Eranda Dishani, një vajzë e re nga Vlora e diplomuar për mësuesi, ka zgjedhur të ndjekë pasionin e saj, ku pavarësisht studimeve dhe diplomës Dishani ka zgjedhur të punojë si shofere autobusi, në një agjenci udhëtimesh.
Shumë shpejt ajo zbuloi se pasioni i saj është në rrugë e jo në klasë, ndaj nisi eksperiencën e saj ne drejtimin e mjetit në linjat ndërkombëtare, duke arritur të thyejë kështu edhe tabutë.
Prej më shumë se një muaji, 33-vjeçarja drejton autobusin me pasagjerë në linjën ndërkombëtare Shqipëri-Itali.
Teksa zbarkon me autobus nga trageti në Portin e Vlorës nga një udhëtim i gjatë prej 1300 kilometrash, Dishani rrëfen për Report Tv nëse është e lodhshme puna që kryen.
Jeni e vetmja vajzë që bëni linja të gjata, a është e lodhshme?
“Fare! Më mirë të rri në timon se në sendilje. Ndihem krenare për punën time Makinën e vogël ka vite që e ngas, ndërsa më pas mora patentën për kamion dhe autobus. E ndjej veten të zonjën në këtë punë”, thotë ajo.
Impresionet e udhëtimit me Erandën na i rrëfejnë dhe pasagjerët.
“Shumë e vëmendshme, e pashë me sy kritik dhe s’bëri asnjë gabim gjatë gjithë rrugës”, tha një pasagjer.
Por sa e ka ndjerë ajo paragjykimin, kur dihet se në drejtim të autobusëve zakonisht janë burrat.
Si e kanë pritur prindërit tuaj?
“Ata janë krenarë, por nuk duan ta ushtroj këtë profesion, se kanë merak, ngaqë është rrugë e gjatë”.
A ndiheni e paragjykuar?
“ Jo më pritën shumë mirë!”.
Eranda Dishani na tregon se është diplomuar për mësuesi, por më vonë zbuloi pasionin e saj për të drejtuar autobusë e kamionë. Ajo është ndër të rrallat vajza që transporton pasagjerë në linjat ndërkombëtare.
A ka gra të tjera në linjat ndërkombëtare?
“Jo s’ka jam e vetmja dhe jam krenare që bëj këtë punë. Puna nuk është turp! Unë kam mbaruar ciklin e ulët dhe vetëm 5 muaj punova mësuese e më pas thashë s’jam për këtë punë. Puna më e mirë për mua është kjo. Më jep adrenalinë”, tha Dishani.
33-vjeçarja nga Vlora, është e dashuruar me punën e saj dhe nuk i trembet rrugëve të gjatë, udhëton tre herë në javë drejt Milanos.
Diskutime rreth kësaj post