Gjashtë javë pas lirimit, ish-deputeti Mark Frroku rrezikon të rikthehet sërish në burg, kësaj radhe për veprën penale të kallëzimit të rremë.
Prokuroria e Tiranës dorëzoi në gjykatë pretencën ndaj Mark Frrokut, deputetit Tom Doshi dhe Durim Bamit, të tre të akuzuar për kallëzim të rremë në lidhje me një atentat të supozuar ndaj Doshit. Për secilin nga të pandehurit, të cilët nuk u paraqitën vetë në gjykatë, organi i akuzës kërkoi dënimin me nga 1 vit burgim.
Por, duke qenë se gjyqtari i çështjes Bledar Abdullai ka pranuar gjykimin e shkurtuar, automatikisht ulet një e treta e masës së kërkuar dhe përfundimisht kërkesa e prokurorisë është 8 muaj burgim për secilin.
Sipas konkluzioneve të prokurorisë, Doshi, Frroku dhe Bami kanë deklaruar të dhëna të rreme në lidhje me një atentat që supozohej se ishte organizuar për eleminimin fizik të deputetit Tom Doshi. Nga verifikimet e akuzës ka rezultuar se këtë fakt e ka deklaruar i pari Mark Frroku në një takim që ka patur me Doshin.
Madje ka qenë Frroku, që sipas prokurorisë e ka prezantuar Tom Doshin me Durim Bamin, personi që duhej të kryente atentatin me porosi të ish-kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta. Pikërisht për këto dëshmi të rreme prokuroria i ka akuzuar për kallëzim të rremë.
Ndërsa avokatët e tre të pandehurve, ndonëse kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, nuk e kanë pranuar akuzën dhe pretendojnë në pafajësinë e klientëve të tyre. Gjykata i la dy javë kohë avokatëve mbrojtës për të përgatitur mbrojtjen përpara se të shprehet me vendim përfundimtar.
Diskutime rreth kësaj post