Kanë nisur punimet për eleminin e rrëshqitjes së dherave në segmentin që lidh tunelin e Krrabës me Elbasanin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka lidhur një kontratë prej gati 3 milionë eurosh me firmën fituese të tenderit 2T, e cila ka nisur punimet që do të zgjasin 4 muaj. Sipas projektit, parashikohet hapja e një gjysme tuneli panoramik të shkurtër në korsinë e mbuluar nga dherat. Që prej dhjetorit të vitit 2017, në pjesën ku ka ndodhur rrëshqitja e dherave pranë fshatit Mamël, kalohet vetëm në një korsi.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro inspektoi fillimin e punës në terren. Ai tha se do të bashkëpunonte me Policinë Rrugore për të menaxhuar trafikun derisa të stabilizohet rrëshqitja. Sipas Qendros, projekti i jep zgjidhje kësaj rrëshqitjeje duke stabilizuar dhe siguruar gjithë skarpatën.
Kjo është shembja e tretë e regjistruar në këtë aks që ka çuar në bllokimin e qarkullimit, pas shembjes së madhe të kodrës në Ibë dhe një shembjeje të dytë pak më tej. Në planet e qeverisë është që e gjithë rruga Tiranë-Elbasan të mbarojë brenda vitit.
Diskutime rreth kësaj post