Lëvizja demokratike e dhjetorit të vitit 1990 çeli një faqe të re në historinë e Shqipërisë, pasi pluralizmi u bë realitet. Me rrëzimin e sistemit komunist edhe në Shqipëri u krijuan parti të reja demokratike, që çuan në rivendosjen e parlamentarizmit.
Zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit të vitit 1991 të zhvilluara sipas sistemit maxhoritar të trashëguar nga e kaluara, zgjodhën 250 deputetë.
Zhvillimet kryesore të Legjislaturës së parë të parlamentit pluralist shqiptar 15 prill 1991 – 4 shkurt 1992
– Vendet në Kuvendin Popullor u ndanë si vijon: Partia e Punës 161 vende, Partia Demokratike 75 vende, Omonia 5 vende dhe Komiteti Kombëtar i Veteranëve 1 vend.
– Më 15 prill 1991 u mblodh parlamenti i parë pluralist, mbas një periudhe 67 vjeçare. Në mbledhjen e parë të tij nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike, ndërsa ata ishin të pranishëm në seancën e 17 prillit duke filluar diskutimin në parim të projektit të ripunuar të Kushtetutës. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Kastriot Islami.
– Kuvendi Popullor miratoi propozimin e Partisë Demokratike që Kuvendi të mos miratonte Kushtetutën në tërësi, por një paketë ligjore kushtetuese që të përcaktonte organizimin dhe kompetencat e parlamentit, presidentit të Republikës dhe qeverisë, çka do të siguronte mundësinë e një qeverisje normale dhe krahas kësaj të ngrihej një komision që do të punonte për një projekt të ri tërësor.
– Më 29 prill u miratua ligji për “Dispozitat kryesore Kushtetuese”, i cili, me plotësimet e më vonëshme, shërbeu si Kushtetutë e përkohshme deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
– Mbi bazën e këtij ligji më 30 prill 1991 President i Republikës u zgjodh Ramiz Alia.
– Më 30 maj 1991 u caktua kryeministër Fatos Nano, që i përkiste Partisë së Punës, por qeveria e tij shumë shpejt si pasojë e një krize politike të shkaktuar nga opozita dha dorëheqjen.
– Në fillim të qershorit 1991 partitë parlamentare arritën një marrëveshje për një zgjidhje të re politike, si rezultat i së cilës më 5 qershor u krijua një qeveri koalicioni, e quajtur Qeveria e Stabilitetit, e kryesuar nga Ylli Bufi, që i përkiste Partisë Socialiste, e sapo dalë nga kongresi i X-të dhe i fundit i Partisë së Punës.
– Gjatë periudhës më pak se një vjeçare të ekzistencës së tij legjislatura e parë e parlamentit pluralist miratoi disa ligje të rëndësishme si: ligji për: “departizimin dhe depolitizimin e disa organeve shtetërore”, ligji “Për sanksionimi dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”. Ligje të tjera ishin: ligji për tokën, për policinë e rendit, për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish dënuarve dhe përndjekurve politikë.
– Rëndësi të vaçantë për hapjen e Shqipërisë ndaj botës së jashtme, pas një periudhe të gjatë izolimi kishte ligji “për anëtarësimin e Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar për Rindërtimin dhe Zhvillimin, Korporatën Financiare Ndërkombëtare, Shoqatën e Zhvillimit Ndërkombëtar, Agjencinë e Garantimit të Investimeve Shumëpalëshe dhe në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investime”.
– Ligji i fundit që u miratua nga Kuvendi i parë pluralist më 4 shkurt 1992 ishte ai “Për Zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë”. Miratimi i këtij ligji, që ndryshonte sistemin e zgjedhjeve u parapri nga një ndryshim në Ligjin për Dispozitat Kryesore Kushtetuese (neni 17), me anë të së cilës numri i deputetëve dhe sistemi zgjedhor caktoheshin me ligj.
– Ligji i ri i zgjedhjeve përcaktonte se Kuvendi Popullor do të përbëhej nga jo më pak se 140 deputetë nga të cilët 100 prej tyre do të zgjidheshin drejtpërdrejt mbi bazën e një liste njëemërore. Sipas këtij ligji do të mund të zgjidheshin deputetë nga kandidatët e listës së përgjithshme vetëm në se partia përkatëse do të merrte të paktën 4% të votave në shkallë vendi
Diskutime rreth kësaj post