Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka komentuar foltoret e ish-kryeminstrit Sali Berisha, për të cilat thotë se shumica e bazës së PD është pro. Sipas tij, mbi 80% e anëtarësisë janë kundër vendimit të Lulzim Bashës, për përjashtimin e ish-kryeministrit nga grupi parlamentar.
“Baza e PD në shumicën e saj është pro foltores. Kudo që shkon Berisha gjen mbështetje. Këtë e di dhe Basha. Ai ka pranuar që mbi 80% e anëtarësisë së PD, janë kundër vendimit të tij. Firmat po vazhdojnë në mblidhen, numri që kërkohet nga statuti është kaluar”, u shpreh Noka.
Më tej Noka u shpreh për “Ora News” se kreu i PD-së, Basha po ushtron presion ndaj strukturës së PD që të mos pritet Berisha, si dhe të ndalohet firmosja e formularëve, për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.
“Kjo gjë është për të ardhur keq. Nga njëra anë në takimin me kryetarët, me deputetët Basha është munduar të flasë me superlativa për Berishën. Kjo ka qenë hipokrizi absolute, sepse në takimet e ngushta me individë, apo pjesë të strukturave, Basha ka dhënë porosi që Berisha të bllokohet, të mos pritet dhe të ndalohet firmosja e formularëve. Kemi të bëjmë me një Lulzim Basha me dy fytyra. Por askush nuk do të ia di. Ecën përpara “Foltorja”, ngjall shpresë dhe besim për të ardhmen e për PD në pushtet. Basha nuk mund ta sjellë PD në pushtet“, u shpreh Noka.
Diskutime rreth kësaj post