Partia Socialiste, feston këtë të dielë 31-vjetorin e themelimit të saj dhe me këtë rast, ka ftuar të gjithë socialistët në një ceremoni zyrtare, që do të organizohet në selinë rozë.
Në celularët e socialistëve, ka shkuar një mesazh që i fton ata të marrin pjesë nesër, më 12 Qershor, në festimet që do bëhen te Sheshi Austria (pranë selisë së PS) në orën 19.00.
Po ashtu, ka dhe ftesa të personalizuara që janë dërguar me postë të personalitete të së majtës.
Veç emrave të njohur nga radhët e së majtës që janë ftuar në këtë ditëlindje të 31 të forcës më të madhe politike në vend, do të jetë edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi.
Ftesa është dërguar në selinë në ish-Bllok.
Monika Kryemadhi, ka qenë një ndër themelueset e Forumit Rinor të rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë.
Por me ndarjen e së majtës me themelimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Ilir Meta, shumë personalitete të së majtës kaluan me LSI.
Nuk dihet nëse ftesa i është dërguar edhe Presidentit Ilir Meta, gjithashtu, një ndër emrat e spikatur në PS në vitet e para pas tranzicionit deri në themelimin e LSI.
Gjatë ceremonive zyrtare për përvjetore, socialistët nuk i kanë harruar personalitetet që u larguan nga kjo forcë politike.
Pavarësisht përplasjeve në politikë, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe emra të tjerë të së majtës, janë përfshirë në spotet që Partia Socialiste ka krijuar për të falenderuar të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në PS.
Diskutime rreth kësaj post