Shqipëria dhe gjithë shqiptarët festojnë sot 104 vjetorin e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
28 nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë,Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu , u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.
Më 28 nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar.
“Fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë. Ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”, tha ndër të tjera Ismail Qemali kur ngriti flamurin në Vlorë.
Në fjalën e tij, patrioti i madh nënvizoi se, në kushtet e krijuara, e vetmja rrugë për shpëtimin e atdheut, ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia dhe shpallja e pavarësisë.
Ky propozim u miratua unanimisht nga delegatët që nënshkruan edhe dokumentin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë dokument theksohej mes të tjerash se “Shqipëria me sot, të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme”. Në këtë kuvend u krijua edhe Qeveria e Përkohshme, si dhe u emërua Pleqësia, ose Senati. Këto propozime u miratuan njëzëri nga Kuvendi Kombëtar. Menjëherë pas kësaj, u shpall Qeveria e Përkohshme, si dhe u zgjodhën anëtarët e senatit, i përbërë nga 18 anëtarë, me kryetar patriotin Vehbi Dibra.
Në përbërjen e qeverisë dhe të senatit u zgjodhën njerëz me kontribut të spikatur atdhetar dhe përfaqësues të të gjitha trevave e të tri besimeve fetare. Procedurat e mëtejshme vazhduan me nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare nga të gjithë delegatët.
Në orën 17.30 të datës 28 nëntor, Ismail Qemali, doli në ballkonin e godinës ku u mbajt Kuvendi dhe njoftoi Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, duke ngritur Flamurin e qëndisur nga atdhetarja Marigo Posio.
Më shumë se një e treta e delegatëve të Kuvendit ishin nga viset e Kosovës. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor. Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.
Diskutime rreth kësaj post