Pas çeljes zyrtare të fushatës elektorale, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot 6 nga 36 kandidatët për deputetë në kryeqytet. Kandidatët Luljeta Bozo, Ulsi Manja, Ermonela Felaj, Alqi Bllako, Dallëndyshe Bici dhe Vahid Shaba, rrëfyen në një prezantim ndryshe ambiciet e tyre, idetë, por edhe pjesë të panjohura për publikun mbi familjen dhe jetën private. Veliaj tregoi për herë të parë se si arriti të bindë inxhinieren e ndërtimit, Luljeta Bozo, të kandidojë dhe përfaqësojë PS-në në Parlamentin e ardhshëm.
“Kam një sekret të vogël, që s’ia kam thënë askujt. Fillimisht fola me vajzën tënde, Lilën, të cilës i them se kandidimi juaj do të ishte diçka fantastike, sepse do mund të përfaqësohej një grupmoshë që s’ka pasur kurrë një përfaqësim dinjitoz në Parlament.” u shpreh Veliaj.
“S’kisha ndërmend t’i hyja politikës, por ishte ftesa juaj që më bindi”, pohoi edhe vetë Luljeta Bozo.
“Shtysa e dytë ishte një dëshirë e njerëzve pas tërmetit, të cilët më thonin: ‘Ja, disa njerëz si ty duhet të na drejtojnë’”, u shpreh inxhinierja Bozo.
Deputeti i PS, Ulsi Manja rrëfeu se sfida më e madhe për të ka qenë reforma në drejtësi.
“Kam 25 vite punë, 13 vite në sistemin e drejtësisë dhe 12 i kam në politikë. Nëse do përpiqem të mendoj kush ka qenë sfida e një vendimmarrje të vështirë, orë e netë pa gjumë, janë përpjekjet për të ngritur organet e reja të sistemit të drejtësisë, sepse reforma në sistemin e drejtësisë ishte kryereforma e këtyre 30 viteve,” tha Manja, duke treguar se në të njëjtat “gjurmë” është dhe vajza e tij që studion në Fakultetin e Drejtësisë.
Deputetja Ermonela Felaj rrëfeu se jeta si politikane pë të ka ardhur pas një eksperience të gjatë në sistemin e gjyqësorit shqiptar.
“Pasi mbarova Shkollën e Magjistraturës kam punuar për gati 9 vjet prokurore, fillimisht në Fier dhe pastaj në Berat. Berati ishte një territor i vështirë, sepse ’97 i shkaktoi një traumë të jashtëzakonshme. Aty u dogj gjykata në ato vite, u dogj prokuroria, u dogj edhe komisariati i Policisë, ishte tejet e vështirë. Megjithatë, sprovat mesa duket shpërblejnë, sepse të hedhin në të tjera sprova dhe përgjithësisht mua kështu më kanë ardhur gjërat edhe në rrugëtimin e jetës edhe në atë politik,” rrëfeu Felaj.
Alqi Bllako, i cili për herë të parë garon për deputet, shpjegoi se si ia ka dalë që të reformojë Ujësjellësin e Tiranës, një ndërmarrje deri dje e falimentuar.
“E mbaj mend fare mirë që ne trashëguam një ndërmarrje të Ujësjellësit në Tiranë, e cila ishte krejtësisht e falimentuar, ndërkohë që sot është ndërmarrja më rentabël në nivel kombëtar, arritëm të dyfishonim sasinë e ujit të prodhuar, arritëm të dyfishonim sasinë e ujit të filtruar dhe padiskutim që falë marrrëveshjeve të nënshkruara i gjithë territori i Bashkisë Tiranë të përfitojë ujë 24 orë,” u shpreh Bllako.
Dallëndyshe Bici, drejtuesja e mirë e IKMT-së, ka ndarë me publikun momentet e vështira të kësaj sfide.
“Puna relativisht ka qenë shumë e vështirë. Ne kemi bashkëpunuar ditë për ditë për territorin, sepse të dy së bashku e duam shumë këtë territor, nga gjërat më të vogla deri te projektet më të mëdha. Vështirësitë që kemi hequr së bashku, zgjimi në 05:00 të mëgjesit, më është dashur të ngre zërin, por besoj se ia kemi arritur. IKMT ka qenë beteja e parë në çdo sfidë, në çdo investim që ka bërë qeveria shqiptare,” tha Bici.
Vahid Shaba, i cili kandidon në Kavajë rrëfeu se me fitoren e Partisë Socialiste qyteti ku ai jeton, nga një qytezë deri dje pa jetë e pa rrjet kanalizimesh, sot është transformuar totalisht me qendrën e re urbane dhe të gjithë shërbimet dinjitoze për qytetarët.
Diskutime rreth kësaj post