Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mbrëmjen e sotme ka mbyllur fushatën në Tiranë. Ish-kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë kandidatin e opozitës, Belind Këlliçi. Ai shprehu mirënjohjen për kandidatët e 61 bashkive si dhe mbështetësve të fushatës.
Berisha: Një mirënjohje të pakufishme qindra mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, pensionistëve dhe të moshuarve, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i dhanë fushatës së koalicionit tonë, fushatës së kandidatëve të lirisë. Me mbështetjen e tyre, besimin e tyre, ju i sollët Shqipërisë dhe shqiptarët, pranverën e bukur, pranverën e fitores. Një mirënjohje e pakufishme ndaj Belind Këlliçit dhe 61 kandidatëve të primareve, të cilët shkëlqyen si yje të vërteta të lirisë me fushatën e tyre, me takimet, me bisedat, me projektet, me programet.
Berisha theksoi edhe një herë se kandidatët e primareve janë kandidatët e fitores, janë kandidatët e lirisë.
Berisha: 48 orë na ndajnë nga fitorja. Dilni në votime, mos harroni se njeriu që ka frikë nga veprat e tij, se njeriu që ka frikë nga vjedhjet që ju ka bërë, se njeriu që ka frikë nga krimet e tij, kalon si hije nga sheshi në shesh dhe u bën thirrje mos dilni në votime. Kalon në skuta dhe shpërndajnë para. Këtu para jush do t’i them Edi Ramës, mbaje mend se mund të vjedhësh ndonjë votë, por lumin kurrë nuk e vjedh dot. Të garantoj se rryma e ndryshimit dhe e fitores do të të marrë përpara, do të të cojë atje ku e meriton. Edi Rama hiq dorë se populli është në këmbë, shqiptarët janë më të vendosur se kurrë të mbrojnë liritë e tyre.
Diskutime rreth kësaj post