Në 25 vite pluralizëm politik, Shqipëria është hasur me premtime elektorale, programe politike dhe opsione për një jetë më të mirë. Por pavarësisht kësaj, ka qenë e pamundur t’u kërkosh llogari politikanëve që u ke dhënë votën sepse edhe nëse të jepet rasti t’i gjesh përballë, ata të shtyjnë me mospërfillje, në mos të sulmojnë me fis dhe farë që ke në punë, shkollë dhe gjetkë. Por përse? Lajme.al sjell tre ngjarje/premtime/situata kur shqiptarët e Republikës së Shqipërisë nga të gjithë krahët politikë jo vetëm që janë tallur, por edhe u është shkelur dinjiteti njerëzor me këmbë.
1 – Pentium III
Për ata që nuk e dinë, Pentium III është një version kompjuteri që për vitin 2005 ishte goxha i avancuar. Edhe pse ethet e pushtetit për Fatos Nanon ishin të ndjeshme, Berisha nuk nguronte të bënte premtime nga më të çuditshmet.
Në një takim në Pallatin e Kongreseve, Berisha do t’i premtonte studentëve konkretisht: “Çdo dhomë e juaja, nuk po them se do të ketë Pentium 4, por Pentium 3 pa dyshim”. Pak vite më vonë, Berisha dhe familja e tij do të njihnin teknologjinë dhe ai vetë u dashurua me iPad.
Me të ardhur në pushtet po atë vit, jo vetëm që nuk i dha një dhome të vetme në ndonjë konvikt Pentium 3, por në 8 vitë qeverisje konviktet degraduan keq e më keq saqë sot kemi mesatarisht 50 studentë në një banjë të përbashkët.
2 – Rama, Gërdeci, 21 Janari
Lideri i opozitës së vitit 2008, Edi Rama, u kritikua më vonë përse ditën e shpërthimit në Gërdec i rrahu shpatullat kryeministrit të kohës Sali Berisha. Rama ngurroi për shumë kohë të ngrinte zërin për vrasjen e 26 shqiptarëve ndërsa në atë kohë flamurin e protestave e mori LSI e Ilir Metës. E ndërsa Gërdeci u konsiderua ‘Aksident Teknologjik’ dhe vijoi një seancë gjyqësorë qesharake që në fund rezultoi me dënime qesharake, protesta e 21 Janarit 2011 e organizuar nga Edi Rama rezultoi fatale për 4 persona.
Faik Myrtaj, Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda humën jetën nga plumbat e qitur nga Garda e Republikës së Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ky i fundit do t’i njihte protestuesit me emrin kokëpalarë, gjersa firmosi ‘ dashurinë’ me Ramën 2 vite më vonë…
Pas ftohjes për vite me radhë me familjarët e të dyja ngjarjeve tragjike, Rama u detyrua të premtonte drejtësi me të ardhur në pushtet. Por, sot në përfundim të mandatit qeverisës së PS dhe aleatëve të saj dikur përgjegjës për vrasjet e 21 Janarit, Edi Rama përveç heshtjes nuk ka seç të sqarojë tjetër.
Përgjegjësit e Gërdecit morën dëmshpërblim për stresin e krijuar gjatë vuajtjes së dënimit, ndërsa familjarët e 21 Janarit nuk dinë ku të përplasen.
Të tridhjetë viktimat treten nën tokë dita ditës dhe Rama-Meta qeverisin të lumtur.
3 – U plagos me derën e garazhit …
Do të ishte nata e 17 Janarit 2016 që jo vetëm do të vinte në lëvizje Policinë e Tiranës, por do të trondiste opinion publik dhe rrethin e drejtësisë së korruptuar. Gjyqtari i Tiranës, Artan Gjermeni, u godit 4 herë me thikë nga persona që më pas u larguan.
Ngjarja ndodhi në një lokal në kryeqytet dhe siç raportonte gazeta ‘Shekulli’, pamjet e kamerave të lokalit vërtetonin gjithçka. Por pavarësisht deklaratave të mjekëve të spitalit ku Gjermeni u dërgua me urgjencë, versioni i vetë atij ishte se aksidentalisht teksa mbyllte derën e garazhit, ishte dëmtuar.
Nuk dihet nëse nga ajo kohë ka gënjyer Gjermeni në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë, apo media dhe dëshmitarët. Dihet vetëm se kjo ngjarje nuk do të merret vesh kurrë edhe pse u tha se ai u plagos për shkak se ishte paguar për të favorizuar një çështje dhe njëra palë ishte e pakënaqur. (Gjermeni madje tha se teksa mbyllte derën e garazhit kishte pasur 20 mijë euro me vete, që policia ia kishte konfiskuar në hetim e sipër). Ndërsa burime hetimore për mediat thanë se ajo shumë ishte ryshfeti që Gjermeni po merrte. Nejse!
Gjëra që ndodhin në Shqipëri, vetëm se tallja e bythës fatkeqësisht është bërë modë ndërsa ti që po lexon, një të dielë që e ke pushim në mes te vapës merr mundimin dhe voton këta fëlliqësira me shpresën se do të bëhet më mirë… / www.lajme.al
Diskutime rreth kësaj post