Kryeprokurori i Shqipërisë është në ditët e fundit të mandatit të tij kushtetues. Pas një gjumi të gjatë letargjik që shoqëroi gjithë periudhën kur ai drejtoi organin e akuzës, papritur u kujtua që në fotofinish të linte një gjurmë duke marrë rol protagonisti. Ai është marrë në mbrojtje juridiko- politike nga opozita, e njëjta që e votoi këtu e pesë vjetë të shkuara. Kjo opozitë është avokatja më e keqe që mund t’i vijë kryeprokurorit në ikje, pasi ajo është mishërimi më i keq se si e kanë grisur Kushtetutën me heqjen e të gjithë kryeprokurorëve që kanë gjetur kur kanë ardhur në pushtet. E nisën me shkarkimin e paligjshëm të Maks Haxhisë dhe e bitisën me zonjën Ina Rama.
Historia e tyre e zezë në këtë drejtim nuk u jep as të drejtën morale që të bëhen flamurtarë të mbrojtjes së kryeprokurorit në ikje. Aq më tepër që mazhoranca aktuale nuk po e shkarkon, por thjesht po e zëvendëson përkohësisht me dikë tjetër, meqë atij i mbaron më 3 dhjetor mandati kushtetues.
Është e dukshme se kjo opozitë ka gjetur tek ai njeriun e duhur nga i cili nuk rrezikohet për gjëmat që i ka shkaktuar këtij vendi. Dhe, përveç mos ndjekjes penale, ajo merr si shpërblim edhe informacione konfidenciale të sekretit hetimor të cilat i shpalos paraprakisht si denoncime pas të cilave nisin më pas edhe proceset penale nga organi i akuzës. Ky devijim informacioni jo vetëm synon të lartësojë figura të diskredituara të opozitës si njerëz që denoncojnë krimin dhe korrupsionin, por janë edhe një mënyrë efikase për të sabotuar hetimet.
Sigurisht, sepse dekonspirimi u jep kohë të implikuarve të ikin dhe duke mos u qartësuar çështjet, pra duke mbetur të mjegullta, ato janë më te lehta të bëhen sallaturinë e luftës politike. Këtu po e mbyll me aspektin e mbrojtjes politike që po i jep opozita dhe po rikthehem sërish aty ku e nisa, tek zgjimi prej gjumit letargjik që kish kapluar kryeprokurorin në ikje.
Ky kryeprokuror kishte shumë në dorë për të bërë histori në organin e akuzës. Bile, përpara ndryshimeve kushtetuese, kishte edhe më shumë në dorë, pasi ligji i njihte më shumë fuqi ekzekutive se sa ka sot pas këtyre ndryshimeve. Kishte kaq shumë material kompromentues për shkelje ligjore të kryera nga qeverisja 8 vjeçare e opozitës së sotme, por që kurrë s’e vuri ujin në zjarr t’i hetonte e t’i çonte përpara bankës së të akuzuarve. Edhe kur vetë qeveria aktuale dërgonte dosje abuzimesh në organin e akuzës, ato kalonin në heshje deri sa harroheshin në sirtarët e vartësve të Tikut. Aq e pashpresë u bë kjo situatë, saqë mazhorancës aktuale i humbi dëshira të bënte më kallëzime penale.
Kjo për faktin e thjeshtë sepse këto kallëzime po ktheheshin në nder që i bëhej opozitës së sotme. Po, po, nder! Nuk ka nder më të madh se sa të kallëzohesh penalisht dhe prokuroria të t’i mbyllë çështjet pa i hetuar fare dhe ti, si i akuzuar, atë vendim pushimi e tund ekran më ekran duke thënë se je i pafajshëm.
Për të mos mbetur thjesht në teori, po e konkretizoj me një shembull të freskët, meqë shembujt e vjetër tashmë quhen të harruar dhe të “amnistuar” nga koha. Për prokurorinë ka një vit zero nga i cili duhet të nisin hetimet; ai është shtatori 2013 e këtej. Se ç’është bërë andej e tutje quhen kapituj të mbyllur meqë populli e ndëshkoi politikisht me votë opozitën e sotme dhe drejtësia këtë e konsideron si masë të rëndë ndëshkimore para se cilës ndëshkimi penal është një pesë me hiç.
Le të kthehem tek argumenti im, pra te shembulli që dua të sjellë. Siç dihet mazhoranca aktuale ndërmori një nismë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e ish kompanisë CEZ, aferat e pista të të cilës mpleksën një sërë zyrtarësh të lartë deri në rang kryeministri. Hetimi parlamentar ishte ligjor dhe shumë serioz, me fakte e prova shkresore e të dokumentuara, një dosje e kopsitur pastër e saktë, me emra konkretë, dosje e cila u referua në prokurori. Ç’bëri ajo?, do thotë ndonjë që nuk e di ende historinë e saj.
As e hetoi, as e çoi në gjykatë, por i futi një të pushuar, duke i bërë nderin e radhës opozitarëve të sotëm që u përmendej dendur emri në këtë aferë korruptive.
Doni më për Belulin?! Ja edhe një shembull taze i freskët. Ka tri ditë që është zbuluar se PD ka paguar me rreth 1 milionë dollarë një kompani lobuese amerikane duke i kanalizuar transfertat e parave në parajsa fiskale. Shumat e përmendura tejkalojnë ato që kjo parti ka deklaruar në KQZ për shpenzime të fushatës elektorale, çka përbën një shkelje flagrante të ligjit edhe në kuadër të vetë transparencës që po kjo parti kërkonte nga mazhoranca si një nga pikat e marrëveshjes së 18 majit.
Për analogji historike, kujtoj se fundi i karrierës të të madhit përbashkues të Gjermanisë, Helmut Kohl, erdhi për shkak të donacioneve të dyshimta që kish marrë partia e tij CDU. Pyetja pa përgjigje të cilën nuk e heton prokuroria është: Ku i gjeti donacionet e padeklaruara Partia Demokratike me të cilat pagoi në të zezë lobistën amerikanë? As këtë çështje kjo prokurori nuk e heton, por tregohet e zellshme ndaj një shume të njëjtë parash të një biznesmeni shqiptar që i ka të justifikuara me letra të ardhurat për të cilat akuzohet i biri.
Mos hetimi i përfaqësueve të opozitës kur mbi ta rëndojnë akuza konkrete, me fakte e prova, dhe zelli për t’u marrë vetëm me mazhorancën, po e nxjerr zbuluar kryeprokurorin në ikje si të përdorur politikisht në funksion të mandatit që i skadon. Nëse paraardhësit e tij u shkarkuan padrejtësisht dhe ikën me nder, ky po e lë detyrën me përfundim mandati por me një ikje të shëmtuar e pa lavdi.
Dhe, meqë është ende në kohë deri më 3 dhjetor, dua t’i përsëris sërish një pyetje që ia kam pas bërë më herët: ore, po me atë garantin që mbante spaletat e kryeministrit e që merrte solemnisht përsipër përpara gazetarëve se ishte vullneti i tij politik që nuk lejonte organet ligjzbatuese të ndërhynin për të çrrënjosur drogën 4.5 miliardë dollarëshe nga Lazarati, çfarë u bë??!!
Diskutime rreth kësaj post