Xhuliana Noci është 73-vjeçe, edhe pse me peshën e viteve, atë e gjejmë në çdo panair, nga Veriu në Jug, e përtej kufijve për të shitur punimet e saj të dorës.
Nuk e humbi as mundësinë për të qenë pjesë “TiranAgro” të organizuar në sheshin ‘Skënderbej’.
E moshuara nga fshati Juban i Shkodrës, thotë se ishte vetëm 15-vjeçe kur nisi të thurte në tezgjah, me shtiza dhe grep, për të mos u ndalur dhe sot pas 58 vitesh.
Nuk e bën për para, por pasioni nuk e lë që të pushojë në asnjë moment.
“Unë jam Xhuliana Noci, nga fshati Juban i Shkodrës, 73=vjeçe. Shaje, breza, këmisha, triko leshi. Çfarë të duan njerëzit me ble. Jam marrë me punime qysh në moshën 15=vjeçare. Fillimisht bëra pajën time. Më ka mësua nëna, me end, me punuar. Kam punuar vajzë derisa jam martuar. Edhe kur u martova, punova prap për të mbajtur familjen time, veten. Veç meraku nuk më le pa punuar. Nevojë për bukë goje nuk kam. Kam dëshirë me punuar. Unë endi, derisa bëj 5 mijë fije. E punoj me dorë. I bëj në tezgjah. Këmisha do 4 ditë me u bë, pastaj me e pre dhe qep. Lodhje kam, boll, por dëshira e madhe nuk e ndjej shumë lodhjen”, tha artizania.
Ndonëse zanatin ja ka mësuar edhe pasardhësve të saj, ajo thotë se askush nuk e dëshiron, pasi mundi i madh nuk shpërblehet.
“Kam mësuar mbesat dhe nuset e djemve, por nuk e kan me qejf se thonë është punë e rëndë. Do të luash këmbët, duart, të mbledhësh fijet. Me mend çdo gjë. Panairin, një herë në muaj e dua një. Sot më kanë blerë të jashtëmit më shumë. Ju duken shtrenjtë. Inshallah më ndihmon zoti në 4 ditë. Dy herë në javë dalim tek 50 lekëshi në Shkodër. Jemi shumë dhe na takon rrallë me punuar. Për sa kemi qenë në panaire kemi shitur mirë boll”, tregoi e moshuara.
Punimet e saj, të endura aq bukur i shet nga 3 qind lekë deri në 8 mijë lekë, e ata që i preferojnë më tepër janë shqiptarët e diasporës dhe të huajt që vijnë në Shqipëri.
“Mi blejnë në panaire. Kam qenë në Sarandë, Ulqin, erdha këtu dhe me ndihmë të zotit dua të shkoj në Gjirokastër. Më kanë ardhur dhe nga Plava e Gucisë. Kam dërguar dhe në Amerikë. Kam bërë lokale në Tiranë. Punimet e mia, për të marrë hakun një mbulesë duhet të marr 45 mijë lekë. Këmisha i shes 20-25 mijë lekë. I blejnë njerëzit çorapet e leshit për dimër. Puna e dorës nuk i paguhet haku. Është e zorshme dhe me vlerë. Pa më lënë, nuk kam në mend që ta lë. E kam shumë me dëshirë. Çmimet variojnë nga 7 mijë deri në 80 mijë lekë”, përfundoi Xhuliana.
Së bashku me Xhulianën, në panair ishin pjesë dhe 150 fermerë dhe artizanë të tjerë, të cilët kishin ardhur nga çdo cep për të promovuar prodhimet e tyre autentike.
Panairi do të zgjasë 4 ditë, nga data 21 deri më 24 shtator.