Gjykata e Lartë, ka marrë një vendim që urdhëron Gjykatën e Krimeve të Rënda të mos shpallë moskompetencën për një sërë dosje penale të cilat nuk kanë lidhje me të akuzuar për grup të strukturuar kriminal, por për vepra të ndryshme penale.
Vendimi i marrë një ditë më parë nga një trupë gjykuese e Gjykatës së Lartë që ka shqyrtuar çështjen e kapjes së 1 ton drogë në Portin e Durrësit, ku të arrestuar janë 5 persona, ka vendosur që kjo çështje të mos i kalojë për kompetencë Gjykatës së Durrësit, por të vijojë të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim. Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë ka urdhëruar që të gjitha çështjet e rregjistruara përpara 1 gushtit 2017 të vijojnë të gjykohet nga kjo gjykatë, duke mos shpallur moskopetencën lëndore. Mësohet që prej hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur moskopetencën për 30 çështje penale që kanë të bëjnë pëhr krime në familje, trafik droge, vrasje, dhe kanosje e gjobëvënie.
Gjykata e Apelit
Në të njëjtën linjë, ka vepruar dhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e cila ka transferuar për gjykim në rrethet e tjera disa dosje. Çështja më e nxehtë që kjo gjykatë ka qënë në diskutim për ta transferuar në Apelin e Durrësit, ka qënë dosja me të pandehurin Dritan Dajti i akuzuar për vrasjen e 4 efektivave të policisë së Shtetit në Durrës. Mirëpo pas këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, çështja “Dajti” tashmë nuk mund të transferohet. Burimet pranë gjykatës thanë se pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë pritet që dhe gati 30 çështje që janë transferuar në rrethe të rikthehen sërisht për tu gjykuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Procesi gjyqësor për këto çështje hyri në një spirale ligjore, për shkak të ndryshimit të procedurave ligjore, të bëra si rezultat i reformës në drejtësi.
30 dosje sërish tek Krimet e Rënda
Vendimi i një dite më parë rrëzon atë të marrë 2 jave më parë për shkak të krijimit të disa anomalive në sistem. Gjatë dy javëve, Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për rreth 30 dosje duke ua deleguar rretheve. Mes tyre edhe çështje të rëndësishme për trafik droge apo krime në familje. Tashmë ato priten të rikthehen përsëri pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Bëhet fjalë për dosjen e vrasjes së gjyqtares së Shkodrë Fildeze Hafizit, vrasjen e Suela Sulës në Shkodër nga bashkëshorti i saj dhe një sërë çështjes të tjera.
Diskutime rreth kësaj post