë pas nxjerrë votën në shitje.
Pastaj partia tjetër që ka refuzuar të blejë vota, apo të ofrojë ndere, ka qenë partia e komunitetit çam, PDIU.
Ata kanë pas si kauzë vetëm çështjen kombëtare.
“Çamëria nuk blihet me lekë, por me zemër”, ka qenë kauza e tyre.
Dhe mijëra çamë në Elbasan, Peqin dhe Dibër kanë votuar masivisht për ta.
Vetëm Shpëtim Idrizi që kishte nam si doganier, u refuzua, se dyshonin se blinte vota.
E treta që nuk ka blerë asnjë vote, ka qenë PBDNJ e Deles.
Ata biles kanë bërë thirrje jo vetëm të mos paguajnë për vote, por dhe vetë votuesit pro grekë të Himarës, të mos votonin masivisht për PD, se rrezikohej që përveç Dules, të hynte në Kuvend dhe Dashi i Havasë.
Fatmir Mediu po ashtu nuk ka blerë asnjë votë.
Ai ka dhënë urdhër të prerë se po pa ndojë nga partia që do blejë vota, do ta përjashtonin nga partia, pasi çdo votë për Partinë Republikane, është votë për PS, pasi ai vetë ishte në listë të PD-së.
Pastaj dy partitë kryesore, PD dhe PS, kanë blerë vota.
Por dhe këtu ka disa nuance”.
Tek PD, sipas Fevzos, ka funksionuar ndryshe:
“Aty nuk është blerë votë nga qytetarët, por është blerë vendi në listë.
Edhe PD, edhe PS, kanë shitur vendet në listë.
PD ka shitur vendet nga i pari tek i pesti, ndërsa PS nga i pari tek i shtati.
Me lekët e fituara nga shitja e vendeve në lista, PD e PS kanë blerë pastaj popullin.
Shërbimet sekrete kanë bërë të ditur se kandidatët që ishin pas vendit të 5-të tek PD dhe pas vendit të 7-të tek PS, blinin vota me shpresë se do futeshin në lista, kurse ata që ishin para këtij numri nuk blinin vota, se kishin blerë vendin në lista.
Kështu u shkaktua një pakënqësi e madhe, pasi edhe pse blenë vota, ata nuk fituan gjë dhe pastaj kanë raportuar te shërbimet sekrete.
Biles një deputet i PS, që nuk ka fituar, bëhet me dije se ka tentuar të hidhet nga ballkoni, pasi ka humbur lekët dhe është parë duke mallkuar popullin.
Shërbimet sekrete po hetojnë dhe për korrupsion brenda PD, pasi megjithë leket e blerjes së votave, ata kanë humbur 240 mijë vota.
Kjo rrit dyshimet se lekët e mbledhura për blerje votash janë çuar në SHBA për fotografinë me Trumpin.
Kjo po vazhdon të hetohet dhe në ditët në vazhdim do të shikojmë nëse PD ka blerë vota apo fotografinë e Trumpit.
Edhe tek PS ka dyshime për abuzime, pasi ka të dhëna që Ed Rama ka blerë tutat me lekët e mbledhura për blerje votash.
Taulant Balla është regjistruar në një bisede private të ketë thënë se “na griu ky Rama, na i bëri lekët brekushe”.
Sidoqoftë, në ditët në vijim do zbardhet gjithë e vërteta”
Diskutime rreth kësaj post