Nga Andrea Danglli
Vlerat e lajmit janë duke u ngatëruar keqas pasi gazetari çdo ditë e më tepër po i ngjason një kuzhinieri që servir mbi tryezë ushqimin më të shijuar nga klienti.
I shëndetshëm apo i dëmshëm, i shtrenjtë apo i lirë, cilësor apo i keq, mjafton që klienti të fshijë buzët mirë dhe kjo ka rëndësi për të pasi është alternativë efikase për të xhiruar para.
Pothuajse e njëjta lojë përdoret edhe tek “gatimi” i lajmit që gazetarët nxjerrin nga kuzhinat e tyre për audiencën e uritur.
Çdo ditë apo thënë më saktë çdo moment, ne bombardohemi me informacione të cilat disa i kalojmë pa i kushtuar rëndësi dhe një pjesë tjetër duke i ndjekur me vëmendje.
Natyrisht që Shqipëria ka 1001 halle, por unë sot kam vendosur që të trajtoj lajmet e vogla, të thjeshta apo të “paragjykuara” nga lexuesi si të pa rëndësishme.
Në të shumtën e rasteve ato zënë dritare inekzistente të ndonjë portali, fundin e ndonjë gazete apo fragmentin e ndonjë kronike që as vetë shkruesi nuk i rikthehet për t’a parë.
Edhe pse dukshëm kemi fituar imunitet ndaj tyre, nganjëherë tek to fshihen çështje të mëdha që kanë nevojë të shikohen, trajtohen dhe zgjidhen.
Më poshtë po bëj një renditje hirearkike të vlerave të tyre për të komentuar se si kanë ardhur ato në optikën time.(Nuk po merrem me lajmet e forta të javës pasi ato keni pasur mundësinë t’i lexoni gjerësisht në çdo media ku analistët nuk kanë lënë shteg pa komentuar)
4. “Shtëpi publike” për xhaxhain
Në vend të katërt kam pozicionuar një ngjarje në dukje banale. Një 29 vjeçare denoncoi e nxehur përpara efektivëve të Komisariatit 4 në Tiranë se një 68 vjeçar e përndiqte prej 4 muajsh dhe i kërkonte raport seksual. Ky lajm mori veç disa reshta të shkurtra nëpër portale dhe ndonjë titull provokativ pa shkuar më larg. Përtej këtij lajmi në dukje qesharak, unë do të sillja në vëmendje një çështje e cila shtrohet shpesh në media por nuk gjen zgjidhje: “shtëpitë publike”.
Një mashkull a femër e pamundur nga mosha, gjendja ekonomike, fatkeqësitë e jetës, pozicioni social apo nga ndonjë problematikë tjetër, kanë nevojat e tyre biologjike. Për fat të keq ata nuk gjejnë zgjidhje në rrugë legale dhe natyrisht do t’i drejtohen udhëve të tjera si ky zotëri.
Këtu nuk e kam fjalën për ngjarjen në fjalë, por fenomeni në tërësi është shqetësues dhe psikologët bashkë me sociologët duhen marrë seriozisht kur flasin për nevojën e shtëpive publike të kontrolluara që ofrojnë seks të mbrojtur.
Nuk e kuptoj pse duhet të jetë ende tabu pasi në dokumentet e fund-viteve 1930 zbulojmë një Tiranë tjetër e cila ishte e njohur hershëm me shtepitë publike, ose bordellot siç njihen në gjuhën popullore. Më shumë se sa tabu do ta quaja mungesë vullneti pasi dëshira ekziston në ilegalitet.
3. Dita e Falenderimeve dhe festat e importuara
Ditën e Falenderimeve e kam kaluar duke shërbyer pranë Qendrës Sociale të Shërbimit Ditor në Kombinat ku njoha një grup të moshuarish që jeta i kishte përplasur keqas tani në pleqëri.
Mungesa e fjalës “faleminderit” e kishte bërë bashkë moshën e tretë në një hapësirë ku ata ishin familjarizuar atje më mirë se në katër muret e banesës. Historitë e disa prej tyre ishin të trishta, thuajse ç’njerëzore për fëmijë që kyçin zemrat për prindërit.
Në vazhdën e festave me origjinë amerikane të cilat i kemi importuar, më erdhi keq që kjo festë nuk është mishëruar ende plotësisht në vatrat tona.
Ashtu pa e kuptuar ne kemi harruar që të skuqemi, të nxihemi apo të zverdhemi edhe pse nuk e pranojmë dot këtë fakt. Sa keq që i dhamë më shumë hapësirë zhgaravinave të Halloween-it se sa festave të tilla që përcjellin një mesazh të madh: “Mirënjohjen!”
2. Z. Janullatos, shpëtoni vetë nga “djalli”
Mes lumit e llumit të prurjeve që solli Panairi i Librit, kishte gjetur vend edhe botimi i një teksti me titullin “Diaj” ku në kopertinë stampohej profili i kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autofale Shqiptare Anastas Janullatos. Pavarësisht gjykimit tim mbi rolin e Janullatosit, ndërhyrjet e tij në çështje politike apo binjakëzimin e ortodoksisë shqiptare me atë greke, unë dënoj botimin e një libri që ngjall urrejtje dhe dhunë fetare.
Panairi rinxori në skenë një shqetësim që u largua pa u ndjerë ndaj edhe e kam pozicionuar në vend të dytë.
Ai në gjykimin tim ishte një xhungël botimesh ku gjithkush që posedonte dëshirën dhe paratë, kishte mundur të nxirrte në treg penën e tij apo shqipërimin e një pene tjetër.
Natyrisht që s’më takon mua për të bërë analizë klasifikuese ku të them se cili libër duhej dhe cili material nuk duhej publikuar pasi kjo i takon ekspertëve të fushës.
E parashikoj që ndokush do të heqë një paralele mes kësaj që po them unë dhe censurës së komunizmit por propozimi që sjell është tjetër gjë. Mendoj se nuk mund të hedhim në botim çdo esse gjimnazi, frymëzim keqdashës apo çdo material që mund të ndosi ujrat e kulturës sonë. Ndaj në të tilla kushte është e nevojshme të institucionalizojnë një rregullator botimesh.
1. Syrit që i doli edhe bebja edhe nami
Si lajm më të rëndësishëm të javës nga informacionet që nuk bënë zhurmë, do të veçoja një abuzim që po bëhet virozë në median shqiptare.
Në gjykimin tim përbën skandal fakti që një portal në Shqipëri ka prodhuar me dashje apo pa dashje “Fake-news” për audiencën ku lakohet emri i ambasadorit amerikan Donald Lu si i përfshirë në një skandal.
Referuar këtij lajmi ambasadori i SHBA-ve Donald Lu mësohet të ketë marrë 200 mijë euro për t’i fshirë emrin nga lista e zezë kryebashkiakut të Kurbinit. Informacioni bazohej tek një profili anonim në Facebook, të quajtur Dardan Gashi. Sipas tij ambasadori ka qenë në një event në Kurbin gjatë “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve” kur ka bërë pazaret mbi këtë çështje.
Më vonë lajmi u përgënjeshtrua vetë nga portali ku shkroi se bëri disa verifikime dhe Lu nuk ka qenë në këtë qytet. Gazetarët përgjegjës nuk kërkuan falje dhe e mbyllën me kaq skandalin e shurdhët.
Pyetja që shtrohet natyrshëm është se me ç’të drejtë përgojohet pa fakte emri i një diplomati të lartë në vendin tonë duke e sulmuar dhe shkelur imazhin e tij me lajme të tilla që do të guxoja t’i konsideroja si gomarllëqe?
A nuk mund të verifikohej paraprakisht ky lajm së paku në disa burime përpara publikimit apo edhe të lajthiturit anonim të Facebook-ut do të bëhen bazë informacioni?
Ky problem është shndërruar në fenomen edhe nga media të tjera të cilat mbase nuk duhet të kapërdihen kaq lehtë ku gjithkush shan gjithkënd dhe nuk mban përgjegjësi.
Është e nevojshme për të pasur një institucion që të kontrollojë dhe ndëshkojë shpërthimet, bombat apo predhat e luftëtarëve të fjalës që veç për liri nuk po shkruajnë.
Diskutime rreth kësaj post