Nga: Ylli Pata
Në 31 vjetorin e themelimit të saj, Partia Socialiste është e vetmja forcë politike e grupimit të partive socialiste evropiane që ka arritur rekordin e laburistëve të Tony Blair-it, që ka fituar një mandat të tretë radhazi për të qeverisur vendin.
Një rekord, që përveç logjikës së arritjes, natyrisht është dilemë dhe shkakton frustacion në pjesën tjetër të shoqërisë, e cila voton kundër saj dhe kërkon t’i marrë pushtetin.
Socialistët nisën rrugëtimin e tyre politik në Shqipëri, ndryshe nga rivalët e tyre politikë, antikomunistët e Partisë Demokratike. Këta të dytët, në qershorin e vitit 1991, ishin në prag të ardhjes së tyre në një pushtet plebishitar, kurse PS ishte e mallkuar prej historisë së trashëgimisë me PPSH-në.
Në 12 qershor 1991, PS, e cila doli nga Kongresi i 10 i Partisë së Punës nuk zgjodhi në krye të saj, asnjë prej hierarkëve komunistë, apo përfaqësuesve të mesëm të saj.
I ndjeri, Ramiz Alia, i cili ndërroi jetë në vitin 2011, veprimin e fundit politik brenda partisë së tij e kreu duke ngritur një komision organizator për Kongresin e 10 të PPSH-së. Ku gjithashtu nuk kishte asnjë anëtar të Byrosë së vjetër Politike të PPSH-së. Vetë Alia kishte sorëzuar teserën e PPSH-së kur u zgjodh President i Republikës në prillin e vitit 1991. Një vit më pas kur dha dorëheqjen, udhëheqja e re e PS-së, i dha teserën e partisë liderit socialist Italian, Bettino Craxi, apo kreut të laburistëve izraelitë Shimon Perez, por jo Ramiz Alisë, pasi la presidencën.
Me Nanon, Alia nuk pati marrëdhënie të mira, kurse me Edi Ramën, nuk kishte fare. Siç do të deklaronte vetë ai në 2010-n, “nuk kam folur asnjëherë me të”.
Grupi politik që udhëhoqi PS-në çliroi entuziazëm, edhe pse zgjedhjet e para që zhvilloi në vend i humbi keqas. Pas 6 muajsh nga humbja e thellë në vitin 1992, socialistët, fituan shumicën e bashkive dhe komunave të vendit, jo vetëm në jug të vendit, por edhe në jug. Megjithatë ata ishin njësi vendore të karakterit dytësor. Tirana dhe qytetet kryesore kanë vijuar të votojnë për Partinë Demokratike deri në zgjedhjet vendore të vitit 2000. Ishin zgjedhjet e vitit 1997 që sollën një fitore me dy të tretat nga PS-ja, e cila vetëm në qytetin e Tiranës për shembull fitoi në të gjitha zonat zgjedhore. Këtu nisi dhe një afrim i socialistëve me të ashtuquajturin elektorat gri, i cili u vulos në zgjedhjet e vitit 2000, ku PS fitoi për herë të parë bashkinë e Tiranës, e që e ka kthyer praktikisht në një bastion politik. Aksidenti i vitit 2011 me fitoren e Lulzim Bashës me ndihmën e “VAR”-it të Arben Ristanit, u duk se ishte arficial.
Në Zgjedhjet e 21 prillit 2021, diferenca në bashkinë Tiranë ndërmjet PS-së dhe rivales së tij kryesore PD ishte 46,563 vota. Që përfaqëson një hendek i cili është thelluar nga zgjedhja në zgjedhje.
Përveç Tiranës, PS mori të gjithë qytetet kryesore të vendit si Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, të cilat nuk i ka dorëzuar thuajse prej vitit 2000, përveç Korçës, e cila ka bërë rrokadë ndonjëherë.
Nga ana tjetër PS nuk ka fituar asnjëherë bashkinë Shkodër, të cilën së bashku me Kukësin dhe Tropojën e ka kthyer në një zonë të paprekshme.
Ajo është kthyer sot partia për tu mundur, e ky aspekt është një frustracion për opozitën politike, atë pjesë të opinionit që e konteston qeverisjen e Edi Ramës dhe mazhorancës socialiste.
Rikthimi në pushtet në vitin 2013 u bë me ndihmën e LSI-së së Ilir Metës, ndërsa në dy zgjedhjet e tjera: 2017-n e 2021-shin PS fitoi e vetme një shumicë të konsoliduar në Parlament që e ka lejuar të qeverisë në mënyrë komode.
Pavarësisht sulmeve e akuzave që bëhen PS-së, një pjesë e të cilave qëndrojnë, realisht kjo fitore e pandalshme e socialistëve ka ardhur si pasojë e shpresës së njerëzve për reformën në drejtësi. Është pikërisht kjo kauzë që ka sjellë që elektorati gri të votojë socialistët në 2017-n e 2021-shin. Janë rreth 800 mijë shqiptarë, shifër që ka lëvizur pak a shumë, madje ishte kjo armatë votuesish që shpëtoi edhe zgjedhjet e 29 qershorit 2019 që u bojkotuan nga opozita, edhe pse ishin realisht zgjedhje me një forcë politike.
Kritikë të PS-së, i kanë përmendur në rrjete e media online numrin e zyrtarëve të kësaj partie që janë arrestuar, dënuar, proceduar, apo që kanë pasur element kri minalë.
Diskutime rreth kësaj post