Tkurrja e popullsisë është një problem global, që padyshim nuk i ka shpëtuar as vendi ynë. Problemet ekonomike dhe sociale kanë ndikuar ndjeshëm në vendimmarrjen e të rinjve e të rejave që druhen të planifikojnë një jetë të re përkrah një bashkëshorti ose bashkëshorteje.
Shumë prej tyre kanë zgjedhur të largohen nga Shqipëria për të zhvilluar profesionet e tyre, pse jo, edhe për një jetë më të mirë.
Statistikat e fundit të nxjerra nga “Censi” kanë treguar se shumë të rinj dhe të reja janë ende beqarë. Sigurisht dhe logjikisht mosha e të vegjëlve deri në 14 vjeç është më e larta me një numër popullsie prej 373 mijë persona. Në total, sipas “Censit” numri i njerëzv që janë beqarë është 880122.
Vlen të evidentohet një fakt interesant që pjesë e këtyre janë edhe persona që i përkasin moshës së dytë apo të tretë. Kësisoj nga mosha 50 vjeç e lart janë plot 31175 persona beqarë. Nga “Censi” rezultoi se Shqipëria ka 2.4 milionë banorë, praktikisht më shumë se 1/3 e tyre nuk janë të martuar. Beqarë janë më shumë meshkuj se femra, respektivisht 490507 kundrejt 389615.
Popullsia banuese në Shqipëri, sipas numërimit në momentin e censit – mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023 rezulton 2,402,113, prej të cilëve, 49,6 përqind janë meshkuj dhe 50,4 përqind femra.
Referuar Censit të Popullsisë dhe Banesave 2011, popullsia banuese në Shqipëri ishte 2.821.977, me një rënie prej 420 mijë banorë. Kjo rënie përshtatet me trendin e vërejtur gjatë tre dekadave të fundit, që prej Censit të vitit 1989.
Diskutime rreth kësaj post